Opozita nuk pret rezultate nga dialogu

Aktuale January 06, 2018 - 08:02

Pavarësisht se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë tash e tutje do të zhvillohet në nivel presidentësh, opozita e vendit vazhdon ta kundërshtojë një gjë të tillë, duke thënë se dialogu duhet të vazhdojë të udhëhiqet nga Qeveria e vendit, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Pavarësisht kësaj, përfaqësuesit e opozitës gjithashtu shprehen pesimistë lidhur me të arriturat dhe me zhvillimin që mund ta ketë ky dialog, sepse, siç thonë ata, Serbia nuk është e interesuar që t’i zbatojë marrëveshjet e arritura deri më tani dhe pa i zbatuar ato ata rekomandojnë që të mos bisedohet më tutje.

LEXO EDHE: Antiamerikanët!

Se ky dialog do të kalojë në nivel presidentësh tash e tutje e ka konfirmuar edhe Bashkimi Evropian, i cili përmes një komunikate (pas takimit të shefes së diplomacisë së BE-së Frederika Mogerini me kryeministrat e Ballkanit Perëndimor) pati bërë të ditur se në takim është theksuar rëndësia e diskutimeve ndërmjet dy presidentëve: Hashim Thaçit e Aleksandar Vuçiqit, për ta çuar përpara dialogun.

Por, pavarësisht kësaj, ende nuk është caktuar ndonjë datë se kur pritet të vazhdojë ky dialog.

LEXO PO ASHTU: Dorëheqjet e njëpasnjëshme në ''Vetëvendosje''

Në anën tjetër, presidenti Thaçi tashmë ka bërë me dije se do ta krijojë një grup të unitetit në këtë fazë, ku përfshihet edhe opozita, shkruan tutje "Zëri".

Por, ata vazhdojnë të potencojnë se Thaçi nuk është njeriu i duhur për ta çuar përpara dialogun.

Madje sipas opozitës Thaçi është personi më i padenjë për ta udhëhequr këtë dialog për vetë faktin se, sipas tyre, në shumicën e veprimeve të tij politike ai ka marrë vendime jo të duhura për Kosovën.

Kusari Lila: Të caktohen afate për plotësimin e marrëveshjeve të arritura

Deputetja dhe udhëheqësja e Alternativës, Mimoza Kusari Lila, në një prononcim për “Zërin” ka thënë se dialogu si i tillë ka pasur probleme nga të dyja palët dhe si i tillë nuk duhet të vazhdojë me të njëjtën formë.

Ajo konsideron se duhet të caktohen afate për plotësimin e marrëveshjeve të arritura midis dy shteteve.

“Dialogu ka pasur defekte të dyanshme, ka pasur defekte brenda procesit në Kosovë, mënyra sesi është biseduar, si janë marrë vendimet dhe natyrisht ka pasur defekte edhe në raport me implementimin e marrëveshjeve të arritura në Bruksel”, ka thënë Kusari Lila.

Kusari Lila, duke thënë se një numër i konsiderueshëm i marrëveshjeve janë arritur me anë të dialogut mes dy shteteve, tha edhe se këto marrëveshje lënë çdo ditë pasoja për Kosovën, si dhe vlerëson “që dialogu duhet të vazhdojë, por me një strukturë tjetër dhe me një konsensus më të gjatë”.

E pyetur se a e përkrah ajo kalimin e këtij dialogu në nivel të presidentit Thaçi, ajo tha se nuk e përkrah, pasi që konsideron se një gjë e tillë ka ndodhur njëanshëm, Thaçi individualisht ka vendosur që ai duhet me qenë bartës për dialog pa e përcjellë në Kuvend.

“Nuk pajtohem me formën se si presidenti ka vendosur që ta vazhdojë dialogun pa e thirrur në Kuvend fare, pa marrë vendime në Kuvend”, ka thënë Kusari Lila.

Sipas saj, duhet të bëhet një definim i saktë i marrëveshjeve të arritura në fazat e implementimi, si dhe pa u dakorduar në afate të implementimit të plotë të marrëveshjeve të arritura deri më tash nuk duhet të bisedohet për marrëveshje të reja, sepse, vijon Lila, “ato po bëhen vetëm në letër dhe nuk po kanë një efekt të normalizimit të jetës në Kosovë”.

Abdyli: Thaçi, njeriu më pak i duhur për ta udhëhequr dialogun

Ndërsa Haxhi Abdyli, deputet nga Lidhja Demokratike e Kosovës, ka thënë se ndryshe nga shteti serb, Kosova nuk i ka arritur qëllimet e veta përmes këtij dialogu.

“Kosova gjatë këtij dialogu nuk ka arritur objektivat e veta, të cilat janë paraparë, mendoj që ky dialog deri më tash nuk ka qenë ndonjë sukses i madh. Serbia ka përparuar shumë më shumë, sepse ka arritur të integrohet shumë më shumë se ne, ndërsa Kosova me fajin edhe të klasës politike nuk i ka arritur objektivat e integrimeve evropiane”, ka thënë Abdyli.

