Prapaskenat për humbjen e 63 milionë eurove me ''Bechtel''-in

Ekonomia January 22, 2018 - 07:49

Ministri Pal Lekaj nesër do ta prezantojë një raport para Komisionit Parlamentar për Zhvillim Ekonomik se si shteti i Kosovës rrezikon t’i humbë 63 milionë euro në projektin e autostradës “Arbër Xhaferi”. Gazeta “Zëri” ka arritur ta sigurojë raportin

Më 30 shtator 2016 ish-ministri i Infrastrukturës, Lutfi Zharku, ia kishte drejtuar një kërkesë të pazakontë shefit të tij Isa Mustafës.

Në kërkesë Zharku kërkonte që Qeveria e Kosovës të aprovonte një aneks-kontratë për zgjatje prej një viti të punimeve për autostradën Prishtinë - Hani i Elezit.

Kërkesa bazohej në faktin se Ministria nuk kishte arritur t’i kryente të gjitha obligimet financiare ndaj kompanisë ndërtuese “Bechtel-Enka”.

Në bazë të një raporti konfidencial të ministrit aktual të Infrastrukturës, Pal Lekaj, të cilin ka arritur ta sigurojë gazeta Zëri, Ministria e udhëhequr asokohe nga Lutfi Zharku fillimisht e kishte arritur një marrëveshje me kompaninë me një kosto shtesë prej 14.8 milionë eurosh.

Kjo kosto përfshinte afatin shtesë njëvjeçar me kërkesë të Qeverisë së Kosovës, që kompania së bashku me stafin dhe makineritë do të duhej të qëndronte në Kosovë.

Megjithatë e njëjta kërkesë, sipas këtij raporti një kopje të të cilit e posedon gazeta “Zëri”, nuk u mor parasysh nga ish-kryeministri Isa Mustafa.

Ai kërkesën e ktheu mbrapsht me arsyetimin së përgjegjëse për aprovimin e saj është Komiteti Drejtues Ndërministror për Autostradën R6, Prishtinë - Hani i Elezit. Kryesues i këtij Komiteti asokohe ishte vetë ministri Lutif Zharku, i cili sikurse edhe shefi i tij refuzoi ta vendosë nënshkrimin në aneks-kontratë.

Këto dy refuzime, sipas raportit të ministrit Lekaj, bën që kompania “Bechtel-Enka” të dalë pas një viti me pretendimin prej 63 milionë eurosh.

“Kështu, më 30 shtator 2016 kryesuesi i Komitetit Ndërministror, ish-ministri Lutfi Zharku, kishte kërkuar nga Qeveria aprovimin e aneksit të kontratës për zgjatje të afatit për përfundimin e punimeve deri më 31.12.2018 me një kosto prej 14,778,654,78 eurosh, por Qeveria e kishte kthyer mbrapa këtë kërkesë, duke u arsyetuar se për këtë duhet të vendosë vetë Komiteti Ndërministror”, thuhet në raportin “Pretendimet për penale të kontraktuesit ‘Bechtel-Enka’ ndaj Qeverisë së Kosovës, lidhur me ndërtimin e autostradës “Arbër Xhaferi”.

Në raport më tej thuhet se që nga ajo kohë e deri më datën 27 shtator 2017, kur është nënshkruar marrëveshja për zgjatjen e përfundimit të punimeve deri më 31.12.2018, nuk ishte ndërmarrë asnjë veprim. Marrëveshja për zgjatjen e afatit të kontratës ishte nënshkruar pa u definuar kostoja financiare.

“Kjo kosto ishte diskutuar në mes të palëve, kontraktonit e Qeverisë dhe ishte dakorduar të jetë në shumën prej 14,778,653.87 eurosh, por nuk ishte marrë vendim nga Komiteti Ndërministror”, thuhet në raport.

Ndryshe kontrata në mes të Ministrisë së Infrastrukturës dhe kompanisë fituese “Bechtel-Enka” për ndërtimin e autostradës “Arben-Xhaferi”, traseja Prishtinë - Hani i Elezit planifikohej të përfundohej më 20 janar 2018. Mirëpo për shkak të vonesave nga Qeveria e Kosovës në pagesa, kjo kërkoi që afati të shtyhej edhe një vit, saktësisht deri më 31.12.2018.

