Në pritje të votave të Listës Serbe

Aktuale March 06, 2018 - 07:54

Koalicioni qeverisës është në pritje të konfirmimit të votave të Listës Serbe për ta ftuar seancën e Kuvendit për Demarkacionin me Malin e Zi. Deputeti Sllobodan Petroviq ka konfirmuar se vota e tij për këtë Marrëveshje do të jetë “për”, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Ndonëse po bëhen gjashtë muaj prejse qeveria “Haradinaj” ka marrë zyrtarisht detyrën, Marrëveshja e Demarkacionit me Malin e Zi ende nuk ka gjetur zgjidhje.

Përkundrazi, koalicioni qeverisës (PAN) ende nuk po arrin t’i sigurojë votat e mjaftueshme për ta kaluar këtë marrëveshje. E ndërprerë tri herë brenda pak ditësh, seanca për ratifikimin e Demarkacionit mund të mos vazhdojë as këtë javë.

Kështu ka lënë të nënkuptohet kryeparlamentari Kadri Veseli dje, i cili tha se seanca për shënimin e kufirit mund të mbahet edhe gjatë javës që vjen, shkruan tutje "Zëri".

Nga ana tjetër, Qeveria e Kosovës ka bërë të ditur se është në kontakt të vazhdueshëm me Listën Serbe (LS) lidhur me këtë çështje, ashtu sikurse edhe me partitë e tjera.

Mirëpo kryekuvendari Veseli (partner i koalicionit) nuk ka treguar nëse LS-ja është bindur që ta mbështesë këtë Marrëveshje.

Megjithatë, ai ka thënë se pret reflektim nga ana e tyre.

Ndërkaq, përderisa Lista Serbe po vazhdon të mos deklarohet rreth kësaj çështjeje, deputeti Sllobodan Petroviq (nga SLS-ja), ka ritheksuar edhe një herë për Zërin se vota e tij karshi Demarkacionit do të jetë pro.

Mirëpo, për ta përmbyllur çështjen e demarkacionit vota e Listës Serbe i duhet detyrimisht koalicionit, pasi LVV-ja është kategorikisht kundër kësaj Marrëveshjeje.

Veseli: Seanca për Demarkacionin mund të mbahet javën tjetër

Pavarësisht se gjatë mbledhjes së djeshme të Kryesisë nuk u caktua vazhdimi i seancës për Demarkacionin, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, është shprehur i vendosur se kjo marrëveshje do të ratifikohet shumë shpejt.

“Besoj që shpejt do ta kalojmë atë dhe në të njëjtën kohë jam optimist se gjatë këtyre ditëve shumë shpejt do ta kemi seancën dhe çështja e shënimit të kufirit me Malin e Zi do të përfundojë”, ka deklaruar ai.

Mirëpo, Veseli ka pranuar se kjo marrëveshje mund të mos shkojë në seancë as këtë javë.

“Ka mundësi të mbahet brenda këtyre ditëve shumë shpejt, por ka mundësi të shkojë javën tjetër”, ka shtuar ai.

I pyetur rreth qëndrimit të Listës Serbe, kreu i Kuvendit është shprehur optimist se përfaqësuesit e kësaj partie do të reflektojnë.

“Unë besoj që do të kemi reflektim të çdo komuniteti dhe në të njëjtën kohë bashkërisht do të vijmë në vendimmarrjen që ta përfundojmë ratifikimin e Marrëveshjes së Demarkacionit”, ka potencuar ai.

Qeveria: Jemi në kontakt me Listën Serbe

Ndërkaq Qeveria e Kosovës ka njoftuar se është në kontakt jo vetëm me partitë shqiptare, por edhe me përfaqësuesit e Listës Serbe sa i përket çështjes së demarkacionit.

“Qeveria e Republikës së Kosovës është në kontakt të vazhdueshëm me të gjithë partnerët e koalicionit dhe me subjektet e tjera politike parlamentare, pra edhe me Listën Serbe për votimin e Demarkacionit”, thuhet në përgjigjen e Zyrës për Informim të Qeverisë së Kosovës.

Lidhur me Demarkacionin zëvendëskryeministri i Kosovës, Behgjet Pacolli, në një intervistë për “Zërin” është shprehur i vendosur se kalimi i kësaj marrëveshjeje është çështje ditësh. Ndërkaq sa i përket Listës Serbe ai ka thënë se ky subjekt nuk ka vënë asnjë lloj kushti në drejtim të Qeverisë.

