“Gjahu” i pasuksesshëm dyjavor për Demarkacionin

Aktuale March 09, 2018 - 07:46

Koalicioni qeverisës qe dy javë është duke bërë përpjekje të vazhdueshme që t’i sigurojë votat e nevojshme në Kuvend për kalimin e Demarkacionit me Malin e Zi. Përpos shpresës se Lista Serbe dhe disa deputetë të “Vetëvendosjes” do ta votojnë marrëveshjen nuk ka ende asgjë konkrete në këtë drejtim, shkruan sot Gazeta "Zëri". 

Kanë kaluar më shumë se dy javë prejse koalicioni qeverisës ka nisur rrugëtimin për ta ratifikuar Marrëveshjen e Demarkacionit.

Por, pos dështimit qysh në tentimin e parë për ta përmbyllur këtë marrëveshje (22 shkurt) koalicioni qeverisës nuk arriti ta ratifikojë Demarkacionin as në dy përpjekjet pasuese (23 e 28 shkurt).

Pavarësisht këtyre, ende nuk është caktuar se kur do të mbahet vazhdimi i seancës për t’i dhënë epilog Marrëveshjes për Shënimin e Kufirit me Malin e Zi, shkruan tutje "Zëri". 

Përkundrazi, ndonëse nga Kryesia e Kuvendit kanë thënë se seanca mund të mbahet sot ose javën që vjen, kanë njoftuar se ende nuk ka ndonjë vendim lidhur me këtë çështje.

Megjithëkëtë, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka deklaruar se partnerët e koalicionit janë duke punuar për ta arritur një konsensus të gjerë politik. Sipas tij, madje ka edhe deputetë të lëvizjes “Vetëvendosje” që kanë shprehur vullnetin për ta mbështetur marrëveshjen në fjalë.

 Mirëpo, nga ky subjekt e kanë mohuar një gjë të tillë, duke thënë se deputetët e LVV-së mbajnë qëndrimin që kishin kundër marrëveshjes.

Veseli: Disa deputetë të LVV-së do ta votojnë Demarkacionin

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, nuk ka treguar se kur saktësisht do të mbahet seanca për ratifikimin e Demarkacionit. Megjithatë, ai ka thënë se koalicioni është në bisedime me të gjithë akterët politikë. “Do të ndodhë shpejt, jemi duke punuar intensivisht që ta arrijmë konsensusin e përbashkët në mënyrë që të ecim përpara dhe të mos vonohemi, mjaft jemi vonuar”, ka deklaruar ai pas mbledhjes së djeshme të Kryesisë.

I pyetur se cili është vullneti i Listës Serbe karshi kësaj marrëveshjeje, Veseli duke mos precizuar ka thënë se disponimi i deputetëve është duke ndryshuar për të mirë, përfshirë këtu edhe ata të LVV-së.

“Disponimi i shtetit të Republikës së Kosovës është i pacenueshëm dhe do të integrohet në BE si shtet i pavarur dhe sovran. Disponimi i deputetëve është duke ndryshuar pozitivisht, duke përfshirë edhe disa kolegë deputetë të lëvizjes ‘Vetëvendosje’”, ka theksuar kreu i Kuvendit.

Haxhiu: Brenda LVV-së s’ka dallime për Demarkacionin

Mirëpo deputetja e lëvizjes “Vetëvendosje”, Albulena Haxhiu, ka thënë se deputetët e LVV-së nuk do ta mbështesin Marrëveshjen e Demarkacionit. Sipas saj, edhe deputetët që tashmë kanë dhënë dorëheqje nga pozitat drejtuese të partisë do të ketë qëndrim të njëjtë. “Grupi Parlamentar aktualisht i ka 32 deputetë, komunikimet tona janë përbrenda seancave parlamentare. Ata nuk vijnë në mbledhjet e Grupit Parlamentar të lëvizjes ‘Vetëvendosje’, as për çështje si demarkacioni e të tjera. Por, deri më tani nuk kam parë ndonjë dallim në koncept apo në qëndrimet politike, qoftë për demarkacionin, qoftë për çështjet e tjera”, ka deklaruar Haxhiu.

Edhe vetë deputetët e grupit të të dorëhequrve kanë thënë para pak ditësh për “Zërin” se qëndrimi mbetet i njëjtë, meqë edhe marrëveshja është e njëjta siç ka qenë.