Gazeta “Zëri” ka provuar të marrë një prononcim nga ish-ministri Lutfi Zharku, por telefoni i tij ka qenë i paqasshëm. Ndërsa më herët për medie Zharku e kishte pranuar se gjatë mandatit të tij me kompaninë është diskutuar vetëm për 14.8 milionë euro kosto shtesë. 

“Ne kemi folur për 14.8 milionë euro, propozimi është në Qeveri për shkak të shtyrjes së afatit të punimeve. Le të tregojë Pali se si i ka bërë 63 milionë euro”, u pat përgjigjur Zharku akuzave të pasardhësit të tij në Ministri. Madje Zharku e ftoi ministrin Lekaj që për të gjitha pretendimet për shkelje t’i drejtohet Prokurorisë.

Pretendimet e “Bechtel”-it dhe vonesat e Qeverisë

Por në raportin e ministrit Lekaj thuhet së marrëveshja me kosto prej 14.8 milionë eurosh nuk u aprovua asnjëherë nga Qeveria e kaluar.

Si pasojë e këtyre vonesave për më shumë se një vit nga Qeveria e Kosovës kompania ndërtuese “Bechtel-Enka” në fund të muajit nëntor 2017 dorëzoi një dokument në Ministri me pretendimin prej 63 milionë eurosh. Kompania pretendimin e bazoi në emër të zgjatjes së kontratës në më shumë se një vit.

Kështu për pagesën dhe për mbajtjen e personelit menaxhues të nevojshëm për administrimin e projektit “Bechtel” kërkoi 16.6 milionë euro, për pajisjet të cilat do të duhej të përdoreshin gjatë kësaj periudhe kërkoi 30.8 milionë euro, ndërsa 10 milionë euro tjera për ndërprerjet e shkaktuara gjatë periudhës 2014-2017.

“Është fakt i pamohueshëm se Qeveria e Republikës së Kosovës nuk i ka bërë pagesat e nevojshme për shpenzimet e ndërtimit ndaj kontraktonit sipas planit të pagesave”, thekson ministri Lekaj në raportin e tij.

Sipas këtij raporti, në vitin 2014 është dashur të paguhen 70 milionë euro, por janë paguar vetëm 55.4 milionë euro apo 21 për qind më pak sesa pagesat e planifikuara.

Në vitin 2015 është dashur të paguhen 220 milionë euro, janë paguar 112.1 milionë euro (në fillim të vitit janë alokuar vetëm 90 milionë euro), ose 59 për qind më pak sesa është planifikuar. Ndërsa në vitin 2016 nga 205 milionë euro sa ishte me kontratë, u paguan vetëm 155.9 milionë euro (në fillim të vitit janë alokuar vetëm 108 milionë euro), ose 42 për qind më pak sesa ishte planifikuar.

“Nga sa shihet më lart, Qeveria e Kosovës si autoritet kontraktues, ka shkaktuar vonesa në pagesat e planifikuara të cilat në mënyrë të drejtpërdrejtë kanë ndikuar në vonesë për realizimin e punimeve sipas planit dhe kanë rezultuar me nevojën e detyrueshme për zgjatjen e afatit të kontratës dhe rrjedhimisht edhe të kostos shtesë për këtë periudhë kohore”, thuhet tutje në raport.

Lekaj paralajmëron Arbitrazh për 63 milionët

Pas daljes së këtij problemi ministri Lekaj në këtë raport tregon se është takuar me përfaqësuesit e kompanisë, por ka pranuar se ka qenë e vështirë t’i ballafaqojë argumentet e “Bechtel”-it.

Lekaj thotë se në një situatë të tillë Ministria e Infrastrukturës është në gjendje të vështirë për të mbrojtur qëndrimin e saj kundër pretendimeve të kontraktuesit.

“Zgjatja e kontratës është pasojë e vonesës së pagesave të Qeverisë, me të cilën është shkaktuar pengesë në produktivitetin e kontraktorit gjatë viteve 2014 – 2016. Zgjatja e afatit të kontratës është kërkuar nga Qeveria dhe është dakorduar edhe nga kontraktori, por Qeveria asnjëherë nuk e ka materializuar këtë me një vendim”, thotë ministri Lekaj, tek citohet në raport.

