Pas darkës në rezidencën e Pacollit, reagon ‘Vetëvendosje’

Aktuale February 04, 2018 - 21:24
Ja çfarë thonë nga Lëvizja Vetëvendosje

Në rezidencën e zëvendëskryeministrit Behgjet Pacolli sonte është mbajtur një darkë jo formale në të cilën kanë marrë pjesë kryeministri Ramush Haradinaj dhe i gjithë kabineti qeveritar, raporton “Zeri.info”.

Këtë e ka konfirmuar për “Zeri.info”, këshilltari i kryeministrit Haradinaj, Avni Arifi.

Mirëpo, në media u raportua se në këtë darkë është arritur një pajtueshmëri për ta votuar Demarkacionin.

E për këtë janë deklaruar edhe nga Lëvizja Vetëvendosje.

I kontaktuar nga “Zeri.info”, deputeti Rexhep Selimi, ka thënë se ende asgjë nuk kanë të konfirmuar nga ajo çfarë ka ndodhur në rezidencën e Pacollit.

Sipas tij, pa pasur ndonjë konfirmim zyrtar nga protagonistët e këtij takimi, “Vetëvendosje” nuk mund të tregoj se si do të veproj.

“Unë nuk mund ti referohem diçkaje çka për mua dhe Lëvizjen Vetëvendosje nuk është e konfirmuar zyrtarisht. Unë nuk pres që së paku partnerët tanë të dikurshëm në opozitën e bashkuar të kenë ndryshuar qëndrim. Ta shohim deklarimet e subjekteve politike pasi që kjo të futet në rend dite për seancë dhe pastaj ne mund ti japim qëndrimet tona. Nuk mund që nga ky pozicion pa dëgjua asnjë deklaratë nga asnjë zyrtar dhe pa e pasur të konfirmuar ne as ta japim vlerësimin e njëkohësisht as ta besojmë që është, si për shembull Ramush Haradinaj dhe AAK-ja të kenë lëshuar pe në atë se ata çfarë kanë konsideruar si kauzë”, ka deklaruar Selimi për “Zeri.info”.

Edhe Shqipe Pantina, ka thënë për “Zeri.info”, se vendimet dhe qëndrimet që merren për çështje madhore për shtetin, i njeh vetëm ato që merren në Kuvend e jo siç tha ajo, në vila private.

“Unë nuk jam në dijeni për një marrëveshje të tillë. Vendimet për çështje madhore të shtetit duhet të merren në seancat plenare të Kuvendit e jo në vila private. E përsëris, nuk ka vendime shtetërore në vila private. Unë njoh vetëm vendimet që merren në Kuvendin e Republikës dhe marrëveshjet e darkave nuk dua t’i komentoj fare”, ka deklaruar Pantina për “Zeri.info”.

Kujtojmë se në këtë takim nuk mori pjesë Fatmir Limaj dhe të gjithë ministrat e Nismës. /ZËRI/