Draft i ri për Marrëveshjen e Asociacionit

Aktuale February 20, 2018 - 08:03

Shefi i delegacionit kosovar për bisedimet me Serbinë, Avni Arifi, ka thënë për “Zërin” se në takimin e javës së ardhshme në Bruksel me palën serbe do të diskutohet edhe për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe. Sipas tij, Asociacioni duhet të themelohet në bazë të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, me ç’rast do të bëhet një draft i ri për këtë marrëveshje

Delegacioni kosovar dhe ai serb gjatë javës së ardhshme do të takohen në Bruksel, ku pritet të diskutojnë për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe dhe për marrëveshjet tjera që nuk po zbatohen, duke përfshirë këtu Marrëveshjen për Lëvizjen e Lirë, Marrëveshjen për Energjinë, etj.

Shefi i delegacionit kosovar për bisedimet me Serbinë, Avni Arifi, ka deklaruar dje për gazetën Zëri se qëndrimi i tyre për Asociacionin është i qartë dhe se duhet të themelohet në bazë të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, me ç’rast do të bëhet një draft i ri për këtë marrëveshje.

LEXO EDHE: Lista Serbe kushtëzon Demarkacionin

Maja Kocijançiq, zëdhënëse e Përfaqësueses së lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini, ka bërë të ditur se takimi i ardhshëm në mes të delegacionit të Kosovës dhe atij të Serbisë do të mbahet më 26 shkurt në Bruksel.

Sipas saj, në këtë takim do të diskutohet rreth zbatimit të marrëveshjeve të deritanishme mes dy shteteve.

Ndërsa kryeministri Ramush Haradinaj ka theksuar se dialogu duhet të përmbyllet me njohjet reciproke. Sipas tij, Kosova është e përkushtuar në paqe me vendet e rajonit, duke përfshirë këtu edhe Serbinë.

Por deputeti i Nismës për Kosovën, Milaim Zeka, partia e të cilit është në koalicion qeverisës, ka deklaruar për “Zërin” se në Bruksel palët nuk kanë diskutuar për çështjet kryesore të vendit, por janë takuar sa për sy e faqe.

 “Në Bruksel nuk është biseduar për të zhdukurit. Ne i kemi familjet e të zhdukurve. Nuk mund të ketë dialog me Serbinë kur çështja kryesore e të zhdukurve nuk ka hyrë në bisedime”, ka thënë ai.

Sipas tij, delegacioni kosovar nuk ka platformë për bisedime dhe se Serbia është më racionale sa i përket politikës së jashtme.

Ndërsa analisti i çështjeve politike, Mazllum Baraliu, ka thënë për “Zërin” se Serbia nuk i ka përmbushur obligimet e saj që i ka marrë në Bruksel duke mos zbatuar asnjë marrëveshje në tërësi.

“Serbia nuk i ka mbushur as përafërsisht obligimet e saj që i ka marrë në dialogun me Kosovën në Bruksel. Dialogu në këtë mënyrë si deri më tani nuk duhet vazhduar. Përvoja e deritanishme disavjeçare, që nga viti 2011 kur dialogu ka filluar, si dialog teknik për çështje teknike dhe ka kaluar pastaj edhe në çështje politike, edhe në çështje të brendshme madje”, ka thënë ai.

Sipas Baraliut, pala kosovare nuk ka njoftuar se çfarë është biseduar në takimet me Serbinë, ndonëse duhet të bëhet një platformë e re konsensuale dhe të dihet se çfarë po diskutohet.