Kundërshtohet ideja e Edi Ramës për president të përbashkët

Aktuale February 20, 2018 - 08:13

Ideja e kryeministrit të Shqipërisë Edi Ramës që Kosova dhe Shqipëria duhet ta kenë një president të përbashkët nuk ka gjetur përkrahje në Kosovë pasi që kjo deklaratë po vlerësohet si joserioze dhe si ndërhyrje në politikën e shtetit të Kosovës, shkruan sot Gazeta "Zëri".
 

Deklaratën e kryeministrit të Shqipërisë Edi Ramës në Kuvendin e Kosovës se Shqipëria e Kosova duhet ta kenë një president të përbashkët në të ardhmen BE-ja e ka cilësuar si ndërhyrje politike, që nuk ndihmon në ndërtimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore.

Përderisa Qeveria e Kosovës ka vendosur të mos e komentojë këtë deklaratë të kryeministrit të Shqipërisë, njësoj nuk ka vepruar edhe opozita e vendit, e cila e cilëson kërkesën e Ramës si mungesë respekti ndaj Kosovës si shtet i pavarur, shkruan tutje "Zëri".

LEXO EDHE: Draft i ri për Marrëveshjen e Asociacionit

Në anën tjetër, edhe njohësit e çështjeve politike të vendit thonë që kjo kërkesë është joserioze dhe nuk duhet të merret parasysh nga organet kompetente të vendit.

LEXO EDHE: A ju pëlqeu ideja e Edi Ramës për një president uniteti shqiptar?

Madje, sipas tyre, kjo deklaratë është provokim nga Edi Rama dhe si e tillë nuk i ndihmon aspak marrëdhëniet Kosovë-Shqipëri.

LEXO PO ASHTU: Kush e meriton të jetë president i përbashkët i Kosovës dhe i Shqipërisë?

Po ashtu kundërshtime të rrepta ndaj kësaj deklarate kanë ardhur edhe nga shteti serb, i cili ka kërkuar që kryeministri i Shqipërisë Edi Rama të shpallet “person non grata” pasi që ka nxitur akt armiqësor ndaj Serbisë.

Qeveria nuk e komenton deklaratën e Ramës

Qeveria e Kosovës, e pyetur për qëndrimin e saj ndaj kësaj deklarate, nuk ka dashur ta komentojë një gjë të tillë. Zyrtarë nga Zyra e Kryeministrit të Kosovës në një përgjigje dhënë “Zërit” kanë thënë që pavarësisht se janë falënderues që kryeministri Rama ishte në ceremoninë e 10-vjetorit të Pavarësisë, deklaratat e tij nuk i komentojnë.

“Shprehim falënderimin për pjesëmarrjen e kryeministrit Rama dhe njëkohësisht edhe të të gjitha delegacioneve të tjera në shënimin e Jubileut të Pavarësisë së Kosovës. Megjithëkëtë, ne nuk i komentojmë deklarimet e bëra”, thuhet në përgjigjen e kësaj Zyre. 

Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë se një president i përbashkët Kosovë-Shqipëri do të ishte simboli më i mirë i një uniteti të të dyja vendeve.

Rama këtë e ka thënë gjatë fjalimit të tij në seancën solemne të Kuvendit për nder të 10-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.

“Kosova dhe Shqipëria do ta kenë një politikë të jashtme e jo veç ambasada dhe përfaqësi diplomatike të njëjta, por pse jo një president si simbol të unitetit kombëtar dhe një politikë kombëtare të sigurisë”, ka thënë kryeministri Rama.

Ai ka thënë se ideja e tij mund të duhet joreale për kohën e sotme, por ka thënë se ajo që ëndërrohet edhe mund të realizohet.

“Mbase ky përfytyrim sot mund të mos jetë i këshillueshëm në rrafshin e nacionales. Por historia për të cilën mora leje qysh në fillim për të mos folur sot na këshillon se çka është e drejtë të ëndërrohet nuk është e pamundur të realizohet”, ka shtuar kryeministri shqiptar Edi Rama.

BE-ja reagon ndaj deklaratës së Edi Ramës

Edhe Komisioni Evropian ka reaguar ndaj komenteve të kryeministrit Edi Rama në Kuvendin e Kosovës lidhur me një president të përbashkët mes dy shteteve. Me këtë rast zëdhënësja e KE-së, Catherine Ray, ka thënë se këto deklarata janë të papërshtatshme.

“Deklaratat që mund të interpretohen si një ndërhyrje politike në vendet fqinje nuk ndihmojnë në ndërtimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore,” ka thënë ajo.

