Corteville: Ambasada e SHBA-së po diskuton për masat ndaj liderëve nëse vendosin për shfuqizimin e Speciales

Aktuale January 22, 2018 - 07:59

Brian Corteville, konsull në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, gjatë një interviste për gazetën “Zëri” ka deklaruar se brenda Ambasadës po diskutohen se cilat masa do të merren ndaj liderëve kosovarë nëse vazhdojnë me iniciativën për shfuqizimin e Ligjit për Gjykatën Speciale. Megjithatë, ai shpreson se këshilla e ambasadorit Delawie do të dëgjohet nga liderët, në të kundërtën mosdhënia e vizave është njëra nga masat që mund të aplikohet

Ambasadori amerikan në Prishtinë, Greg Delawie, ditë më parë ka paralajmëruar liderët kosovarë se nëse vazhdojnë me iniciativën për shfuqizimin e Ligjit për Gjykatën Speciale do të merren masa të rrepta ndaj tyre.

Në medie javë më parë është raportuar se Ambasada e SHBA-së në Prishtinë nuk i ka dhënë vizë kryeministrit Ramush Haradinajt për të marrë pjesë në “Lutjet e Mëngjesit” në Uashington pikërisht për shkak të qëndrimit të tij ndaj Gjykatës Speciale, si dhe për demarkacionin me Malin e Zi.

Por Brian Corteville, konsull në Ambasadën e SHBA-së në Prishtinë, gjatë një interviste ekskluzive për gazetën Zëri ka deklaruar se ende nuk janë përcaktuar masat individuale, pasi është një diskutim që po ndodh brenda Ambasadës.

Konsulli i kësaj të fundit megjithatë shpreson se këshilla e tyre do të dëgjohet nga liderët, në të kundërtën mosdhënia e vizave është një ndër masat që mund të merret.

LEXO EDHE: Prapaskenat për humbjen e 63 milionë eurove me ''Bechtel''-in

Corteville nuk ka dashur të komentojë për çështjen e vizës së kryeministrit Haradinaj, me arsyetimin se nuk mund t’i komentojë vizat individuale.

Gjatë kësaj interviste për Zërin konsulli Corteville ka folur për fillimin e procesit të dhënies së vizave emigruese në Prishtinë për qytetarët e Kosovës, për vizat që mund t’i marrin këtu pa u detyruar të shkojnë në Ambasadën e SHBA-së në Shkup.

700 viza emigruese në çdo vit për kosovarët


Zëri: Z. Corteville, Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka njoftuar se këtë muaj do të fillojë me dhënien e vizave emigruese në Prishtinë për qytetarët e Kosovës. Çka nënkuptohet me vizat emigruese dhe cilat janë përfitimet për qytetarët e Kosovës?

Corteville: Ka dy lloje të vizave që jepen. Viza turistike ose viza joemigruese dhe viza emigruese. Vizat joemigruese janë vetëm për vizita të shkurtra, turizëm, shërbime mjekësore, për studime dhe për disa arsye të vizitave të shkurtra. Vizat emigruese janë sikur një “Green Card”. Qytetarët që kanë një vizë emigruese mund të shkojnë në SHBA dhe në aeroport kur oficeri e shtyp vizën kjo është një “Green Card” dhe pastaj aplikojnë për një kartelë, kjo u jep njerëzve të drejtën të jetojnë, të punojnë, të emigrojnë në SHBA si një rezident i ligjshëm. Për Kosovën ka pak a shumë 700 viza emigruese çdo vit. Disa janë për ata që janë të fejuar me qytetarë amerikanë, disa janë nga lotaria ose vizat e shumëllojshmërisë që ne po bënim tashmë për vitin e kaluar dhe tani filluam me vizat emigruese që janë bashkim familjar, janë më së shumti për bashkëshortët, prindërit, fëmijët të qytetarëve amerikanë.

Zëri: Cilat kushte duhet t’i plotësojnë qytetarët e Kosovës që të fitojnë një vizë të tillë?

