PDK nuk mohon zgjedhjet, AAK nuk frikësohet

Aktuale April 05, 2018 - 17:05
Lajmet

Lidhja Demokratike e Kosovës është mobilizuar më shumë se kurrë për një proces të ri zgjedhor, siç e ka quajtur ajo të parakohshëm.

Ka mbledhur për këtë kryetarët e degëve dhe u ka thënë të nisin përgatitjet për këtë proces.

Erdogani po del të jetë një “tundues” i koalicionit qeverisës, i cili koalicion pas arrestimeve të fundit të shtetasve të Turqisë, ka lëvizur nga baza.

Ndonëse nuk e pranojnë si të mirëqenë, nga Partia Demokratike e Kosovës nuk e kanë mohuar shkuarjen eventuale në zgjedhje.

Zenun Pajaziti  nga kjo parti i ka thënë Blicit se nëse ndodh një gjë e tillë, PDK është aty.

Ani pse thotë se LDK nuk ka çfarë të ofrojë më, meqenëse ka dështuar në procesin e demarkacionit me Malin e Zi.

LEXO EDHE: LDK mbledh kryetarët e degëve, bëhen gati për zgjedhje të parakohshme

“Zgjedhjet  nuk është që dikush pret diçka risi prej zgjedhjeve, as partnerët as qytetarët.  Por nëse ka diçka të tillë, përmbushet në përputhje me ligjin na jemi këtu po na jemi të fokusum në proceset e Kosovës. Nuk besoj që LDK ka çka me ofru, ka pas disa sfida në të kaluarën  për demarkacionin, që kanë dështu me u përball me to, nuk e besoj që në një fazë të re të krijume ata do të kenë diçka tjetër me i dhanë këtij vendi” ka thënë Pajaziti për Gazetën Blic.

Ai megjithatë thekson se vendi nuk duhet të shkoj kah agjendat siç i ka quajtur ai të  imponuara.

“Nuk duhemi me hy në agjenda që po na imponojnë të tjerët, nuk duhet me u deviju agjenda për proceset e rëndësishme si liberalizimi i vizave, integrimet, agjendën me përafru,  me përmbyll marrëdhënien tonë më Serbinë. Këto jon agjendat serioze dhe të gjitha partitë duhet me gjet guximin me u marr me to”është shprehur Pajaziti.

Ndërsa nga AAK-ja thonë se nuk i frikësohen mobilizimit të LDK-së, të cilin sipas tyre LDK po e bënë për politika ditore.

Time Kadrijaj  nga kjo parti i ka thënë Gazetës Blic se koalicioni dhe shefi i ekzekutivit po punojnë për të dërguar përpara agjendën shtetërore dhe se nuk e kanë në plan të merren me deklarata të LDK-së.

“Nuk ka zgjedhje, për me pas zgjedhje duhet me i pas 61 vota për me rrëzu Qeverinë, e LDK nuk i ka ato, është politikë ditore e tyre, por nuk ka zgjedhje këtë vit, deklarimet e tyre janë çështje e brendshme e tyre” ka thënë ajo.

Lidhja Demokratike e Kosovës ka bërë të ditur se sot është mbajtur mbledhja me Kryetarët e Degëve, ku kjo parti edhe një herë vlerësoi se vendi ka hyrë në krizë të thellë institucionale dhe politike.