LVV-ja kërkon hetim ndërkombëtar për aktivistët, Kuvendi nuk votoi

Aktuale February 09, 2018 - 07:54

Seanca e djeshme e Kuvendit të Kosovës u përshkua nga akuza dhe kundërakuza mes deputetëve në debatin e ngritur nga lëvizja “Vetëvendosje” për rastin e vdekjes në burg të aktivistit Astrit Dehari dhe dënimin e katër aktivistëve të tjerë: Frashër Krasniqi, Adea Batusha, Atdhe Arifi dhe Egzon Haliti "Zëri".

“Vetëvendosja” me këtë rast ka kërkuar hetim ndërkombëtar për rastin e sulmit të Kuvendit të Kosovës më 4 gusht të vitit 2016, pasi kjo parti konsideron se aktivistët e saj që u dënuan muaj më parë janë të pafajshëm.

Mirëpo në mungesë kuorumi Kuvendi nuk arriti ta miratojë apo ta rrëzojë kërkesën për hetim ndërkombëtar. Grupi Parlamentar i LDK-së e bojkotoi gjithë seancën, shkruan tutje "Zëri". 

LEXO EDHE: Shteti i ri, policët e vjetërë

Kurse në mungesë të kryeministrit Ramush Haradinaj (i cili gjendet në SHBA) është shtyrë për seancën e ardhshme interpelanca e kryeministrit Haradinaj për rritjen e pagave të anëtarëve të kabinetit qeveritar, vendimin për rritjen e pagave për të gjitha kategoritë e të punësuarave që marrin paga nga buxheti i Kosovës, vendimi për lartësinë e pagesës mujore për familjet në Skemën e Ndihmave Sociale, si dhe raporti i 100 ditëve të punës së Qeverisë.

Kurti: Dënimi i aktivistëve, hakmarrje ndaj LVV-së

Kryetari i lëvizjes “Vetëvendosje”, Albin Kurti, ka thënë se dënimi i aktivistëve të kësaj partie, përveç urdhër politik, është hakmarrje ndaj tyre.

Ai tha se ende pa filluar gjykimi Policia kishte bërë ndëshkimin dhe se po luante rolin e gjykatës, ndërsa gjykata luante rolin e Policisë.

 

“Policia hakmerrej për protestat që kishin qenë në 20 muajt e fundit. Nuk ishte hera e parë, më 28 nëntor të vitit 2015 ishin thyer zyrat nga njësia antiterror, që nuk ishte vepruar as në veri të Kosovës. Arrestimi i 6 aktivistëve ishte hakmarrja e dytë policore ndaj lëvizjes ‘Vetëvendosje’. As Prokuroria dhe as Gjykata nuk kanë arritur të mbledhin asnjë provë materiale, që mund ta dëshmojnë fajësinë e aktivistëve tanë”, është shprehur Kurti, duke thënë se të gjitha dëshmitë dhe dëshmitarët e dëshmojnë të kundërtën e vendimit që është marrë ndaj aktivistëve të “Vetëvendosjes”.

 

Beqa: Debati i LVV-së, synim për ndërhyrje në drejtësi

Deputeti i PDK-së Hajdar Beqa e ka quajtur tendencioz debatin, duke thënë se LVV-ja po ndërhyn në drejtësi.

“Ne besojmë se debatet janë të dobishme për shoqërinë. Mirëpo duhet të jemi të kujdesshëm, sepse Kuvendi nuk është vend për t’u debatuar për ata që bien ndesh me drejtësinë”, ka thënë ai. 

Ai ka thënë se me këtë “Vetëvendosja” po mundohet që të krijojë mosbesim tek qytetarët në drejtësinë e Kosovës.

“Për këtë që sot po debatojmë akoma nuk kemi vendim për rastin konkret. Ky debat është tendencë për të krijuar huti dhe mosbesim në drejtësi. Pushtetet janë të ndara, drejtësia është e ndarë nga politika dhe kushdo që ndeshet me drejtësinë përballet me ligjin. Ky debat s’ka synim për të trajtuar diçka humane, është tendencë për të ndërhyrë më sistemin e drejtësisë. Është paradoks të thirret seanca për ata që ndiqen nga drejtësia”, ka thënë ai.