Corteville:
Zakonisht varet nga një marrëdhënie që ka qytetari i Kosovës me qytetarin amerikan. Për shembull, nëse ka një marrëdhënie familjare, një martesë ose një marrëdhënie prind - fëmijë, kur ekziston një marrëdhënie e tillë qytetari amerikan fillon procesin në Amerikë. Pra nga Amerika e bën një aplikacion në Departamentin e Sigurisë së Brendshme dhe pastaj kur aprovohet ata caktojnë një datë këtu në Kosovë. Pra procesi është pak i gjatë, mund të marrë kohë 6 muaj deri në 1 vit apo një vit e gjysmë. Varet nga qytetari amerikan sa shpejt i kompleton të gjitha dokumentet e nevojshme. Është e rëndësishme që kosovarët këtu nuk e fillojnë procesin, nuk është si një vizë turistike që ata shkojnë në Ambasadë dhe e caktojnë një termin, por procesi fillon nga qytetari amerikan.

Mbi 7000 aplikacione në vit për viza turistike në SHBA

Zëri: Cilat lloje të tjera të vizave jepen në Ambasadën e SHBA-së në Prishtinë dhe për cilat lloje të vizave qytetarët e vendit duhet të shkojnë në Shkup?

Corteville:
Ne filluam me dhënien e vizave joemigruese ose turistike në vitin 2014, 2015 në Prishtinë. Konsullja që ishte këtu para meje filloi me disa grupe, për shembull: viza për studentë, për këngëtarë, për vazhdimin e vizave për ata qytetarë që kanë pasur një vizë në të kaluarën dhe mund ta vazhdojnë vizën këtu.

Vitin e kaluar filluam me dhënien e vizave për të moshuarit apo për njerëzit që janë të moshës mbi 60 vjeç dhe programin “Summer Work and Travel”. Kur studentët shkojnë në Amerikë gjatë muajve të verës të punojnë marrin një përvojë kulturore, pastaj filluam me të fejuarit dhe vizat e shumëllojshmërisë, por fatkeqësisht nuk kemi një sallë pritjeje këtu në Prishtinë, nuk kemi një hapësirë të mjaftueshme për të pranuar të gjithë aplikantët, sepse kemi mbi 7000 aplikacione në vit për viza turistike. Kështu që për një vizë të tillë për herë të parë qytetarët duhet të aplikojnë në Shkup deri kur të hapet objekti i ri i Ambasadës në Prishtinë dhe pastaj mund të fillojmë me shërbime të plota këtu.

Zëri: A ka pasur rritje të aplikacioneve për viza të SHBA-së ndër vite në Kosovë?

Corteville:
Jo. Mendoj që kërkesa është e njëjtë, nuk rritet por as nuk bie. Ndoshta kur të  hapet ambasada e re këtu do të ketë një rritje të aplikacioneve sepse qytetarët nuk duhet të shkojnë në një vend tjetër për t’u pajisur me vizë, pasi që është shumë më lehtë të aplikojnë këtu, atëherë do të shohim nëse ka një rritje.

Keqpërdorimet e vizave amerikane

Zëri: A ka raste të  shpeshta të keqpërdorimit të vizave amerikane nga qytetarët e Kosovës dhe si veprohet në rastet e tilla?

Corteville:
Fatkeqësisht shumë kosovarë që marrin një vizë nuk kthehen nga Amerika. Mendoj që u pëlqen shumë Amerika. Kur filluam me dhënien e vizave për të moshuarit, ne bëmë disa analiza dhe konkludimi ishte se asnjë person nuk e keqpërdori vizën, të gjithë shkuan për vizitë 4, 5 apo 6 muaj në Amerikë, kaluan pak kohë me të afërmit e tyre dhe u kthyen në Kosovë. Prandaj, ne aprovojmë shumë viza për këtë kategori të qytetarëve. Por për grupet tjera situata është më ndryshe dhe fatkeqësisht duhet të jemi shumë më striktë, por edhe Ligji i Emigrimit është i tillë dhe jo të gjithë aplikantët kualifikohen për t’u pajisur me viza.

Zëri: Javë më parë në mediet kosovare ka qenë kryelajm mosdhënia e vizës amerikane për kryeministrin e Kosovës z. Ramush Haradinajt. Pse nuk i është dhënë viza amerikane shefit të Qeverisë së Kosovës?

Corteville:
Nuk mund të komentojmë për vizat individuale, por të gjithë aplikantët marrin një përgjigje ose zakonisht është një moment kur aplikantët kanë një intervistë në Ambasadë dhe marrin një përgjigje në atë moment, por ndonjëherë për shkak të procedurave administrative përgjigjja mund të zgjasë një javë, një muaj, 2 muaj dhe ndonjëherë proceset zgjasin shumë kohë dhe nuk mund të marrim një vendim përfundimtar në atë moment. Për vizat individuale nuk mund të komentoj, por çdo aplikim është i ndryshëm dhe ne analizojmë, marrim një vendim nëse aplikanuesi kualifikohet për vizë dhe nëse i plotëson kriteret apo jo.

