Finalja për vizat

Aktuale May 04, 2018 - 07:48
Lexoni lajmet më të fundit nga vendi dhe bota

Një delegacion i Bashkimit Evropian për dy ditë do të mbledhë fakte për ta hartuar më pas raportin final sa i përket luftimit të korrupsionit dhe krimit të organizuar nga autoritetet kosovare. Vlerësimi i këtyre ekspertëve do të jetë vendimtar për liberalizimin e vizave për Kosovën, shkruan sot Gazeta "Zëri". 

Një delegacion i Bashkimit Evropian (BE-së), i nivelit teknik, ka mbërritur gjatë ditës së djeshme në Kosovë, me ç’rast ka nisur edhe mbledhjen e provave mbi atë se sa është punuar në drejtimin e luftës së krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Ky delegacion, i udhëhequr nga Simon Mordue, zëvendësdrejtor gjeneral në Drejtorinë e Përgjithshme për Migrim, Punë të Brendshme dhe Shtetësi, gjatë së enjtes ka zhvilluar takim me kryeministrin e Kosovës Ramush Haradinaj, si dhe me ministren e Integrimit Evropian Dhurata Hoxha.

Pas takimit Qeveria e Kosovës njoftoi se Haradinaj para këtij delegacioni ka paraqitur të arriturat e ekzekutivit në sundimin e ligjit.

Me këtë rast i pari i Qeverisë tha se Kosova është gati për liberalizimin e vizave.

Në anën tjetër, nga Prokuroria Speciale e Kosovës kanë njoftuar për gazetën “Zëri” se deri më tani numri i rasteve të shënjestruara të korrupsionit ka kapur shifrën 43.

Ndërkohë, nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës kanë thënë se pesë prej këtyre rasteve aktualisht janë në Prokurori, ndërkaq 38 nëpër gjykata. Megjithatë, monitoruesit e sistemit të drejtësisë kanë vlerësuar se nuk është bërë luftë e vërtetë ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit. Në anën tjetër, Zyra e BE-së në Kosovë ka bërë të ditur për “Zërin” se ekipi i BE-së do të qëndrojë në Kosovë edhe gjatë ditës së sotme.

Haradinaj: Kosova, gati për liberalizim

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj pas takimit që pati dje me ekipin e BE-së tha se Kosova nuk ka dilemë për orientimin e saj euroatlantik.

“Bashkimi Evropian duhet të hapë rrugë që ne të bëhemi pjesë e familjes, së cilës i takojmë. Në takimin e sotëm me përfaqësuesit e Bashkimit Evropian theksova përkushtimin e Qeverisë së vendit në përmbushjen e kriterit të fundit, që qytetarët tanë ta kenë të drejtën e lëvizjes së lirë, siç e kanë vendet demokratike. Kosova është gati për liberalizimin e vizave”, deklaroi shefi i ekzekutivit.

Ndërkohë, Qeveria përmes një komunikate (pasi takimi ishte i mbyllur) bëri të ditur më konkretisht se çka është diskutuar brenda takimit.

“Kryeministri Haradinaj paraqiti të arriturat e Qeverisë në sundim të ligjit, respektivisht përmbushjen e të gjitha kritereve në fushën legjislative, ku theksoi punën e cila është bërë në procesimin e ligjeve të nevojshme të pakos për sundim të ligjit, siç janë ai për parandalimin e konfliktit të interesit, Prokurorinë e Shtetit, azilin dhe të huajt, financimin e partive politike etj. dhe projektligjet e fushës së luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, siç janë Ligji i Agjencisë Kundër Korrupsionit, deklarimin e aseteve, mbrojtjen e informatorëve dhe autorizimeve të shtuara për konfiskim”, thuhet në komunikatë.  

Delegacioni i BE-së, edhe sot në Kosovë

Ndërkaq Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë ka bërë të ditur për “Zërin” se delegacioni i BE-së do të qëndrojë në Kosovë edhe sot (pos ditës së djeshme). Me këtë rast Zyra e BE-së ka thënë se ky delegacion do të përqendrohet mbi atë se sa është punuar drejt luftës së krimit të organizuar dhe korrupsionit.

“Misioni do të përqendrohet në vlerësimin e kriterit të mbetur të liberalizimit të vizave, në historikun e luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Misioni është pjesë e vlerësimit teknik në vazhdim drejt përmbushjes së këtij kriteri të mbetur, që do të vazhdojë pas misionit”, thuhet në përgjigjen e Zyrës së BE-së në Kosovë.

43 raste të shënjestruara

Në anën tjetër, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka njoftuar se deri më tash janë 43 raste të shënjestruara për korrupsion. Po ashtu është bërë e ditur se deri më tash janë ushtruar mbi 30 aktakuza.

