Jepen propozime, nuk gjendet zgjidhje për ndotjen e ajrit

Aktuale February 01, 2018 - 08:17
Kuvendi vazhdon sot seancën e jashtëzakonshme për ndotjen e ajrit

Nuk është gjetur ndonjë zgjidhje për ajrin e ndotur në kryeqytet, ani pse Kuvendi mbajti seancë të jashtëzakonshme për këtë çështje, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Partitë politike kanë dhënë propozimet e tyre se si të arrihet deri te zgjidhja e këtij problemi që ka alarmuar qytetarët e Prishtinës, të Fushë Kosovës e të Obiliqit.

Krijimi i hapësirave të gjelbra, krijimi i fermave për prodhimin e energjisë me erë, dyfishimi i projektit të koogjenerimit, respektimi i Ligjit për Ambientin, evitimi i ngrohjes me thëngjill ishin vetëm disa nga propozimet që u dhanë nga deputetet, mirëpo që nuk u arrit të merrej ndonjë vendim apo ndonjë rezolutë për këtë çështje.

Por një gjë e tillë pritet të ndodhë sot, pasi Kuvendi ka shtyrë vazhdimin e kësaj seance për në orën 10:00.

“Vetëvendosja” dha pesë propozime për ajrin e ndotur

Deputeti i lëvizjes “Vetëvendosje” Dardan Sejdiu në këtë seancë ka prezantuar pesë pikat që duhen ndërmarrë për përmirësimin e ajrit në Prishtinë. Ai ka tërhequr vërejtjen se nëse nuk ndërmerren masa konkrete, atëherë ndotja e ajrit do të bëhet temë çdo vit.

“Propozimi i parë, sipas një studimi që është bërë, me 24 milionë euro shtesë mund të dyfishohet projekti i koogjenerimit nga 140 megavate energji termike në 280 megavate energji termike. Propozimi i dytë, në komunat ku kemi këtë cilësi të ajrit duhet të shikohen me urgjencë që për politikat për subvencionim të qytetarëve të cilët nuk kanë gjendjen ekonomike materiale mirë t’u ndihmohet atyre të lëvizin nga ngrohja me thëngjill në ngrohje tjera, të cilat nuk shkaktojnë ndotje të ajrit”, ka thënë ai.

LEXO EDHE: Ajri i ndotur edhe pa vetura

Sejdiu tha se pika e tretë e propozimit ka të bëjë për një ndihmë direkte prej donatorëve që 28 shtetet anëtare të BE-së, nëse secili bën donacion prej dy autobusëve të ketë një flotë të re prej 56 autobusëve që së bashku me flotën ekzistuese do të zgjidhte problemin e trafikut publik në Prishtinë, në Obiliq dhe në Fushë Kosovë.

Kurse pika e katërt siç e prezantoi Sejdiu, ka të bëjë me ndërtimin e fermave për prodhimin e energjisë nga era, ndërsa pika e fundit e LVV-së për të dalë nga situata alarmante e ndotjes së ajrit është furnizimi i qytetit me drunj të mençur, të cilët bëjnë filtrimin e ajrit.

Gaxherri: Ndotja erdhi nga mosrespektimi i Ligjit për Ambientin

Deputetja e LDK-së, Besa Gaxherri, ka kritikuar ashpër vendimin e Komunës së Prishtinës dhe të Ministrisë së Mjedisit për ndalimin e qarkullimit të veturave në kryeqytet si pjesë e masave për ndalimin e ndotjes së ajrit, duke thënë se një vendim i tillë vetëm sa ua vështirëson jetën qytetarëve të pafajshëm.

Ajo në debatin që u zhvillua në Kuvendin e Kosovës për ndotjen e ajrit në Prishtinë ka thënë se deri më tash nuk ka fakte shkencore se cilët janë shkaktarët e vërtetë të ndotjes së ajrit.