Kalimin e dialogut në nivel presidentësh nuk e përkrah as Abdyli, pasi që, sipas tij, Hashim Thaçi në të shumtën e rasteve ka marrë vendime të dëmshme për shtetin e Kosovës.

“Vendimi i Qeverisë së Kosovës që Hashim Thaçi të jetë udhëheqës i këtij dialogu është i gabueshëm, sepse mendoj që Qeveria gjithmonë ka udhëhequr dialogun, por është edhe ajo që i merr vendimet dhe e implementon produktin e dialogut. Duke marrë parasysh që Thaçi gjithmonë ka treguar që nuk është njeri serioz dhe e ka humbur besimin e popullatës me vendimet e veta, të cilat shpeshherë i merr, është njeriu më pak i duhur për ta udhëhequr këtë dialog, sepse pasojat e veprimeve të tij politike shpeshherë kanë qenë të dëmshme për Kosovën”, ka thënë Abdyli.

Sipas tij, përderisa nuk implementohen marrëveshjet e vjetra nuk kemi nevojë për marrëveshje të reja.

“Kosova duhet t’i japë ultimatum edhe bashkësisë ndërkombëtare, edhe Serbisë, që marrëveshjet e deritashme të implementohen në mënyrë që të shikohet edhe për marrëveshje të reja. Serbia vetëm ato që i konvenojnë po i zbaton, por jo edhe ato që nuk i konvenojnë”, ka theksuar Abdyli.

Kurteshi: Serbia nuk diskuton në mënyrë të barabartë

Sami Kurteshi, deputet nga lëvizja “Vetëvendosje”, duke folur për dialogun Kosovë-Serbi, ka bërë të ditur se “Vetëvendosja” është kundër një dialogu të tillë, pasi që qysh nga fillimi nuk i ka sjellë ndonjë sukses të dukshëm Kosovës.

“Dialogu Kosovë-Serbi deri tani nuk ka prodhuar ndonjë gjë pozitive, sepse është filluar mbrapsht edhe do të përfundojë mbrapsht. Presidentin nuk e ka autorizuar askush për t‘i kaluar këto faza, askush nuk është i informuar, nuk ka kurrfarë transparence dhe nuk ka kurrfarë qëllimi e as kurrfarë afati”, ka thënë Kurteshi.

Ai gjithashtu ka thënë se lëvizja “Vetëvendosje” ka qenë kundër dialogut si i tillë si është, si dhe ka shtuar se Kosova deri më tani nuk ka përfituar ndonjë gjë pozitive prej krejt kësaj.

“Ky dialog nuk mundet të zhvillohet në këtë gjendje politike, Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, nuk do të diskutojë në mënyrë të barabartë. Kosova është në pozitën më të pafavorshme të mundshme dhe ne mendojmë që ky dialog është veç i dëmshëm për Kosovën”, ka shtuar Kurteshi.

Sipas tij, i tërë dialogu si i tillë zhvillohet për Kosovën dhe jo për rregullimin apo për përmirësimin e marrëdhënieve midis dy shteteve, dialogohet për Kosovën, për ndarjen dhe shkatërrimin e saj, prandaj edhe thotë ai se partia e tij është kundër.

Ismajli: Të bëhet afatizimi i procesit të dialogut

Ndërsa Dashnim Ismajli, njohës i çështjeve politike të vendit, thotë se dialogut i duhet një qasje tjetër që të sjellë rezultate të mira për Kosovën.

“Së pari dialogut Kosova duhet t’i qaset ndryshe, duke bërë edhe afatizimin e tij dhe duke ndjekur një rrugë konkrete që do të sillte rezultate të mira dhe të pranueshme për vendin tonë. Duhet ta bëjë një qasje direkte dhe konkrete në kërkesat e saja drejtuar BE-së dhe palës serbe”, ka thënë ai.

Sipas tij, i tërë dialogu do të duhej të bëhej në pozita të njëjta nga të dyja shtetet si shtete të pavarura.

“Dialogu duhet të rrjedhë në një linjë të njëjtë sikur dialogohet ndërmjet dy vendeve sovrane, andaj edhe tematikat që do të shtrohen në dialog duhet të rezultojnë me një epilog zbatueshmërie në përgjithësi të atyre marrëveshjeve që do të arrihen dhe të jenë të qëndrueshme gjithashtu dhe në favor të dy vendeve si vende fqinje”, ka thënë Ismajli.

Ai gjithashtu shtoi se duhet t’i bëhet e qartë edhe Unionit Evropian në mosfavorizimin e palëve dhe në të kundërtën e saj të ushtrojë presion më të madh tek palët, respektivisht tek pala serbe për t’i zbatuar të gjitha marrëveshjet e arritura paraprakisht.