“Deri më tani janë shënjestruar 43 raste. Janë ushtruar 34 aktakuza, 7 lëndë janë me aktgjykime të plotfuqishme, 4 lëndë janë me aktgjykim të shkallës së parë, që nuk janë të plotfuqishme dhe 23 aktakuza janë në faza të ndryshme të gjykimit. 4 lëndë janë në fazën e hetimeve, kurse të tjerat janë pushim i hetimeve”, ka deklaruar për “Zërin” Ekrem Lutfiu, zëdhënës në Prokurorinë Speciale të Kosovës.

Edhe nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës kanë pohuar se deri më tash janë gjithsej 43 raste të shënjstruara, ku pesë prej tyre, siç ka njoftuar KGJK-ja, aktualisht janë në Prokurori.

“Momentalisht janë të shënjestruara dyzetetre (43) raste, pesë (5) janë në Prokurori, kurse tridhjetetetë (38) në gjykata. Në gjykata momentalisht janë në punë tridhjetetetë (38) lëndë, nga të cilat pesë (5) në procedurë paraprake dhe tridhjetetre (33) me aktakuza”, thuhet në një përgjigje të KGJK-së dhënë “Zërit”.

Sipas KGJK-së, të gjitha lëndët momentalisht janë duke u trajtuar me prioritet.

Nga KGJK-ja më pas kanë njoftuar se zyrtarët e këtij institucioni do të zhvillojnë takime edhe me ekipin e BE-së, i cili erdhi në Kosovë gjatë ditës së djeshme.

Musliu: S’ka luftë të vërtetë të krimit të organizuar dhe korrupsionit

Pavarësisht këtyre, Betim Musliu, drejtor ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), ka vlerësuar se nuk është bërë sa duhet në luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit.

“Instituti i Kosovës për Drejtësi bën studim sistematik të trajtimit të rasteve të korrupsionit në sistemin e drejtësisë dhe si rezultat i gjetjeve të vazhdueshme del që nuk ka luftë të vërtetë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në Kosovë. Rastet që janë duke u proceduar janë raste të cilat janë kryesisht të profilit të mesëm. Ndërsa ende nuk e kemi asnjë profil të lartë të korrupsionit, i cili është i dënuar me burgim efektiv me aktgjykim përfundimtar”, ka deklaruar Musliu për “Zërin”.

Megjithatë, ai ka konsideruar se BE-ja do t’i “mbyllë sytë” dhe do të dalë me një vlerësim pozitiv, por jo pse është përmbushur kriteri i fundit.

“Sidoqoftë, ne si IKD besojmë që ky ekip i Bashkimit Evropian, i cili mbledh prova dhe dëshmi rreth luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, do t’i mbyllë sytë për ta dhënë një raport më pozitiv, duke vlerësuar vetëm mekanizmin përcjellës për monitorimin e rasteve, top-raste”, ka shtuar Musliu.

Sipas tij, procesi i liberalizimit të vizave është një proces i cili duhet të vlerësohet pozitivisht jo për shkak të rezultateve që Kosova ka treguar në luftën e krimit të organizuar dhe korrupsionit, porse, siç ai është shprehur, për shkak të së drejtës themelore të qytetarëve për ta pasur lirinë e lëvizjes.

Prenkaj: Askush s’e di datën e saktë të liberalizimit

Për dallim prej Musliut, Adrian Prenkaj, ish-diplomat i Kosovës në Washington, ka konsideruar se ka pasur rezultate pozitive sa i përket përmbushjes së kriterit të fundit për heqjen e vizave.

“Kosova ka përmbushur elemente të mjaftueshme të këtij kriteri. Institucionet kanë vazhduar me fuqizimin e regjistrit të hetimeve kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Mendoj që Misioni i BE-së do të fokusohet kryesisht ta vlerësojë vëmendjen e institucioneve dhe gjyqësorit të Kosovës ndaj rasteve të mbetura të profilit të lartë, transferimin e aseteve të sekuestruara dhe konfiskimin përfundimtar”, ka deklaruar ai.

Sipas Prenkajt, askush nuk mundet ta dijë datën se kur saktësisht do të finalizohet procesi i liberalizimit, mirëpo ai ka vlerësuar se ka gjasa që një gjë e tillë të ndodhë deri në fund të këtij viti. 

“Mendoj që askush në Kosovë nuk mund të flasë për një datë të saktë të heqjes së vizave, sepse ky është një vendim që u takon shteteve anëtare të BE-së dhe Parlamentit Evropian. Sidoqoftë, Kosova tashmë ka përmbushur gati të gjitha kriteret dhe nëse trendi pozitiv vazhdon Kosova mund ta marrë liberalizimin deri në fund të vitit. Siç e dini, procesi i liberalizimit të vizave trajtohet në mënyrë shumë teknike, por megjithatë është një proces politik, sepse kërkon vullnet politik”, ka shtuar ai.

E lajmi më i mirë, sipas Prenkajt, është që Kosova në dy vjetët e fundit nuk është më në listën e 12 shteteve kryesore që kërkojnë azil në vendet e Bashkimit Evropian.