Veseli kërkon votën e VV-së dhe Listës Serbe

Aktuale February 24, 2018 - 20:47

Kryeparlamentari i Kosovës, Kadri Veseli, përmes një statusi në “Facebook” e ka sqaruar marrëveshjen e arritur mes koalicionit qeverisës, transmeton “Zëri.info”.

Veseli e ka ftuar Vetëvendosjen dhe Listën Serbe që të reflektojnë dhe të votojnë “pro” Marrëveshjes për  Demarkacionin.

LEXO EDHE: Haradinaj heq dorë nga raporti i Bulliqit

Postimi i plotë i Veselit:

Lidhur me konsensusin e arritur sot mes subjekteve politike për çështjen e demarkacionit, dua të bëj një sqarim.

Pas bisedës që kam pasur sot me Kryeministrin Ramush Haradinaj dhe Shefin e Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, është arritur pajtueshmëri që Projektligji për Demarkacionin të mbetet i njëjtë siç ka ardhur nga Qeveria e Kosovës, përveç se në Pikën 1.2 të Nenit 3 është shtuar fjala “si orientim”, me kërkesë të LDK-së, pikë kjo në të cilën flitet për Dokumentacionin Zyrtar të Komisionit Shtetëror për Shënimin e Kufirit.

Falënderoj Kryeministrin Haradinaj dhe LDK-në për vullnetin e mirë që t’i kontribuojnë arritjes së konsensusit nacional.

Ftoj edhe subjektet tjera politike të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës, Lëvizjen Vetëvendosje dhe Listën Serbe, që të reflektojnë dhe të votojnë “pro” Marrëveshjes për Shënimin e Kufirit të Kosovës me Malin e Zi.