Shteti i ri, policët e vjetër

Aktuale February 09, 2018 - 07:47

Me moshën mesatare mbi 44 vjeç Policia e Kosovës ka pjesëtarët më të vjetër në rajon, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Mosprocedimi tashmë disa vite në Kuvend i ligjit për pensionim të parakohshëm të policëve të Kosovës ka ndikuar edhe në moshapjen e konkursit për pranimin e policëve të rinj.

Ky projektligj parasheh pensionimin e pjesëtarëve policorë në moshën 55-vjeçare dhe pensionin invalidor, por drafti ende nuk është proceduar në Kuvend për miratim për shkak të ankesave për mungesë buxheti.

LEXO EDHE: Zëvendësministri në listë të uzurpatorëve

Zyrtarë nga Policia e Kosovës pranojnë se kjo çështje ende ka mbetur në procedim.

Në anë tjetër, zyrtarë nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe nga Ministria e Financave ia lënë përgjegjësin njëra-tjetrës në lidhje me mosprocedimin e kësaj çështjeje, shkruan tutje "Zëri".

Ekspertë të sigurisë konsiderojnë se duhet të ulet mosha e pensionimit dhe në Policinë e Kosovës të pranohen policë të rinj në moshë.

Policia e Kosovës: Projektligji për pensionim ende në procedim

Zyrtarë nga Policia e Kosovës kanë thënë për “Zërin” se projektligji për pensionim të parakohshëm të policëve ka mbetur në procedim. Sipas tyre, kur do të ketë konkurs për policë të rinj do të bëhet publike më herët.

Neni tetë i Projektligjit për Pensionet e Zyrtarëve Policorë të Policisë së Kosovës dhe për Hetuesit e Inspektoratit Policor të Kosovës thotë se “Zyrtari policor/hetuesi i IPK-së mund të pensionohet vullnetarisht prej moshës 50-vjeçare, i cili ka së paku 15 vjet përvojë pune, me pagesë të pensionit prej 40% të pagës bruto”.

Sipas këtij Neni, përqindjes së pensionit do t’i rritet për 1% për çdo vit përvojë pune, por jo më shumë se 55% e pagës bruto pas pensionimit vullnetar deri në moshën 55-vjeçare.

Ministritë ia lënë fajin njëra-tjetrës

Gazeta “Zëri” ka kontaktuar me zyrtarë të Ministrisë së Financave dhe me ata të Ministrisë së Punëve të Brendshme, por të dyja palët ia kanë lënë përgjegjësinë njëra- tjetrës për procedimin e projektligjit për pensionim të parakohshëm.

Zyrtarë për informim nga Ministria e Punëve të Brendshme kanë thënë se ligji për pensionim të policëve është në Ministrinë e Financave.

“Për hyrjen në fuqi të këtij ligji është shumë e nevojshme edhe përkrahja e kryeministrit të Republikës së Kosovës dhe institucioneve mbështetëse. Aktualisht ky ligj është në Ministrinë e Financave për shkak se ka implikime buxhetore, pas kalimit të fazave të nevojshme do të procedohet në Qeveri”, thuhet në përgjigjen dërguar “Zërit”.

Sipas tyre, ligji për pensionimin e Policisë së Kosovës është prioritet i Ministrisë.

“Sa i përket ligjit për pensionimin e Policisë së Kosovës, ky është njëri ndër prioritet e ministrit të Punëve të Brendshme, z. Flamur Sefaj. Në bazë të vlerësimeve, ky është njëri ndër ligjet më të rëndësishme, sepse duke u bazuar në prioritet dhe në planet e Policisë së Kosovës është i domosdoshëm ky ligj për shkak të rinimit të policisë së Kosovës. Me hyrjen e këtij ligji në fuqi do të krijohen kushtet për hapjen e konkursit për pranimin e Policisë së Kosovës si njëra ndër nevojat më bashkëkohore sa i përket sundimit të rendit dhe ligjit dhe ofrimit të sigurisë për të gjithë qytetarët”, kanë thënë ata.

Ndonëse zyrtarë të MPB-së thonë se ligji është në Ministri të Financave, këta të fundit thonë se MPB-ja ka planifikuar buxhet për këtë çështje.

Ata nuk kanë konfirmuar nëse janë afër zgjidhjes së kësaj çështjeje dhe kur do t’i kalohet ligji Kuvendit.

“Ju lutem që për këto pyetje të kërkoni përgjigje në Ministrinë e Punëve të Brendshme, sepse sa i përket buxhetit për këtë vit ata i kanë të planifikuara shpenzimet si organizatë buxhetore për të gjitha kategoritë buxhetore”, thuhet në një përgjigje për “Zërin” nga Zyra për Komunikim në Ministrinë e Financave.

Avdiu: Sfida e Policisë, forma e dobët fizike

Plator Avdiu, hulumtues në Qendrën Kosovare për Studime të Sigurisë, ka thënë se sfida kryesore e Policisë është mosha e vjetër mesatare e zyrtarëve, si dhe forma e dobët fizike gjatë kryerjes së detyrave policore.

“Ndër fushat në të cilën Policia e Kosovës ka hasur në më së tepërmi vështirësi është ripërtëritja e sta­fit të uniformuar. Për më tepër, kjo e pamundëson që zyrtarë të caktuar policorë ta kenë të pamundur të caktohen në detyra specifi­ke operative të Policisë, me theks të veçantë gjatë protestave në Prishtinë për shkak se ka qenë e nevojshme të transportohen njësi të specializuara nga qytetet e tjera”, ka thënë ai për “Zërin”.

Sipas tij, në Policinë e Kosovës duhet të rekrutohen policë të rinj.

“Duke marrë parasysh këto rrethana, atëherë është më se e nevojshme të bëhet reformimi i Policisë duke rekrutuar personel të ri policor dhe për ta mundësuar pensionimin e parakohshëm të zyrtarëve policorë që kanë arritur moshën 55-vjeçare. Ligji aktual për Policinë nuk garanton përfi­tim për zyrtarët që kërkojnë pensionimin e parakohshëm pas moshës 55-vjeçare”, ka thënë ai.

Avdiu ka theksuar se vonesat në miratimin e projektligjit për pensionim të parakohshëm të policëve kanë lënë mbrapa reformat e brendshme të Policisë.

“Ky projektligj ende nuk është miratuar nga Qeveria dhe nga Kuvendi i Kosovës, duke zvarritur edhe më tej këtë çështje. Sipas projektligjit, parashihet pensionimi i parakohshëm i zyrtarëve policorë në moshën 55-vjeçare. Gjatë këtij viti institucionet përkatëse (Qeveria dhe Kuvendi) do të duhej ta miratojnë projektligjin për t’i hapur rrugë pensionimit të parakohshëm dhe reformimit të Policisë”, ka thënë ai.

Avni Islami, eksperti i sigurisë, ka thënë për “Zërin” se Policia e Kosovës është më e vjetra në rajon dhe siç thotë ai, duhet të zëvendësohet me mosha më të reja.

Sipas tij, janë mundësitë që Kosova të ketë Policinë në moshë më të re, pasi që mosha mesatare e qytetarëve është shumë e re.