Gjatë një konference për medie në Bruksel ajo ka thënë edhe se BE-ja pret që në të gjithë rajonin të vazhdojë ndërtimi i marrëdhënieve konstruktive dhe bashkëpunuese.

“BE-ja ka vazhduar t’i mbështesë parimet e pajtimit dhe bashkëpunimit në këtë rajon”, ka thënë Ray. Po ashtu kritika për këtë deklaratë ka pasur edhe nga zyrtarë serbë, të cilët një veprim të tillë e shohin si akt armiqësor të Shqipërisë kundrejt shtetit serb.

Kryetari i Partisë Popullore Serbe, Nenad Popoviq, në një deklaratë për mediet serbe ka thënë se për shkak të këtij akti armiqësor ndaj Serbisë Edi Ramën duhet shpallur “persona non grata” në Serbi.

“Kjo deklaratë e thënë në Prishtinë, në Kosovën serbe, me rastin e shënimit të 10-vjetorit të vendimit separatist kundërkushtetues shqiptar për shkëputje tregon edhe një herë për planin e qartë që në Ballkan dhe në truallin serb të krijohet e ashtuquajtura ‘Shqipëri e Madhe”’, ka thënë Popoviq.

Kusari Lila: Kjo kërkesë nuk do të realizohet

Mimoza Kusari, nga Alternativa, për “Zërin” ka thënë se kërkesa e kryeministrit të Shqipërisë për një president të përbashkët është kërkesë jo e duhur pasi që mes dy vendeve ka të tjera probleme që duhet të rregullohen paraprakisht.

“Kjo kërkesë e futurizmit në aspektin e realitetit tonë ballkanik, Kosova dhe Shqipëria uroj ta kenë sa më shpejt një president të përbashkët në BE, presidentin e BE-së, ndërsa mes vete të kemi shumë çështje të cilat para se të mbërrijnë tek kjo çështje duhet të rregullohen si funksionim i dy shteteve me një komb”, ka thënë Kusari Lila.

Sipas saj, të gjitha marrëveshjet që nuk po funksionojnë mes Kosovës dhe Serbisë janë si pasojë e mosfunksionimit të ekzekutivit të të dyja shteteve.

“Të gjithë ato gjëra të cilat sot nuk funksionojnë mes dy shteteve si rrjedhojë e funksionimit të ekzekutivit në të dyja vendet janë shumë më me rëndësi sesa diskutimi mbi ndonjë rregullim të ri që përfshin një president të përbashkët”, ka thënë ajo.

Ajo nuk shpreson që një kërkesë e tillë do të realizohet, pasi që as kushtetutat e dy shteteve nuk e parashohin një gjë të tillë.

Po ashtu edhe anëtari i Kryesisë së LDK-së, Avdullah Hoti, ka dalë kundër idesë së kryeministrit të Shqipërisë Edi Ramës për një president të përbashkët të të dy shteteve.

Hoti ka thënë se kjo është mungesë respekti për aspiratat e kosovarëve.

“Propozimi i Edi Ramës për president mbarëkombëtar është mungesë respekti për aspiratat e kosovarëve për shtet të pavarur, të integruar në BE dhe në NATO”, ka shkruar Hoti në një reagim në “Facebook”.

Mushkolaj: Kërkesa e Ramës, joserioze

Analisti Imer Mushkolaj e ka quajtur joserioze kërkesën e kryeministrit të Shqipërisë për një president të përbashkët, pasi që e tërë kjo është vetëm një provokim nga ana e tij.

“Është një deklaratë populiste e Ramës, çfarë jemi mësuar të dëgjojmë prej tij dhe është e parealizueshme të paktën jo në atë mënyrë që e prezantoi ai në Kuvend. Është një provokim për mediet dhe për politikanët që të merren me të, por nuk është asgjë serioze”, ka thënë Mushkolaj.

Sipas tij, kjo kërkesë është edhe një mesazh jo i mirë për Kosovën dhe Shqipërinë.

“Kërkesa e Ramës është një përpjekje që ta dërgojë një mesazh që nuk i bën mirë Kosovës dhe Shqipërisë të paktën në një moment kur Kosova ka përballë Serbinë me problemet e papërfunduara ende e të ia ndihmojë edhe Rama me këtë deklaratë, duke provuar që të tregohet më patriot se që duhet”, ka thënë ai.

Madje, sipas Mushkolajt, me këtë kërkesë nuk ia vlen të merren as organet kompetente të Kosovës, pasi që është kërkesë joserioze dhe duhet lënë si e tillë.