Për tre vjet mbi 14 mijë kosovarë morën shtetësinë gjermane

Aktuale December 14, 2017 - 08:09

Gjatë vitit 2015 më shumë se 5500 kosovarë kanë hequr dorë nga shtetësia, 5871 veta në vitin 2016, si dhe 4999 të tjerë kanë bërë një veprim të tillë gjatë periudhës janar-tetor 2017. Nga mbi 16 mijë kosovarë që hoqën dorë nga shtetësia, gjatë tre vjetëve të fundit mbi 14 mijë morën shtetësinë gjermane, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Mbi 16 mijë kosovarë kanë hequr dorë nga shtetësia vetëm gjatë tre vjetëve të fundit. Kjo për shkak të kushtëzimeve nga shtete të ndryshme evropiane që ta mbajnë vetëm një shtetësi.

Në vitin 2015, sipas të dhënave të Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB), kanë zgjedhur shtetësinë e huaj 5540 kosovarë, duke u deklaruar kështu jokosovarë, kurse në vitin 2016 ky numër ka arritur në 5871 dhe në vitin 2017 vetëm brenda periudhës janar-tetor 4999 veta janë regjistruar se kanë hequr dorë nga shtetësia kosovare, shkruan tutje "Zëri".

Kërkesat për heqje dorë nga shtetësia vijnë kryesisht nga Gjermania. MPB-ja bën të ditur se 14110 kosovarë në tre vjetët e fundit kanë aplikuar për lirim nga shtetësia e Kosovës, duke u deklaruar për shtetësinë gjermane.

Pas Gjermanisë, kërkesa për heqje dore nga shtetësia e Kosovës me lirim janë kosovarët, që duan të bëhen shtetas austriakë. 1469 veta janë deklaruar për shtetësinë austriake dhe jo atë kosovare.

LEXO EDHE: Presioni special

Ndërsa 260 veta kanë zgjedhur pasaportë norvegjeze në vend të asaj të Kosovës, si dhe kosovarë që jetojnë në vende të tjera janë 571 veta, që po ashtu janë deklaruar të heqin dorë nga shtetësia e Kosovës.

Sipas përgjigjes së MPB-së dhënë gazetësZëri, të gjitha procedurat e humbjes së shtetësisë së Republikës së Kosovës janë të rregulluara me Ligjin për Shtetësi dhe me udhëzimet administrative që dalin nga ky ligj.

Kosovarët bëjnë aplikim për humbje të shtetësisë personalisht në Zyrën e Gjendjes Civile apo në njërën nga përfaqësitë konsullore të Republikës së Kosovës, aty ku pala e ka vendbanimin, ndërsa për personat e mitur aplikimi bëhet përmes prindërve, ndërsa për fëmijët mbi moshën 14-vjeçare prezenca e tij është e obligueshme.

Kurse aplikacioni përcillet te Departamenti për Shtetësi, Azil dhe Mërgim, përkatësisht te Divizionin për Shtetësi, ku brenda periudhës 90-ditore merret vendimi përkatës.

Më mirë me pasaportë gjermane e austriake se të Kosovës

Analisti politik dhe njohësi i proceseve integruese, Emrush Ujkani, thotë se disa shtete me ligjet e veta e lejojnë edhe mbajtjen, por disa tjera kërkojnë humbjen e shtetësisë për ta marrë shtetësinë e re.

Ai thotë për “Zërin” se heqja e shtetësisë është punë e brendshme e shteteve dhe në njëjtën kohë edhe e drejtë individuale e secilit që të veprojë në formë të tillë.

Kjo shtrirje në përmasa më të gjera, sipas tij, vjen si rrjedhojë e mungesës së perspektivës ekonomike, si dhe kur pasaportat e një vendi ose dokumentet nuk e kanë efektin e duhur që dikush të përfitojë në kuptimin e lëvizjes së lirë. Prandaj, ai thotë se bëhen përpjekje që të gjendet një alternativë e dytë.

“Në rastin e këtyre personave vijnë në shprehje të dyja, edhe mungesa e perspektivës ekonomike, edhe pamundësia për të lëvizur lirshëm me pasaportat e Kosovës. Dhe kjo ka detyruar që të gjejnë dhe të provojnë alternativa të tjera, duke përfshirë edhe shtetësinë shqiptare...”.

Ujkani thotë se shteti austriak e ka me Kushtetutën e vet që në momentin që dikush synon ta marrë nënshtetësinë austriake duhet hequr dorë nga tjera.

“Nuk është në mënyrë uniforme, kjo çështje varion prej vendit në vend. Nuk është në mënyrë selektive vetëm për kosovarët, por vlen për të gjithë ligji”, ka thënë ai për gazetën.

Mirëpo Ujkani thotë se kjo duhet ta shqetësojë Kosovën, sepse nuk është çështje individuale apo e lokalizuar.

