Ajri i ndotur edhe pa vetura

Aktuale February 01, 2018 - 07:54

Vendimet e Komunës së Prishtinës, që hynë në zbatim ditën e djeshme, nuk arritën ta përmirësojnë nivelin e ndotjes së ajrit në kryeqytet, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Matjet që u bënë dje në orën 10:00 nga Qendra për Matjen e Cilësisë së Ajrit, e vendosur nga Ambasada Amerikane në Prishtinë, regjistruan vlerat e ndotjes 235 ppm, vlera të cilat konsiderohen të pashëndetshme.

Vlera e ndotjes së ajrit dje ka qenë edhe më e dëmshme se një ditë më parë.

Qarkullimi i automjeteve po del të jetë një shkaktar më i vogël në ndotjen e ajrit në Prishtinë, edhe pse që nga mëngjesi i ditës së djeshme rrugët kryesore në kryeqytet janë bllokuar për qarkullim të veturave, ndërsa transporti urban është shfrytëzuar pa pagesë nga të gjithë.

LEXO EDHE: Përçarjet e mëdha

Ndalimi i veturave ka shkaktuar edhe kaos në autobusët urbanë, të cilët ishin të stërmbushur me qytetarë, por edhe kaos në rrugët ku ishte i lejuar qarkullimi i tyre.

Në anën tjetër sipas Policisë së Kosovës, gjendja në trafik ka shkuar përgjithësisht mirë.

Për më shumë për ndotjen e lartë të ajrit dje në Prishtinë u mbajt edhe një protestë.

Po ashtu edhe Kuvendi i Kosovës mbajti seancë të jashtëzakonshme.

Vazhdon niveli i lartë i ndotjes në kryeqytet

Edhe pse dje janë ndërmarrë masa për parandalimin e ndotjes së ajrit nga Komuna e Prishtinës dhe nga Ministria e Ambientit, duke e ndaluar qarkullimin e veturave në qendër të Prishtinës, ajri në kryeqytet vazhdon edhe më tutje të mbetet e pashëndetshme.

Në matjen që është bërë dje nga Qendra për Matjen e Cilësisë së Ajrit, e vendosur nga Ambasada Amerikane në Prishtinë, në orën 10:00 është regjistruar vlera e ndotjes 235 ppm, e cila konsiderohet e pashëndetshme.

Kjo vlerë e ndotjes së ajrit është edhe më e dëmshme se një ditë para se të hyjë në zbatim vendimi i Komunës.

Policia: S’kishte tollovi në trafik

Zyrtarë nga Policia e Kosovës kanë thënë dje për “Zërin” se nuk kishte tollovi në trafik dhe se është zbatuar vendimi i Komunës së Prishtinës për bllokimin e hyrjes së automjeteve në qendër.

“Në përgjithësi ka qenë mirë, nuk ka pasur incidente diçka për t’i penguar planet. Ka pasur probleme të vogla, mund të them të vogla të natyrës së lehtë, por për të na penguar planin nuk ka pasur. Ka shkuar plani në rregull. Për mëngjes nuk e di, por nuk ka pasur fluks aq të madh. Orientimet kanë qenë pak të habitshme për qytetarët, por në përgjithësi ka shkuar mirë”, kanë thënë për “Zërin” zyrtarë policorë.