Zëri: Janë të rralla rastet kur liderëve shtetërorë Amerika ua refuzon apo nuk u jep viza. A ka të bëjë kjo me qëndrimin e kryeministrit Haradinaj për Demarkacionin dhe për Gjykatën Speciale?

Corteville:
Situatat individuale nuk mund t’i komentoj, por në përgjithësi kur dikush aplikon për një vizë ndonjëherë ka një debat brenda Ambasadës nëse personi ose aplikuesi kualifikohet për vizën ose jo. Jo të gjithë që aplikojnë për vizën marrin një vizë, edhe për vizat turistike, edhe për ato zyrtare. Por për rastet individuale nuk komentoj.

Zëri: A i është refuzuar viza edhe ndonjë politikani tjetër kosovar apo vetëm z. Haradinajt, nëse po cilit?

Corteville:
Mund të them që jo të gjithë ata që aplikojnë për vizë zyrtare marrin një vizë. Ndonjë aplikant ka ndonjë ndalesë ligjore, kur ne nuk mund të shtypim një vizë, ndonëse në disa raste ka një përjashtim. Por, meqenëse çdo individ është ndryshe dhe çdo aplikant ka një situatë individuale varet shumë nga individi. Ne nuk bëjmë vendime të përgjithshme për të gjithë, çdo aplikant është i ndryshëm.

Zëri: Ambasadori Delawie ditë më parë paralajmëroi liderët kosovarë se nëse vazhdojnë me iniciativën për shfuqizimin e Gjykatës Speciale do të merren masa të rrepta ndaj tyre. Për çfarë masash bëhet fjalë, për mosdhënie të vizave, apo?

Corteville:
Momentalisht nuk i kemi caktuar masat individuale. Është një diskutim që po ndodh brenda Ambasadës, por ne shpresojmë që këshilla jonë do të dëgjohet. Mosdhënia e vizave është një ndër masat që mund të merret, por varet nga situata politike.

 

Zëri: A janë pajisur me vizë amerikane presidenti Thaçi, kryeparlamentari Veseli dhe politikanët tjerë që janë ftuar për të marrë pjesë në “Lutjet e Mëngjesit” në Washington?


Corteville: Nuk mund të them se kush ka një vizë dhe kush nuk ka. Duhet t’i pyesni ata nëse duan të komentojnë nëse kanë një vizë apo jo, pasi që është drejtë e tyre. Por si konsull nuk mund të them kush ka e kush nuk ka vizë.

 

 

Këtë vit përurohet objekti i ri i Ambasadës Amerikane

 

 

Zëri: Kur do të jetë i gatshëm për stafin objekti i ri i Ambasadës Amerikane në Prishtinë dhe a do të marrin pjesë në përurimin e tij zyrtarë të lartë nga SHBA-ja?



Corteville: Do të jetë i gatshëm këtë vit, por ende nuk është caktuar një datë. Meqenëse nuk kemi një datë ende nuk ka një plan, por ne duhet të planifikojmë shumë gjëra sepse një lëvizje e tillë është një punë shumë e madhe. Javën e kaluar u hap në Londër ambasada e re dhe ishte një eveniment shumë i rëndësishëm, por ne në seksionin konsullor kemi shumë punë sepse nuk është vetëm lëvizja nga një objekt i Ambasadës në tjetrin që të ofrojmë të gjitha shërbimet e vizave. Duhet të dimë si do t’i pranojmë pagesat për shërbimet e vizave, si do të kalojë stafi këtu, është një punë shumë e madhe, por ne jemi shumë të entuziazmuar në këtë drejtim. Mendoj që do të jetë një hap shumë i mirë për kosovarët që do të mundë të aplikojnë për vizë këtu në Prishtinë dhe nuk do të duhet të shkojnë në një vend tjetër.


Zëri: Cili është mesazhi juaj për qytetarët e Kosovës që dëshirojnë të marrin vizë amerikane?


Corteville: Mesazhi im është që ata nuk duhet të shqetësohen kaq shumë, të gjithë shqetësohen shumë, sepse ne i trajtojmë të gjithë aplikantët me shumë respekt. Ata kanë të drejtë për një intervistë me një konsull, ne flasim shqip dhe është një proces i lehtë.