“Kjo është një çështje që ka marrë pak përmasa më të mëdha, sikur të ishin 20 veta apo 200 veta është çështje tjetër..., prandaj institucionet e vendit duhet të analizojnë mirë pse ka ardhur deri tek kjo dhe cilat duhet të jenë masat që mund të parandalohet në mënyrë preventive, sepse unë mendoj jo vetëm që dëmton imazhin e Kosovës, por nëse qytetarët e Kosovës fillojnë ta kontestojnë shtetësinë e këtij vendi, atëherë kjo është humbja më e madhe që kjo shoqëri mund ta ketë”, ka thënë Ujkani.

Zvicra e lejon dyshtetësinë, disa shtete të tjera jo

Dashnim Ismajli, profesor i shkencave politike, thotë se kosovarët po detyrohen të heqin dorë nga shtetësia të shtyrë nga mosperspektiva në vendin e tyre, duke kërkuar rrugë alternative për një jetë më të mirë.

Ismajli thotë se mbajtja apo jo e shtetësisë ku ka lindur personi varet nga secili shtet se si e ka të rregulluar shtetësinë. Ai thotë se Zvicra është shtet që lejon dyshtetësinë. Por, vendet tjera bëjnë të ditur se e kanë të rregulluar më ndryshe.

“Gjermania e ka moti në ligj dhe sipas ligjit je i detyruar që ta mbash vetëm njërën shtetësi”.     

Ismajli thotë se për gjatë periudhës së pasluftës numri i atyre që kanë larguar shtetësinë kosovare arrin mbi 24000 ose edhe më shumë. Por, këtu ai sqaron se nuk hyjnë ata persona që posedojnë shtetësi të dyfishtë.

“Ndikon gjendja ekonomike, sociale që rrit pasigurinë tek qytetarët dhe këto zhvillimet e pasluftës, që në sytë e diasporës shihen jo të mira dhe më shumë si regres i Kosovës për ta ndërtuar perspektivën e shtetit të konsoliduar dhe një perspektivë të qëndrueshme, ka ndikuar në largimin e shtetësisë, si dhe në marrjen e shtetësisë në vendin ku ata jetojnë”.

Ai thotë se ata që dalin nga Kosova në një vend perëndimor nuk mund të pajisen menjëherë me shtetësi.

“Shtetësia ka kushte mjaft të mëdha për t’i përmbushur. Prandaj kemi dhe një numër të madh të qytetarëve që po pajisen dhe janë pajisur me pasaportë serbe. Pajisja me këtë pasaportë u mundëson atyre të largohen nga Kosova”, ka thënë Ismajli.

KMDLNJ-ja: Kosovarët po detyrohen të heqin dorë nga shtetësia

Ndërkaq kryetari i KMDLNJ-së, Behxhet Shala, ka thënë se kjo është dukuri pothuajse në të gjitha shtetet diku më pak e theksuar e diku më shumë.

Tek kosovarët ai thotë se është e vetmja mundësi që të marrin një shtetësi tjetër, sepse as Gjermania dhe as ndonjë shtet tjetër nuk e njohin statusin e dyshtetësisë.

“Në qoftë se disa shtete ua njohin shtetësinë e vjetër dhe ua japin shtetësinë e re, me kosovarët nuk veprojnë në atë mënyrë”, thotë Shala, duke shtuar se shumica e kosovarëve për shkak të mungesës së shtetësisë nuk mund të gjejnë një vend pune, nuk kanë siguri.

Dhe kryesisht ai thotë se martohen ose më shqiptare, të cilat kanë lindur apo jetojnë në ato shtete të Evropës, në mënyrë që me njëfarë automatizimi, siç shprehet Shala, pas një procedure të caktuar e fitojnë të drejtën e bashkimit familjar dhe pastaj aplikojnë edhe për shtetësi.

“Pra, nuk është kjo që shqiptarët apo kosovarët duan vullnetarisht të heqin dorë nga shtetësia e tyre, por në njëfarë mënyre detyrimisht e bëjnë këtë, madje për shkak të shpresës se përmes heqjes së shtetësisë kosovare dhe marrjes së një shtetësie tjetër do ta krijojnë një jetë më të mirë për vete dhe për fëmijët e tyre”.

Kurse arsyeja tjetër që Shala përmend se shtyn kosovarët të heqin dorë nga shtetësia është se ka kosovarë që në perëndim kanë gjetur një vend pune dhe kanë hapur një biznes dhe vlerësojnë se atje është më mirë se këtu.

Sipas tij, ky është një numër më i vogël.

“Mirëpo këto dy pozicione, kur ata heqin dorë prej nga shtetësia, ndryshe vullnetarisht askush nuk besoj se do të hiqte dorë nga shtetësia e vet”.

Shala tha se kjo për disa shtete aplikohet dhe për disa të tjera jo.

“Shqiptarët e Serbisë, të Maqedonisë dhe të vendeve tjera, që e kanë një kredibilitet apo një aferim me të madh me shtetet evropiane apo me shtetet e Amerikës, në njëfarë mënyre edhe e kanë të drejtën për dyshtetësi, ndërkaq kosovarët privohen, madje qytetarët e Kosovës edhe kur marrin nënshtetësi kalojnë nëpër procedura shumë të mundimshme...”, ka thënë ai për gazetën.