Për tre vjet 35 mijë kosovarë të kthyer nga Evropa

Aktuale March 07, 2018 - 08:54

Mbi 35 mijë kosovarë janë riatdhesuar nga vendet evropiane në tre vjetët e fundit. Vlerësohet se të rikthyerit nuk janë duke përfituar nga fondet që ekzistojnë për ta mbështetur riintegrimin e tyre në shoqëri, pasi nuk janë mjaftueshëm të informuar nga institucionet, shkruan sot Gazeta "Zëri". 

Në tre vjetët e fundit nga vendet evropiane janë riatdhesuar mbi 35 mijë kosovarë. Në vitin 2015 janë kthyer rreth 18 mijë persona, në vitin 2016 mbi 13 mijë dhe në vitin 2017 mbi 4500.

LEXO EDHE: 50 mijë kërkesa në vit për viza gjermane në Kosovë

Pjesa më e madhe e tyre janë kthyer nga shtetet si Gjermania, Zvicra, Suedia, Franca dhe Austria. Vlerësohet se personat e riatdhesuar nuk e marrin mbështetjen e duhur institucionale ndër të tjera edhe për shkak se nuk kanë informata të mjaftueshme për mbështetjen që u takon.

Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) ka konfirmuar për gazetën “Zëri” se numri i të riatdhesuarve në tre vjetët e fundit është mbi 35 mijë.

“Në vitin 2015 numri i të ripranuarve me forcë dhe i vullnetarëve është rreth 18 mijë. Në vitin 2016 është 13030 persona. Kurse në vitin 2017 numri i të ripranuarve me forcë dhe i vullnetarëve është 4509 persona”, thuhet në përgjigjen e kësaj Ministrie.

MPB-ja po ashtu ka bërë të ditur se nga cilat vende janë kthyer më së shumti qytetarë të Kosovës. “Sipas të dhënave vjetore për vitin 2017, numri më i madh i të ripranuarve me forcë ishte nga Gjermania 67,6 % (1774), Zvicra 9,9% (259), Suedia 5% (130), Franca  4,2% (110), Austria 2,6% (69) dhe shtetet e tjera me 10,7% (281). Ndërsa  për vitin 2016 numri më i madh i të ripranuarve me forcë ishte nga Gjermania 76% (4952), Zvicra 7% (451), Suedia 4,4% (285), Franca 2,7% (175), Austria 2,5% (164) dhe shtetet e tjera me 7,5% (492). Përafërsisht e njëjta renditje ishte edhe në vitin 2015”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Avdyli: Emigrimi, dështim i klasës politike

Anëtari i Komisionit për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale, Haxhi Avdyli, ka thënë se emigrimi i qytetarëve të Kosovës edhe pas 20 vjetësh nga çlirimi është dështim i klasës politike. “Mendoj që vetë shkuarja e tyre në vendet e tjera është humbje për Kosovën, është dështim i klasës politike në Kosovë, pasi edhe pothuajse 20 vjet pas çlirimit po vazhdon migrimi i të rinjve tanë për arsyet më banale, si mosgjetja e një vendi të punës. Prandaj është dështim i të gjithë neve”, është shprehur Avdyli.

Deputet i LDK-së më tej ka thënë se si shoqëri duhet të merremi me këtë problem shumë seriozisht. Avdyli ka thënë se duhet të krijohet perspektivë si në aspektin e zhvillimit ekonomik, por edhe të krijohen lehtësira për personat e riatdhesuar.

“Është dëshpëruese kur këta persona që kthehen e kuptojnë se rroga minimale ende është 170 euro, ndërsa rroga e qeveritarëve shkon deri në dy mijë apo edhe tre mijë euro. Për ata që kthehen duhet të ketë një qasje të përgjithshme. Por, mundësitë e Kosovës për akomodimin e të gjithë atyre janë të vogla dhe nuk jam optimistë se do të mundë të ndihmohen të gjithë ata”, ka shtuar Avdyli.

Ai në fund ka thënë se migrimi po vazhdon ende qoftë edhe përmes lejeve të punës, që sipas tij është më pak e dhimbshme.

Kurse anëtarja tjetër e Komisionit për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale, Time Kadrijaj, ka thënë se Qeveria duhet të përpilojë politika më të mira për personat e riatdhesuar.

