Antiamerikanët!

Aktuale January 06, 2018 - 07:47

Insistimi për ta shfuqizuar Ligjin për Gjykatën Speciale tashmë ka cenuar raportet me bashkësinë ndërkombëtare. Madje çdo hap i mëtutjeshëm në drejtim të shfuqizimit të këtij ligji do ta vërë në rrezik Kosovën, duke e izoluar atë në aspektin ndërkombëtar. Kështu konsiderojnë njohësit e çështjeve politike, të cilët thonë se kërkesa për ta zhbërë Specialen ka ardhur kryekëput për interesa personale, jo shtetërore, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Insistimi për ta shfuqizuar Ligjin për Gjykatën Speciale tashmë ka cenuar raportet me bashkësinë ndërkombëtare. Madje çdo hap i mëtutjeshëm në drejtim të shfuqizimit të këtij ligji do ta vërë në rrezik Kosovën, duke e izoluar atë në aspektin ndërkombëtar.

Kështu konsiderojnë njohësit e çështjeve politike, të cilët thonë se kërkesa për ta zhbërë Specialen ka ardhur kryekëput për interesa personale, jo shtetërore.

Nga ana tjetër, deputetët që me anë të nënshkrimeve të tyre kanë kërkuar shfuqizimin e kësaj gjykate kanë thënë se tashmë janë duke pritur që të thirret mbledhja nga Kryesia e Kuvendit lidhur me këtë çështje, shkruan tutje "Zëri".

Kurse nga Kryesia kanë bërë të ditur se ende nuk ka ndonjë njoftim se kur do të mbahet mbledhja e radhës.

Ndërkohë, përderisa nga lëvizja “Vetëvendosje” kanë deklaruar se do ta mbështesin zhbërjen e Speciales, përfaqësuesit e LDK-së një ide të tillë e kanë cilësuar si shkatërrim të gjithë asaj çka është bërë deri më tani.

Pos SHBA-së, lidhur me këtë çështje kanë reaguar edhe shtetet e QUINT-it, të cilat kanë bërë thirrje që pala kosovare të tërhiqet përfundimisht nga ideja e shfuqizimit të Dhomave të Specializuara.

Hasani: Kërkesa ka shkuar në Kuvend, presim nga Kryesia të marrë vendim

Deputeti i PDK-së, Nait Hasani, prijësi i listës së deputetëve që kërkuan shfuqizimin e Gjykatës Speciale, duke mos dashur të flasë rreth reagimeve të ashpra të ndërkombëtarëve, ka thënë se pret nga Kryesia që të marrë vendim lidhur me kërkesën e tyre.

“Më 22 dhjetor kërkesa ka shkuar në Kuvend, presim nga Kryesia të marrë vendim”, ka thënë shkurt Hasani.

Ndërkaq Teuta Haxhiu, deputete e AAK-së (po ashtu njëra prej 43 deputetëve që kanë nënshkruar pro shfuqizimit të Gjykatës Speciale), ka thënë se ndonëse është vonë më mirë është të shfuqizohet kjo gjykatë.

Sipas Haxhiut, duhet të krijohet një gjykatë në Kosovë për t’u marrë me ata për të cilët pretendohet se kanë kryer krime. Me këtë rast ajo u ka bërë thirrje liderëve të partive që të mos mendojnë vetëm për interesa politike, por të vendosin për interes të vendit sa i përket kësaj çështjeje.

“Tani i mbetet Kryesisë, unë personalisht po thërras që të mblidhen krerët e partive, anëtarët e Kryesisë të mos mendojnë vetëm politikisht, por të mendojnë njëherë se nëse e duan vendin tonë edhe miqtë ndërkombëtarë do të na duan edhe më shumë”, është shprehur Haxhiu për “Zërin”.

Kryesia s’ka ende njoftim për mbledhje

Pavarësisht këtyre, nënkryetari i Kuvendit të Kosovës Xhavit Haliti ka thënë se ende nuk ka asnjë njoftim se kur do të mbahet mbledhja e Kryesisë lidhur me caktimin e seancës për shfuqizimin e Speciales.

“Jo, unë nuk kam asnjë njoftim që kemi mbledhje. Mbledhjet e Kryesisë i thërret kryetari”, ka deklaruar ai.

Duke folur rreth mundësisë që  Ligji i Gjykatës Speciale të shfuqizohet, Haliti ka thënë se krejt kjo varet nga deputetët.

“Të shohim, t’i bëjmë analizat, varet nga deputetët. Varet shumë nga qëndrimet që do t’i kenë partitë politike, grupet parlamentare”, është shprehur Haliti për “Zërin”.

