Qeverisja “pa krahë” e Shpendit

Aktuale March 09, 2018 - 07:54

Të pakënaqurit e “Vetëvendosjes” së shpejti do ta zyrtarizojnë “shkurorëzimin” me partinë më të madhe në vend aktualisht. Largimi i Shpend Ahmetit i ka dhënë “krah” formimit të partisë së re politike. Megjithatë, vlerësohet se i pari i Prishtinës do të ballafaqohet me një qeverisje të vështirë pasi opozitë do ta ketë edhe ish-partinë e tij, shkruan sot Gazeta "Zëri". 

Largimi i kryetarit të Prishtinës Shpend Ahmetit nga lëvizja “Vetëvendosje” i ka dhënë krah grupit të të pakënaqurve të këtij subjekti politik, të cilët së shpejti do ta formojnë grupin e ri parlamentar e më pas edhe partinë e re politike.

Grupi parlamentar i të pakënaqurve do t’i ketë mbi 10 deputetë, ndërkohë që lëvizja “Vetëvendosje” do të mbetet me rreth 20 deputetë në Kuvendin e Kosovës, nga 32 sa i ka aktualisht. “Vetëvendosja” ia ka bërë të qartë Shpend Ahmetit se kjo parti do të jetë opozitë në Kuvendin Komunal të Prishtinës.

LEXO EDHE: “Gjahu” i pasuksesshëm dyjavor për Demarkacionin

Kështu, Ahmeti do ta ketë të vështirë qeverisjen e kryeqytetit sikurse në mandatin e kaluar për shkak se nuk do ta ketë shumicën në Kuvendin Komunal.

Burime të gazetës “Zëri” brenda grupit të të pakënaqurve kanë bërë të ditur se së shpejti do të formohet grupi i ri parlamentar e më pas edhe subjekti i ri politik.

“Formimi i subjektit të ri është i paevitueshëm, sigurisht se do të kemi edhe grup të veçantë parlamentar. Pas largimit të Shpendit presim të takohemi dhe të vendosim. Deri më tani nuk është se kemi pasur ndonjë angazhim në këtë drejtim”, ka thënë ky burim për “Zërin.

Ndërkohë, ende nuk ka ndonjë deklarim zyrtar nga deputetët e pakënaqur rreth formimit të partisë dhe të grupit parlamentar.

Ndërsa sekretari i Kuvendit Ismet Krasniqi ka thënë për “Zërin” se deri të enjten nuk ka pasur ndonjë kërkesë për formim të grupit të ri parlamentar.

“Vetëvendosja”: Jemi opozitë në Prishtinë

Në anën tjetër, lëvizja “Vetëvendosje” e ka quajtur të gabuar vendimin e Ahmetit për t’u larguar.

“Fatkeqësisht Shpendi ka zgjedhur që megjithatë ta mbajë anën e atyre personave që për mbi një vit e gjysmë punojnë brenda Lëvizjes e kundër Lëvizjes, persona të cilët në valën më të madhe të angazhimit për fushatë e për balotazh e kalonin kohën nëpër takime informale për prapaskena, duke u marrë me thashetheme përçarëse e duke pritur të kryheshin zgjedhjet për ta dhënë dorëheqjen”, thuhet në reagimin e “Vetëvendosjes”.

Kjo parti e ka falënderuar Ahmetin për kontributin që ka dhënë gjatë angazhimit në “Vetëvendosje”, por e ka bërë të qartë se “Vetëvendosja” në Kuvendin Komunal të Prishtinës do të jetë opozitë.

“Tash padrejtësisht Lëvizja do të jetë në opozitë, aty ku në fakt fituam. Kjo është gjendje e pazakontë dhe e padrejtë për votuesit, mbështetësit dhe për aktivistët e Lëvizjes. Megjithatë, ne e dimë se Lëvizja ka kaluar sfida më të mëdha se kjo dhe bashkë me mbështetjen e qytetarëve Lëvizja do t'u prijë ndryshimeve të domosdoshme e të shumëpritura në Kosovë”, përfundon reagimi i “Vetëvendosjes”.

