Dorëheqjet e njëpasnjëshme në ''Vetëvendosje''

Aktuale January 06, 2018 - 07:54

Vetëm një ditë pasi deputeti i “Vetëvendosjes”, Dardan Sejdiu, dha dorëheqje prej pozitave drejtuese të partisë, postet udhëheqëse gjatë ditës së djeshme i lëshoi edhe deputetja tjetër e këtij subjekti, Shqipe Pantina.

Dorëheqjet e njëpasnjëshme prej pozitave brenda partisë nisën të vijnë pas shpërfaqjes së problemeve të brendshme, pikënisjen e të cilave e shënoi publikimi i disa bisedave private mes deputetëve, ku deputetja Aida Dërguti shihej ta ketë ofenduar ish-liderin, Albin Kurti, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Vetëm tri ditë pas publikimit të bisedës Dërguti ishte dorëhequr nga të gjitha pozitat drejtuese të partisë.

Ndërkohë, në shenjë mospajtimi me ndodhitë e fundit të njëjtin veprim në fillim të kësaj jave e bëri edhe Visar Ymeri, i cili deri atëherë ishte në pozitën e kryetarit të partisë.

LEXO EDHE: Antiamerikanët!

Ndërkaq gjatë ditës së djeshme, pos Pantinës, dorëheqje dha edhe anëtari i Kryesisë së “Vetëvendosjes”, Zgjim Hyseni.

Pantina: Shpifjet më kanë bërë të besoj se LVV-ja nuk është ajo së cilës i jam bashkuar

Deputetja e LVV-së, Shqipe Pantina, ka konfirmuar dje për gazetën Zërise ka dhënë dorëheqje nga të gjitha pozitat drejtuese të partisë.

E ndonëse nuk ka dashur të komentojë më shumë rreth kësaj, Pantina përmes letrës së dorëheqjes ka thënë se një vendim të tillë e ka marrë pas zhvillimeve të fundit që kanë ndodhur brenda subjektit.

“Me anë të kësaj letre jua bëj me dije se unë jap dorëheqje të parevokueshme nga pozita e kryetares së qendrës së LVV-së në Klinë dhe nga pozita e anëtares së Këshillit të Përgjithshëm të LVV-së. Zhvillimet e fundit në lëvizjen ‘Vetëvendosje’, shpifjet, insinuatat e linçimet e vazhdueshme gjatë vitit të fundit e që u shpërfaqën publikisht e masovikisht në muajt e fundit më kanë bërë të besoj se lëvizja ‘Vetëvendosje’ nuk është ajo së cilës unë i jam bashkuar në vitin 2014”, thuhet në letrën e dorëheqjes.

Sipas saj, zhvillimet e fundit kanë lënë të kuptohet se nuk ka gatishmëri që brenda lëvizjes ‘Vetëvendosje’ të diskutohen idetë që janë të ndryshme prej themeluesve të partisë.

Haxhiu: Vetëm kur ndonjëri jep dorëheqje nga pozita e deputetit do ta marr seriozisht

Ndërkaq vetëm pak pasi u bë e ditur dorëheqja e Pantinës, reagoi deputetja tjetër e këtij subjekti Albulena Haxhiu, e cila tha se dorëheqjet e fundit nuk i merr seriozisht përderisa personat në fjalë nuk lëshojnë postin e deputetit.

“Vetëm kur ndonjëri jep dorëheqje nga pozita e deputetit betohem se do të filloj ta marr seriozisht. Më falni, por këto letrat copy paste nuk mundem as t’i lexoj. Janë false dhe me porosi e tendencë”, tha ajo.

Ndërkaq pak orë pas dorëheqjes së Shqipe Pantinës një gjë të tillë gjatë ditës së djeshme e bëri edhe anëtari i Kryesisë së LVV-së, Zgjim Hyseni.

Në letrën e tij Hyseni ka bërë të ditur se për shkak të situatës së fundit nuk mund të vazhdojë të jetë anëtar i Kryesisë më tutje.

“Nga sot jap dorëheqje të parevokueshme nga detyra e anëtarit të Kryesisë së Lëvizjes. Në gjendjen që është krijuar unë nuk mund ta vazhdoj më punën në Kryesinë e lëvizjes ‘Vetëvendosje’. Jam përpjekur që mospajtimet e mia t’i shpreh përmes diskutimeve në forumet e Lëvizjes, duke përfshirë Kryesinë, por kam parë veçse veshë të shurdhër. Pas një fushate sistematike të shpifjeje, linçimeve e etiketimeve dhe pas një mungese të pabesueshme vullneti që këto probleme të adresohen drejt, e vetmja rrugë kundërshtimi më duket dorëheqja”, ka thënë ai nëpërmjet letrës së dorëheqjes.