Haradinaj LVV-së: Mos u viktimizoni, distancohuni nga sulmi në Kuvend

Ndërkohë deputeti i AAK-së Daut Haradinaj ka kërkuar që “Vetëvendosja” të distancohet nga sulmi që i është bërë Kuvendit, me ç’rast u dënuan aktivistët e saj.

“Pajtohem që shumë fyese është që unë flas sot këtu e Frashri është në burg. U fol për rastin ‘Dehari’. Kërkesa ka qenë që të ndahet një buxhet për hetime ndërkombëtare. Buxheti është ndarë edhe familja është pajtuar dhe kurrgjë më ekzekutivi nuk ka të bëjë me këtë temë. Të gjithë e presim të vërtetën për Astritin. Por ju duhet t’i jepni kohë versionit final nga Zvicra”, ka thënë ai.  

I menjëhershëm ka qenë reagimi i shefit të Grupit Parlamentar të “Vetëvendosjes” Galuk Konjufca, i cili ka thënë se kjo parti nuk mund të distancohet nga diçka të cilën nuk e ka kryer. Konjufca tha se AAK-ja ka ndryshuar qasje ndaj këtyre çështjeve në momentin që është ulur në karrigen e Qeverisë.

Kurse Haradinaj i është kundërpërgjigjur, duke thënë se “Vetëvendosja” po viktimizohet. “Mos u bëni viktimë se na kemi lodhur, jeni bërë si LDK-ja dikur”.

Zeka “Vetëvendosjes”: Po kopjoni Hashim Thaçin

Kurse deputeti i Nismës Milaim Zeka ka thënë se LVV-ja po merr shembull nga ish-kryeministri (tash presidenti) Hashim Thaçi, që sipas tij po përdor metodën e tërheqjes së vëmendjes.

“Seanca e thirrur nga LVV-ja e dimë që është politike dhe i ngjan ish-kryeministrit Thaçi, që kur u nxitke diçka rreth tij ai nxirrte gjëra të tjera. Këtu nuk është problem Kalludra e as askush tjetër, por sistemi”, ka thënë ai.

LDK-ja braktis seancën

Krejt në fund të debatit “Vetëvendosja” parashtroi kërkesat e saj mbi këtë çështje. Sami Kurteshi në emër të Grupit Parlamentar tha se kërkojnë të gjejnë se: “Kush janë aktorët e vërtetë të sulmit me armë zjarri në natën 4 gusht 2016? Kush është organizatori për arrestimin e aktivistëve? Kush e vrau Astritin?

Për shkak të dyshimit, ne si LVV kërkojmë nga ky Kuvend që për rastin e sulmit në Kuvend më 4 gusht të kërkohet dhe të mundësohet një hetim i plotë dhe i pavarur nga ndonjëri nga vendet perëndimore,  duke përfshirë edhe Zvicrën, por duke e veçuar nga rasti ‘Dehari’”, ka thënë ai.

Por, Kuvendi nuk arriti ta votojë kërkesën e LVV-së pasi Grupi Parlamentar i LDK-së kishte bojkotuar seancën.

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, ka paraqitur një mocion që të mos votohet bordi i anëtarëve të Këshillit Shtetëror të Cilësisë pa raportuar ministri i Arsimit Shqyri Bytyçi lidhur me shkarkimin e ish-bordit.

Ndërkohë, deputetët e Kuvendit refuzuan të votojnë për një mocion të tillë dhe për këtë arsye LDK-ja bojkotoi seancën. Në seancë nuk arriti të zhvillohej edhe interpelanca e kryeministrit Haradinaj për rritjen e pagave të kabinetit qeveritar, për rritjen e pagave të sektorit publik dhe për rritjen e asistencës sociale, pasi kryeministri nuk ishte prezent në seancë.