Të pakënaqurit me parti të re

Kurse deputetja e kësaj partie Albulena Haxhiu ka thënë se largimi i Shpend Ahmetit nuk është befasues pasi, siç ka thënë ajo, i pari i Prishtinës ka munguar në mbledhjet e Kryesisë dhe të Këshillit të Përgjithshëm të “Vetëvendosjes”.

Haxhiu ka thënë se është e pritshme që të dorëhequrit e “Vetëvendosjes” do të formojnë parti.

“Nuk e di si do të vijojë situata më tutje, ka deklarata të shumta, por ajo që mbetet në terren është se “Vetëvendosja”, duke përfshirë edhe kryetarin Albin Kurti, ka shprehur gatishmëri që t’ua hapë dyert të pakënaqurve, por siç duket nuk ka pasur vullnet. Duket se ka një plan për të krijuar diçka tjetër (parti tjetër)”, ka thënë Haxhiu.

Ndërsa analisti Imer Mushkolaj ka thënë se dorëheqja e Shpend Ahmetit e dëmton “Vetëvendosjen” dhe e forcon krahun e të pakënaqurve, të cilët së shpejti do të formojnë parti të re.

“Është një veprim i pritur, të gjithë e kanë pritur si në “Vetëvendosje”, ashtu edhe opinioni publik. Natyrisht se largimi i Shpendit e dëmton “Vetëvendosjen”, por njëkohësisht i jep krah këtij grupit të të pakënaqurve, të cilët së shpejti vlerësoj se do ta themelojnë subjektin e ri politik, pjesë e të cilit do të jetë edhe Shpend Ahmeti. Qëllimi i të pakënaqurve ka qenë që ta marrin edhe Ahmetin me vete, por mbetet të shihet nëse ai do ta udhëheqë partinë e re”, ka vlerësuar Mushkolaj.

Sipas tij, është e pritshme që “Vetëvendosja” ta bllokojë qeverisjen e Ahmetit në Komunën e Prishtinës.

Përçarja e “Vetëvendosjes” në favor të LDK-së e të PDK-së

Valmir Ismaili, nga “Demokracia Plus”, ka thënë se dorëheqjet nga “Vetëvendosja” e dëmtojnë këtë parti, por as subjekti i ri që do të formohet nuk do ta ketë ndonjë sukses të madh. Ismaili ka thënë se përçarja e “Vetëvendosjes” është në favor të LDK-së dhe të PDK-së.

“Të mos harrojmë, shumë nga të pakënaqurit kanë qenë edhe më herët në subjekte të ndryshme politike dhe suksesi i tyre ka lënë shumë për të dëshiruar. Prandaj, ndarja e tillë e LVV-së është e dëmshme si për LVV-në, ashtu edhe për grupin që po largohet nga LVV-ja, sepse nuk u garanton atyre ndonjë të ardhme të ndritur në politikë... Me pak fjalë, ndarja e LVV-së ua krijon një momentum shumë të mirë subjekteve të tjera politike, sidomos LDK-së e deri diku edhe PDK-së”, ka vlerësuar ai.

Në fund, Ismaili ka thënë se kryetari i Prishtinës Shpend Ahmeti në këtë mandat do ta ketë edhe më të vështirë qeverisjen, pasi nuk do ta ketë përkrahjen e “Vetëvendosjes”.

“Natyrisht që një gjë e tillë do t’i shkaktojë atij probleme në qeverisjen e Komunës dhe shenjat e para u panë që nga mosmiratimi i raportit financiar nga Kuvendi Komunal.  Ahmeti tani është në një pozitë edhe më të keqe sesa që ka qenë në mandatin e kaluar dhe vështirë që do të mundë t’i realizojë shumë nga premtimet e tij. Mbetet të shihet se a do të provojë ai ta zgjerojë koalicionin qeverisës apo do të mundohet të qeverisë sikurse në mandatin e kaluar”, ka shtuar Ismaili.