“Nuk mund të them se a do ta votojnë apo jo. Mund të them se Demarkacioni do të kalojë, diçka që e bën temën e kushteve dhe të kushtëzime, çfarëdo qofshin apo ngado që vijnë, të panevojshme për t’u adresuar. Por, për hir të korrektësisë mund të them se nuk ka asnjë lloj kushti as nga Lista Serbe”, ka potencuar Pacolli.

Petroviq: Do ta votoj Demarkacionin, s’kemi të drejtë t’i mbajmë qytetarët të izoluar

Për dallim prej përfaqësuesve të Listës Serbe, Sllobodan Petroviq, deputet i SLS-së (partisë liberale), edhe një herë ka bërë të ditur se do ta votojë Marrëveshjen e Demarkacionit me Malin e Zi.

“Qëndrimi ynë nuk ka ndryshuar për këtë çështje, kështu që ne do të jemi në mbledhje kur ajo të mbahet, kjo nuk varet nga unë. Por, kur të mbahet mbledhja për Demarkacionin unë do të jem prezent dhe do të votoj ‘për’”, ka nënvizuar Petroviq.

Kjo pasi që, siç ka vlerësuar ai, ratifikimi i Marrëveshjes për Shënimin e Kufirit me Malin e Zi është në të mirë të qytetarëve të Kosovës.

“Ne nuk kemi të drejtë që qytetarët tanë t’i mbajmë të izoluar dhe jam i sigurt që qytetarët dëshirojnë që kjo çështje të zgjidhet në mënyrë që t’u mundësohet liberalizimi i vizave”, ka deklaruar ai për “Zërin”.

Lidhur me mbështetjen ndaj marrëveshjes në fjalë Petroviq ka thënë se nuk kanë vendosur asnjë kushtëzim në drejtim të partnerëve të koalicionit.

Ndërkohë, sa i përket qëndrimit të Listës Serbe karshi kësaj marrëveshjeje Petroviq ka thënë se nuk ka ndonjë informacion pos atyre që janë shpërfaqur në medie.

Haxhiu: Asnjë deputet nga LVV-ja s’do ta mbështesë Demarkacionin

Ndërkaq deputetja e lëvizjes “Vetëvendosje”, Albulena Haxhiu, ka ritheksuar edhe një herë se LVV-ja nuk do ta votojë Marrëveshjen e Demarkacionit.

E pyetur nëse ka deputetë që individualisht do ta mbështesin këtë marrëveshje, Haxhiu ka mohuar kategorikisht një gjë të tillë.

“Ka shpikje, ka propaganda në këtë drejtim. Unë them se asnjëri prej deputetëve të lëvizjes ‘Vetëvendosje’ nuk do ta përkrahë këtë marrëveshje që falë territor. Nuk mund të jesh deputet i lëvizjes ‘Vetëvendosje’ dhe ta ngresh dorën për një çështje që fal territor”, ka theksuar ajo. 

Delawie për Demarkacionin: Është koha ta bëni hapin e fundit

Pavarësisht këtyre, ambasadori amerikan në Kosovë Greg Delawie ka konsideruar se ratifikimi i Demarkacionit është më afër se kurrë. Me këtë rast ai u ka bërë thirrje deputetëve ta miratojnë këtë Marrëveshje brenda kësaj jave.

“Puna e madhe rreth kushteve të partive për Marrëveshjen e Demarkimit të Kufirit me Malin e Zi është më afër se kurrë të ratifikohet. Deputetë, është koha ta bëni hapin e fundit këtë javë”, ka thënë Delawie.

Mirëpo gjatë javës së shkuar pati edhe deputetë të koalicionit qeverisës që u deklaruan kundër Marrëveshjes (Nait Hasani e Teuta Haxhiu).

E pyetur rreth kësaj çështjeje, deputetja e AAK-së Teuta Haxhiu, duke mos saktësuar, ka thënë se një gjë e tillë do të shihet në seancë.

Ndërkohë, njohësi i çështjeve politike Mazllum Baraliu nuk ka përjashtuar mundësinë që gjatë javës të thirret befasisht vazhdimi i seancës për Demarkacionin.

Mirëpo, sipas tij, tani për tani qartazi shihet se koalicioni s’i ka votat.

“Mund të ketë seanca befasuese, të  cilat mund të thirren vetëm atëherë kur ta kenë dritën e gjelbër nga Beogradi, nga Lista Serbe”, është shprehur ai.

Baraliu gjatë bisedës ka lënë të hapur mundësinë që Lista Serbe të bëjë pazare me koalicionin qeverisës në shkëmbim të votës.