Rrjedhimisht, sipas tij, Ministria e Infrastrukturës për shkak të mosgatishmërisë së ish- ministrit Zharku dhe të Qeverisë për të marrë vendim për zgjatje të afatit të kontratës me një çmim prej 14.8 milionë eurosh, tani duhet të bisedojë dhe të dakordohet me kontraktuesin për një çmim shumë më të lartë. Madje nëse nuk do të ketë pajtim me kompaninë kjo çështje shumë lehtë mund të përfundojë edhe në Arbitrazh.

“Në rast të mosdakordimit për kosto shtesë të zgjatjes së afatit të kontratës, Qeveria e Kosovës rrezikon që kjo çështje të përfundojë para Arbitrazhit Ndërkombëtar të Odës Ndërkombëtare Tregtare (Internation Chamber of Commerce) në Vjenë të Austrisë, e cila është kompetente për zgjidhjen e kontestit të cilësdo natyrë qoftë në mes të palëve duke aplikuar të drejtën themelore të Anglisë dhe të Uellsit, sipas kontratës së nënshkruar nga Ministria e Infrastrukturës dhe kontraktori”, thotë Lekaj në këtë raport.

Ministri të martën në “interpelancë”

Këtë raport ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, do ta shpalosë të martën në mbledhjen e Komisionit për Zhvillim Ekonomik, të cilët kanë kërkuar nga ai të paraqesë në detaje gjithë problematikën.

Gazeta “Zëri” mëson se në fillim të muajit mars Qeveria e Kosovës, përkatësisht Ministria e Infrastrukturës, duhet t’ia paguajë shumën prej 63 milionë eurove në formë penalltie kompanisë “Bechtel-Enka”, e cila po e ndërton autostradën Prishtinë - Shkup. Krejt kjo nëse nuk ka ndonjë marrëveshje paraprake mes të dyja palëve.

Kjo gjë i ka vënë në veprim disa deputetë të Komisionit për Zhvillim Ekonomik të Kuvendit të Kosovës. Ata kërkuan gjatë kësaj jave që sa më parë të bëhen publike detajet e këtij rasti.

“Çështja e dënimit nga ‘Bechtel-Enka’ duhet të trajtohet me shumë seriozitet nga ne si Komision. Mbajmë përgjegjësi të gjithë për këtë punë. Unë propozoj që t’i bëjmë kërkesë ministrit që të vijë në Komision me dokumentacionin përkatës rreth detajeve të kësaj penalltie dhe asaj se pse ka arritur puna deri këtu”, ka thënë Mimoza Kusari-Lila në mbledhjen e këtij Komisioni

Kusari-Lila ka kërkuar me urgjencë nga Sekretaria e Komisionit që t’i bëjnë kërkesë ministrit Lekaj për dokumentacionin e nevojshëm.

“Deri në mars është afati kur duhet të kryhet ky obligim ndaj ‘Bechtel’-it. Andaj nëse nuk ndërmarrim diçka, të gjithë jemi fajtorë”, ka pohuar Kusari-Lila. 

Për shumën prej 63 milionë eurosh, të cilën zyrtarët e kompanisë po e cilësojnë si kosto shtesë e jo penallti, Ministria e Infrastrukturës ka qenë e informuar me kohë. Por nuk ka ndërmarrë asnjë veprim.

Ndërkaq momentalisht të dyja palët janë duke negociuar për gjetjen e një modaliteti rreth pagesës së borxhit. Ministria e Infrastrukturës po kërkon që kjo shumë të ulet, derisa nga kompania “Bechtel-Enka”, ndonëse e kanë konfirmuar se janë në bisedime, qëndrojnë prapa shumës prej 63 milionë eurove.

Ela Ruci, zëdhënëse e “Bechtel-Enka”-s, ka thënë më herët për “Zërin” se shuma prej 63 milionë eurove nuk është penallti, por, “kosto aktuale”.

“Ne kemi informuar Ministrinë e Infrastrukturës mbi koston për vonesat dhe ndryshimet në planifikimin dhe në ekzekutimin e projektit në 2.5 vjetët e kaluar, e cila është rreth 63 milionë euro. Ne do të punojmë me Ministrinë e Infrastrukturës, si gjithnjë për të arritur një marrëveshje”, ka thënë Ruci.

Image