Presioni special

Aktuale December 14, 2017 - 07:59

Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së përmes një peticioni me 10 mijë nënshkrime (që fillon këtë të premte) synon ta rikthejë Ligjin për Gjykatën Speciale në Kuvendin e Kosovës, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Kreu i kësaj Organizate, Hysni Gucati, është treguar i bindur se kjo kërkesë do të përkrahet në Kuvend, duke bërë të ditur se kanë marrë përkrahjen e një numri të madh të qytetarëve që pritet ta nënshkruajnë këtë peticion, i cili pas një jave do t’i dërgohet Kuvendit.

Në anën tjetër deputetët që kanë kundërshtuar themelimin e kësaj Gjykate në gusht të vitit 2015 kanë pohuar për Zërin se do ta përkrahin kërkesën e veteranëve.

Ndërsa nga deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës, të cilët i thanë po kësaj Gjykate, nuk kanë marrë akoma një qëndrim për këtë çështje.

LEXO EDHE: Shkëlqimi dhe rënia e 'Vetëvendosjes'

“Ne e kemi përkrahjen e të gjithë qytetarëve, pa dallim, bindjen politike. Pra edhe të atyre që merren me politikë, por nuk mund të veçoj ndonjë. Në këtë rast nuk ka dallime se a i takon pozitës apo opozitës, ne u bëjmë thirrje të gjithë deputetëve të Kuvendit të Kosovës që ditën e premte ta nënshkruajnë peticionin”, ka thënë Hysni Gucati, kryetar i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së.

Gucati është treguar i bindur që ky peticion do të përkrahet në Kuvend.

“Ky peticion do të përkrahet dhe do të merret parasysh në Kuvend sepse nuk kemi hyrë me dy mendje. Me ligj kemi të drejtë dhe nuk po kërkojmë asgjë më shumë sesa që kjo Gjykatë të bëhet e dyanshme dhe të mos mbetet e njëanshme”, përfundoi ai.

Pajaziti: PDK-ja pa qëndrim

Ndërkaq deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Zenun Pajaziti, i cili votoi pro themelimit të Gjykatës Speciale, pa dashur të komentojë mbi këtë çështje ka thënë se në PDK nuk është diskutuar ky peticion.

“Nuk mund të jap qëndrim të partisë për këtë punë pasi nuk e kemi diskutuar”, tha shkurt ai.

Kurse deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Time Kadriaj, ka thënë për gazetën “Zëri” se ajo dhe partia e saj vazhdojnë të mbajnë të njëjtin qëndrim për Gjykatën Speciale, duke e konsideruar padrejtësi ndaj Kosovës.

“Ne kemi votuar kundër formimit të Gjykatës Speciale. Arsyeja e kundërshtimit ka qenë se kjo është e padrejtë që po i bëhet Kosovës. Kjo është një kërkesë reale pasi kjo është një Gjykatë njëetnike, pasi do të duhej dënuar të gjithë ata që kanë kryer krime”, ka thënë ajo.

Deputetja e AAK-së përkrah iniciativën 

Kadriaj ka thënë se personalisht do ta përkrahë këtë peticion për ndryshimin e Ligjit për Gjykatën Speciale duke qenë e bindur se edhe të tjerët do ta përkrahin.

“Kuvendi e ka të obligueshme të trajtojë kërkesën e veteranëve. Ne po presim procedurën e nënshkrimeve dhe më pas të marrim një vendim. Nëse veteranët po mundohem të përçojnë një padrejtësi që i është bërë Kosovës me Gjykatën Speciale unë dhe të gjithë do ta përkrahim”, ka përfunduar ajo.  

Kurse avokati Arianit Koci thotë se kërkesa e veteranëve është e vonuar dhe ndryshimet në këtë rast janë të vështira.

“Kërkesa e Organizatës së Veteranëve të Luftës është e drejtë, por e vonshme. Kemi marrë obligime ndërkombëtare dhe mospërmbushja e tyre në arenën ndërkombëtare e krijon imazhin e shtetit joserioz dhe jokredibil. Mund të mbledhin 10.000 nënshkrime, por nuk besoj që diçka mund të ndryshohet”, ka thënë ai.

Koci ka thënë se i beson plotësisht drejtësisë ndërkombëtare dhe pret që vendimet të jenë të drejta.

“Gjykata Speciale ka angazhuar ajkën e juristëve ndërkombëtarë dhe pres që vendimet të jenë të drejta e të ligjshme. Besoj në drejtësinë ndërkombëtare”, tha ai për “Zërin”.

Agron Halitaj, kryeredaktor i portalit “AktivPress”, duke folur për këtë kërkesë të Veteranëve për Gjykatën Speciale ka thënë se kushdo që e ka përcjellë me vëmendje procesin e ndryshimeve kushtetuese (i cili më pas i ka hapur rrugë miratimit të Ligjit për Gjykatën Speciale) e di që ky dokument nuk është përpiluar nga faktori vendës, por nga ai ndërkombëtar.

Sipas tij, veteranët nuk do të kenë forcë për ta ndryshuar këtë ligj të ofruar nga ndërkombëtarët.