50 mijë kërkesa në vit për viza gjermane në Kosovë

Aktuale March 07, 2018 - 08:50

Derisa ende nuk dihet numri i plotë i kërkesave nga qytetarët e Kosovës për viza Shchengen, vetëm në Ambasadën e Gjermanisë në Prishtinë gjatë vitit 2017 janë dorëzuar 50 mijë kërkesa për viza, shkruan Gazeta "Zëri". 

Kërkesat kanë qenë për viza turistike, afariste, për punësim, për studime e për bashkim familjar. Këtë e ka konfirmuar Ambasada Gjermane në një përgjigje për gazetën “Zëri”.

LEXO EDHE: Demarkacioni nëse s’kalon në mars s’ka viza deri më 2020-n

“Ambasada Gjermane në vitin 2017 i ka përpunuar gjithsej 50.000 kërkesa për viza. Këtu përfshihen kërkesat për qëndrime afatshkurtra (turizëm, udhëtime afariste, etj.), ashtu sikurse edhe kërkesat për qëndrime afatgjata (punësim, studime, bashkim familjar, etj.)”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës Gjermane në Prishtinë.

Sipas një kalkulimi të thjeshtë del se rreth 190 kërkesa për viza në ditë janë bërë në Ambasadën e Gjermanisë, që në fakt është Ambasada me numrin më të madh të kërkesave për viza nga qytetarët në Kosovë.

Kurse në Ambasadën Norvegjeze, e cila përfaqëson edhe Danimarkën, Islandën, si dhe Lituaninë, në vitin 2017 janë pranuar mbi 3050 kërkesa për viza.

“Lidhur me kërkesën tuaj për numrin e aplikacioneve në Ambasadën Norvegjeze, e cila reprezanton edhe Danimarkën, Islandën, si dhe Lituaninë, për kërkesat e vizave Shenegen mund të ju informojmë se në vitin 2017 kemi pranuar në total 3056 aplikacione”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës së Norvegjisë.

Gazeta “Zëri” ka kërkuar të dhëna për numrin e kërkesave për viza edhe nga ambasadat e tjera në Kosovë, por nuk kanë dhënë përgjigje.

Sipas statistikave të Komisionit Evropian dhe të EUROSTAT-it, gjatë viteve 2010-2016 kosovarët kanë pasur mbi 507 mijë aplikime për viza Shengen, të cilat sipas një përllogaritjeje me pagesën mesatare u kanë kushtuar mbi 25 milionë euro. Madje rreth 97 mijë prej aplikimeve gjatë këtyre shtatave vjetëve janë refuzuar. 

Kujtojmë se premtime për liberalizim të vizave nga drejtues të subjekteve politike në vend janë dhënë qysh në vitin 2010, por një gjë e tillë ende nuk ka ndodhur.

Mbetet të shihet nëse në ditët në vijim do të ratifikohet Marrëveshja e Demarkacionit të Kufirit me Malin e Zi, që së bashku me luftimin e krimit të organizuar dhe të korrupsionit janë kushte të mbetura për liberalizim të vizave.