Haliti: Nuk ka vendim, seanca mund të mbahet sot apo javën tjetër

Xhavit Haliti, nga PDK-ja, ka thënë se ende nuk ka vendim se kur do të thirret vazhdimi i seancës për Demarkacionin. Sipas tij, seanca mund të mbahet qoftë nesër apo gjatë javës që vjen.

“Ndonjë vendim konkret nuk ka. Përpjekje ka për t’i përafruar mundësitë e ratifikimit të Demarkacionit, ka mundësi që mund të ketë sot, nesër, javën tjetër. Unë nuk mund ta them saktë se kur, por në momentin që do të jenë të gatshëm për ta votuar me siguri që do të ketë seancë”, ka deklaruar ai për “Zërin”.

Haliti më tej ka thënë se është duke u biseduar me të gjithë deputetët lidhur me Marrëveshjen për Shënimin e Kufirit.

“Ka protagonistë të ndryshëm me të cilët po bisedojmë, duke përfshirë këtu të gjithë deputetët e Kuvendit të Kosovës, të gjitha partitë politike dhe në kuadër të kësaj ka mendime të ndryshme dhe po përpiqemi jo vetëm ne, por edhe miqtë tanë që t’i bindin deputetët për ta votuar”, ka theksuar Haliti.

Deputetët e pavendosur të koalicionit

E përpos që koalicioni nuk po arrin ende t’i sigurojë votat e deputetëve të LVV-së e të Listës Serbe, deri më tash nga koalicioni janë edhe disa deputetë të cilët kanë shprehur publikisht kundërshtimin ndaj Demarkacionit.

Nait Hasani, nga PDK-ja, ka bërë të ditur para disa ditësh se nuk do ta mbështesë këtë marrëveshje. Mirëpo, i kontaktuar nga “Zëri” Hasani nuk ka dashur të flasë rreth qëndrimit të tij nën arsyetimin se ishte festa e 8 Marsit. “Vetëm për 8 Mars mund t’ju përgjigjem”, ka thënë shkurt Hasani.

Ndonëse deputetja e AAK-së, Teuta Haxhiu, kishte deklaruar se nuk do ta votonte Marrëveshjen e Demarkacionit, pas heqjes së raportit të Komisionit si obligues nga projektligji, nuk ka sqaruar nëse ende mban qëndrimin e njëjtë lidhur me këtë çështje.

“Jemi në seancë dhe kemi seancë që po mbahet, nuk kemi ndonjë informatë tjetër. Me këtë seancë po merremi sot. Ende nuk e kemi asnjë informatë, përgjigjja ime është kjo: nuk kemi informatë se kur dhe si. Të shohim”, ka deklaruar ajo e pyetur rreth qëndrimit të saj.

Ndërkohë Rasim Selmanaj, nga AAK-ja, deri më tash nuk e ka bërë të ditur qëndrimin e tij nëse do ta votojë apo Marrëveshjen për Shënimin e Kufirit. Përkundrazi, ai kishte thënë se kjo do të shihet në seancë.

Maliqi: Koalicioni është në pritje të votave të LS-së

Në anën tjetër Agon Maliqi, njohës i çështjeve politike, ka thënë se koalicioni qeverisës tashmë është në pritje të votave të Listës Serbe pasi lëvizja “Vetëvendosje” vështirë se do ta votojë.

“Çështja e demarkacionit ka mbetur pezull në kërkim të disa votave. Ndërkohë doli edhe një problem mes LDK-së dhe AAK-së mbi formulimin e raportit të Bulliqit në aneks të ligjit. Ky besoj është problem krejt i tejkalueshëm dhe më shumë është për konsum të jashtëm, i ndërlidhur me frikën e Haradinajt se si do të perceptohet vota pro Demarkacionit. Me gjasë tani ka ndonjë pritje se mos Lista Serbe do ta votojë Demarkacionin, meqë nga kampi i LVV-së vështirë se lëviz dikush”, ka deklaruar ai.

Maliqi më tej ka thënë se bashkësia ndërkombëtare mund të ndihmojë drejt ratifikimit të Demarkacionit duke bërë presion për votimin e Listës Serbe.

“Dje pati sinjale pozitive nga i dërguari i Vuçiqit, Selakoviç. Është e mundur se presioni ndërkombëtar mund të kryejë punë në këtë drejtim. Pasojat e demarkacionit tani dihen, vazhdimi i izolimit të qytetarëve, dëmtimi i imazhit të shtetit si i paaftë për t’i përmbushur zotimet ndërkombëtare”, ka theksuar ai për “Zërin”.