Ende s’ka draft të ri për Asociacionin

Aktuale March 06, 2018 - 08:12

Qeveria e Kosovës ende nuk ka filluar ta hartojë draftin e ri për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Shefi i delegacionit kosovar për bisedimet me Serbinë, Avni Arifi, ka thënë se do të bëhet një draft i ri për Asociacionin, megjithëse, siç ka pohuar ai, ende nuk është bërë kërkesa për draftim.

“Kosova nuk ka hartuar draft për Asociacionin. E kam parë këtë informacion në disa mediume se kemi bërë një draft, por një gjë e tillë ende nuk ka ndodhur. Nuk po them se nuk do ta hartojmë”, ka thënë ai për Zërin, duke shtuar se nuk dihet saktë se kur do të themelohet Asociacioni.

Zëdhënësja e përfaqësueses së lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Maja Koçijançiq, vitin e kaluar kishte thënë se Bashkimi Evropian pret që Asociacioni i Komunave Serbe të formohet sa më shpejt.

LEXO EDHE: Në pritje të votave të Listës Serbe

“BE-ja pret që në kuadër të marrëdhënieve të dialogut në mes të dyja palëve të formohet sa më shpejt të jetë e mundur”, ka thënë ajo.

Në anën tjetër, formimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe po shihet të jetë i pashmangshëm nga analistët politikë.

Artan Murati, hulumtues në KDI, ka thënë për “Zërin” se drafti i ri duhet të jetë sipas kornizës ligjore dhe të mos e shkel Kushtetutën e Kosovës.

“Drafti duhet të procedohet me formimin e grupit punues, i cili do ta hartojë statutin e Asociacionit dhe mendoj që Qeveria e Kosovës duhet të veprojë në akordim edhe me BE-në për t’i përmbushur obligimet të cilat i ka marrë nga dialogu me Serbinë. Qeveria duhet ta ketë parasysh që në asnjë mënyrë të mos e tejkalojë Kushtetutën e Kosovës dhe të mos bëjë ndonjë hap i cili do të na çonte në shkelje të Kushtetutës”, ka thënë ai.

Sipas Muratit, Asociacioni do të bëhet herët apo vonë.

“Nëse e shohim nga aspekti ligjor Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe do të duhej të bëhej herët apo vonë. Ajo çfarë ka stopuar deri tani dhe që është e drejtë ka qenë ajo që Gjykata Kushtetuese me vendimin e saj ka parë që disa pika të kësaj Marrëveshjeje të Asociacionit kanë qenë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës. Andaj në momentin që gjithçka do të jetë në harmoni me Kushtetutën konsideroj që ky obligim të cilin e kemi marrë të përmbushet, sepse Kuvendi veçse e ka ratifikuar Marrëveshjen e parë për Normalizimin e Raporteve”, ka theksuar ai.

Ndërsa politologu Ramush Tahiri ka thënë se është më mirë që drafti të kryhet sa më shpejt.

“Asociacioni i Komunave Serbe është obligim edhe ndërkombëtar, rrjedh prej bisedimeve në Bruksel, por edhe prej Pakos së Ahtisaarit. Si e tillë, kjo ka kaluar dhe duhet të miratohet. Tani e kemi edhe një vendim të Gjykatës Kushtetuese dhe Kosova ka  obligim që kjo të kalojë. Tani pse nuk po krijohet komisioni pranë Qeverisë i cili i harton dokumentet nuk e di”, ka thënë ai për Zërin.

Përndryshe, formimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe nuk është bërë ende për shkak se kjo marrëveshje ka shkelur 22 nene të Kushtetutës së Kosovës.