Limaj dhe ministrat e Nismës s'marrin pjesë në darkën e qeveritarëve në Hajvali

Aktuale February 04, 2018 - 21:18

Zyrtarët më të lartë të Qeverisë së Kosovës po zhvillojnë sonte një takim të përbashkët - por jo në vendin e tyre të punës.

Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, zëvendëskryeministrat dhe ministrat e qeverisë kosovare po darkojnë bashkë, në rezidencën e zëvendësit të parë të Haradinajt, Behgjet Pacolli.

LEXO EDHE: Arifi tregon se çfarë ndodhi në rezidencën e Pacollit

Ky takim i qeveritarëve të vendit, në periferi të Prishtinës, në Hajvali, po ndodh një ditë para se Kryesia e Kuvendit të Kosovës ta procedojë Marrëveshjen për demarkacionin e kufirit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi.

Kabineti i Kryeministrit ka bërë të ditur për Express se takimi i qeveritarëve të vendit, në shtëpinë e Pacollit, është i natyrës joformale.

Ndërkaq, Express ka mësuar, nga burimet e veta të mirinformuara, se jo të gjithë pjesëtarët e Qeverisë po marrin pjesë në këtë takim.

Në darkën në Hajvali nuk është i pranishëm zëvendëskryeministri Fatmir Limaj, nga Nisma.

Sipas burimeve të Express nga Nisma, në takimin joformal nuk po marrin pjesë as ministrat e partisë së Limajt në Qeverinë e Kosovës.

Arsyeja e mungesës së Limajt dhe ministrave të Nismës në këtë mbledhje nuk është bërë e ditur.