“Propozimi i LDK-së është që ndotja nga KEK-u të sanohet duke i respektuar ligjet dhe të vendosen elektrofiltrat e cilësisë së duhur dhe në afat kohor të duhur. Të evitohet tërësisht ndotja nga ngrohja prej materieve të rrezikshme duke bërë shtrirjen e ngrohjes qendrore nga KEK-u për Prishtinën, për Obiliqin, për Fushë Kosovën, për Podujevën dhe për Lipjanin në afat prej dy vjetësh”, u shpreh ajo. Gaxherri tha se ndotja e ajrit mund të evitohet me respektimin e Ligjit për Ambientin, për të cilin tha se nuk u respektua asnjëherë.

Kurse deputetja Evgjeni Thaçi-Dragusha në emër të PDK-së ka kërkuar hartimin e politikave afatgjate për mbrojtjen e ambientit, ndërsa energjia alternative të përkrahet në mënyrë që të dalim nga varësia e energjisë nga termocentralet, shkruan tutje "Zëri".

Ajo në këtë seancë të Kuvendit të Kosovës tha se janë “tragjike” deklarimet e udhëheqësve komunalë që të mos bazohen në matësin e Ambasadës Amerikane në Prishtinë për ndotjen e ajrit, pasi është më afër termocentraleve të Obiliqit.

“Masat e përkohshme janë të domosdoshme njëjtë si edhe ato afatgjata. Duhet të hartohen politika afatgjata shtesë, të cilat e mbrojnë ambientin dhe të kujdesemi që ato të zbatohen”, tha ajo.

Isufi: Të ikim nga ndotja me gjelbërim dhe me energji alternative

Ndërsa Ahmet Isufi, nga Grupi Parlamentar i AAK-së, duke folur për ndotjen e ajrit në Prishtinë tha se duhet të bëhet kontroll më i madh në të gjithë indikatorët e ndotjes së ambientit.

Ai ka propozuar që të rriten hapësirat me gjelbërim. Përveç kësaj duhet të bëhet edhe një hulumtim për të krijuar energji alternative.

“Një element që duhet të jetë prioritet i Qeverisë dhe i organizatave të cilat merren me ambient është shfrytëzimi i hapësirave për gjelbërim. Tash e tutje do të duhej të bëhej një hulumtim më i madh i mundësisë së investimeve që krijojnë energjinë alternative”, tha Isufi.

LEXO EDHE: Kurti: Thaçi s’do ta heqë Specialen, por emrin e tij nga kjo Gjykatë

Isufi tha se sot në kryeqytet gjendja ishte e çuditshme pasi qendra ishte e ndaluar për automjetet dhe periferia jo e kjo ka ndikuar që në kryeqytet të bëhet kaos nga këto vetura.

Sherifi: Reduktimi i ndotjes të bëhet prioritet për Kosovën  

Ndërkohë Bilall Sherifi, shef i Grupit Parlamentar të Nismës, është pajtuar me të gjitha propozimet që kanë dhënë grupet tjera parlamentare, por tha se duhet të bëhet prioritet për Kosovën reduktimi i ndotjes së ajrit.

"S'kam çfarë u shtoj propozimeve që dhanë grupet tjera parlamentare vetëm do t’i shtoja këtë propozim. Pra reduktimin e ndotjes dhe të ndotësve, ta shndërrojmë në prioritet për Kosovën", ka thënë ai.

Ndërkohë Ministrja e Planifikimit Hapësinor dhe e Mjedisit ka thënë se pas disa ditëve angazhim për të gjetur përgjigjen se nga kush realisht po vjen e gjithë kjo ndotje, tashmë është gjetur kjo përgjigje.

Reshitaj ka thënë se termocentralet janë ndotësit më të mëdhenj të ajrit në Prishtinë, duke përmendur se filtrat e termocentralit “Kosova B” nuk janë kontrolluar prej vitit 1985.

Të njëjtën më pas e tha edhe ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, i cili tregoi se termocentralit “Kosova A” i janë ndërruar filtrat, por jo edhe termocentralit “Kosova B”.  /ZËRI/