Kundërshtimi i ashpër i ndërkombëtarëve

Mirëpo, pavarësisht tyre, bashkësia ndërkombëtare ka reaguar disa herë qysh prejse deputetët morën iniciativën për zhbërjen e Speciales (22 dhjetor të vitit të shkuar).

Një gjë të tillë ndërkombëtarët e bënë edhe së fundi, ku kërkuan që assesi të mos ndodhë shfuqizimi.

“Kjo i vë interesat e individëve mbi interesat e shoqërisë kosovare. Ne e dënojmë një gjë të tillë dhe kushdo që mbështet një gjë të tillë do të veprojë qëllimisht kundër partneritetit të Kosovës me vendet tona. Ftojmë të gjithë liderët e Kosovës dhe deputetët e Kuvendit të Kosovës ta ngrehin zërin kundër kësaj iniciative”, thuhet në deklaratën e shteteve të QUINT-it.

Megjithëkëtë, deputeti i LVV-së Rexhep Selimi gjatë një interviste dhënë për “Zërin” ka bërë të ditur se ky subjekt do të votojë për shfuqizimin e Gjykatës Speciale.

“Lëvizja ‘Vetëvendosje’ ka të njëjtin qëndrim sikur në vitin 2015, do të vazhdojë ta kundërshtojë këtë gjykatë. Nëse nuk është thjesht një manovrim taktik apo ndoshta edhe një kërcënim i Thaçit ndaj ndërkombëtarëve, pra nëse vjen në Kuvend ne do ta votojmë shfuqizimin e saj. Këtë e bëjmë për hir të Kosovës, jo për hir të ndonjë individi”, ka thënë Selimi.

LDK: Shfuqizimi i Speciales, humbje e miqësisë me SHBA-në dhe me Evropën

Pavarësisht tij, deputeti i LDK-së Haxhi Avdyli ka thënë se shfuqizimi i Gjykatës Speciale shkatërron gjithë përparimin e Kosovës të arritur përgjatë viteve.

“Ne shtetin e Kosovës nuk mund ta personalizojmë në emër të askujt, por ne duhet t’i shikojmë interesat afatgjate, sepse rikthimi i Kosovës mbrapa në Rezolutën 1244 dhe në Këshillin e Sigurimit është një kthim mbrapa për neve dhe një shkatërrim i gjithë atij përparimi dhe në të njëjtën kohë humbje e miqësisë sonë të përhershme më SHBA-në dhe me Evropën, të cilët e kanë ndihmuar krijimin e shtetësisë”, ka deklaruar ai.

Sipas tij, tashmë është tejet vonë që të kundërshtohet kjo gjykatë. Andaj, Avdyli ka thënë se kjo iniciativë është ndërmarrë kryekëput për interesa të ngushta personale.

Mushkolaj: Shfuqizimi i Speciales izolon Kosovën

Nga ana tjetër, analisti politik Imer Mushkolaj ka thënë se kërkesa e palës kosovare për ta shfuqizuar Ligjin e Gjykatës Speciale tashmë ka cenuar raportet me bashkësinë ndërkombëtare.

“Çdo veprim tjetër do ta thellojë këtë cenimin e raporteve mes miqve ndërkombëtarë, sidomos me SHBA-në. Nuk jam duke folur thjesht për cenim të raporteve, por jam duke folur për izolim të vendit, jo izolim në kuptimin e qytetarëve çfarë e kemi tash e sa vjet, që s’mund të lëvizim të lirë, por izolim të marrëdhënieve ndërkombëtare”, ka theksuar ai.

Sipas tij, kjo rrugë që krerët institucionalë kanë zgjedhur për ta zhbërë Specialen mund të jetë shkatërruese për Kosovën.

“Pra, kjo aventura e rrezikshme e këtyre liderëve politikë, të cilët interesin personal e kanë vendosur para interesit qytetar, do të përfundojë aq keq për vendin (gjë që ata e dinë), por që po duket se  e kanë marrë seriozisht atë misionin e tyre shkatërrues për shtetin, gjithnjë duke thënë se po e respektojnë vullnetin e deputetëve. Ndërkohë që pikërisht njëri nga ta, tash president, (Thaçi), këtë vullnet deputetëve ua impononte në vitin 2015 për ta miratuar të njëjtën gjykatë”, ka shtuar ai.

Mushkolaj më tutje ka thënë se edhe po që se votohet iniciativa, Ligji për Gjykatën mund të shfuqizohet, por jo edhe vetë gjykata.

Ndërkohë, nuk ka përjashtuar mundësinë që Kuvendi të mblidhet urgjentisht edhe para se ta përfundojë pushimin (më 15 janar) lidhur me këtë çështje.