“Edhe Qeveria paraprake, por edhe kjo, janë zotuar se do të ofrohen kushte më të mira për riatdhesim. Disa nga shtetet evropiane kanë pasur edhe metoda stimuluese për riatdhesim me disa mjete materiale që të mundë të fillojnë ndonjë biznes të vogël. Megjithatë, nuk mund të them nëse kjo është e mjaftueshme pasi dihet se gjendja ekonomike është e rëndë e papunësia është në nivel të lartë. Qeveria duhet të ndërtojë politika për personat e riatdhesuar”, ka deklaruar Kadrijaj

Gashi: Të rikthyerit nuk përfitojnë për shkak të mungesës së informatave

Gersi Gashi, nga organizata “Demokraci për Zhvillim” (D4D), ka thënë për “Zërin” se është shumë vështirë të konkludohet se a kanë qenë efektive politikat për riatdhesim, pasi ka mungesë të transparencës.

“Deri më tani përfitues kanë qenë vetëm personat që kanë emigruar para vitit 2010, ndonëse vala më e madhe ka qenë gjatë viteve 2014/15. Rregullorja që ka përcaktuar këtë ende nuk është ndryshuar, mirëpo strategjia e re e përpiluar (2018-2022) parasheh që kjo nuk vlen më dhe tani mbetet të shihet si do të zbatohet kjo në praktikë. Mungesa e transparencës dhe e bashkëpunimit të akterëve  paraqesin dy problemet kryesore për riintegrim”, ka vlerësuar Gashi.

Ai më tej ka thënë se në mungesë të informatave konkrete të rikthyerit nuk përfitojnë nga mundësitë që u takojnë. Pasi, sipas tij, me mungesë të bashkëpunimit të akterëve të ndryshëm shtohet konfuziteti tek të rikthyerit.

Gashi po ashtu ka thënë se Strategjia e re parasheh zgjidhjen e të gjitha këtyre problemeve, porse është ende herët të diskutohet për ndikimin e kësaj strategjie.

“Në mungesë të informatave konkrete dhe të qasshme, të rikthyerit nuk përfitojnë nga mundësitë që u takojnë. Me mungesë të bashkëpunimit të akterëve të ndryshëm (institucionet, organizatat dhe programet e ndryshme) krijohet punë e dyfishtë dhe më tej shtohet konfuziteti tek të rikthyerit/at. Strategjia e re parasheh zgjidhjen e të gjitha këtyre problemeve, por është ende herët të diskutohet për impaktin e saj”, ka vlerësuar Gashi.

“Politikat e deritanishme dështojnë të ofrojnë riintegrim të qëndrueshëm, e veçanërisht për grupe të veçanta, duke mos i adresuar nevojat specifike të tyre. Mungesa e informatave të sakta për të rikthyerit e ka pamundësuar një mbështetje të duhur dhe efektive për të rikthyerit. Së pari, ka pasur dështim në kampanja efektive informuese rreth mënyrave të emigrimit dhe të përfitimeve për të rikthyerit. Së dyti, politikat ad-hoc të pabazuara në fakte nuk kanë arritur qëllimin e tyre”, ka shtuar Gashi.

Kosova nuk është përballur plotësisht me sfidën kryesore

Në fund, Gashi ka thënë se pasi që deri më tani përfitues kanë mundur të jenë vetëm personat që kanë emigruar para vitit 2010, ende nuk jemi përballur plotësisht me sfidën kryesore e që sipas tij është rikthimi i emigrantëve që janë larguar në fund të viti 2014 dhe në fillim të vitit 2015.

“Pasi që deri më tani përfitues kanë mundur të jenë vetëm personat që kanë emigruar para vitit 2010, ende nuk jemi përballur plotësisht me sfidën kryesore – rikthimi i emigrantëve të vitit 2014/15. Prandaj, Strategjia e re duhet të ketë monitorim dhe vlerësim përgjatë zbatimit në mënyrë që të kuptojmë se cilat politika po arrijnë qëllimet e tyre e cilat jo”, ka përfunduar Gashi.

Sipas statistikave të EUROSTAT-it, në fund të vitit 2014 dhe në fillim të vitit 2015 nga Kosova janë larguar mbi 80 mijë qytetarë, megjithatë besohet se ky numër është mbi 100 mijë.