Miratohet në parim Projektligji për Prishtinën

Aktuale November 30, 2017 - 08:03

Kuvendi i Kosovës ka miratuar dje në leximin e parë Projektligjin për kryeqytetin e Kosovës, Prishtinën.

Me 61 vota pro, 1 kundër dhe 8 abstenime në seancën e djeshme të kuvendit kaloi ky projektligj, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Në seancën e djeshme u miratua po ashtu edhe Projektligji për Liritë Fetare, me ç’rast në kuadër të bashkësive fetare u shtua edhe një tjetër (ajo e Tarikateve), duke u bërë kështu gjashtë bashkësi gjithsej.

Në seancën e së mërkurës, e cila u përshkrua me debate e replika të shumta rreth këtij projektligji, u kërkuan sqarime shtesë nga Qeveria.

LEXO EDHE: Haradinaj tre muaj në Qeveri, vizat s’u hoqën

Pas kritikave të shumta nga opozita ky projektligj arriti të kalojë me shumicë minimale, me vetëm 61 vota gjithsej. E meqë pa u miratuar mbetën edhe disa pika, seanca do të vazhdojë sërish sot, duke filluar nga ora 11:00.

Ndërkaq gjatë së mërkurës në mbrëmje mbledhja e Kryesisë vendosi që seanca e radhës të mbahet më 5 dhjetor.

Në këtë seancë pritet të bëhet shqyrtimi i projektbuxhetit për vitin e ardhshëm.

Bëhen gjashtë bashkësi fetare

Në votimin e këtij Projektligji (për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit për Liritë Fetare), 4 deputetë votuan kundër dhe 13 të tjerë abstenuan.

Kryeministri Ramush Haradinaj, para votimit, njoftoi deputetët se në kuadër të këtij projektligji Kosovës i shtohet edhe një bashkësi fetare.

“Me ligjin në fuqi njihen pesë bashkësi fetare në Kosovë, të cilat përbëjnë edhe trashëgiminë historike e kulturore të vendit. Këto bashkësi janë: Bashkësia Islame e Kosovës, Kisha Ortodokse Serbe, Kisha Katolike, Bashkësia e Besimit Hebrenj dhe Kisha Protestante Ungjillore e Kosovës. Në projektligj është shtuar edhe Bashkësia e Tarikateve të Kosovës si bashkësi që përbën trashëgimi historike kulturore të vendit”, deklaroi ai gjatë prezantimit të djeshëm rreth këtij projektligji.

Haradinaj më tej tha se ky projektligj është hartuar duke u bazuar në konventat ndërkombëtare, si dhe në opinionin e Komisionit të Venedikut.

Gjatë fjalës së tij ai propozoi që të fshihet Neni i Fondeve dhe të hiqet kuota prej 50 nënshkrimesh për regjistrimin e një bashkësie.

Kjo u bë pikënisje që deputetët e opozitës të kërkonin sqarime rreth këtyre propozimeve të shefit të ekzekutivit.

Ata me këtë rast kërkuan që të propozohet një numër tjetër, në rast se hiqet 50-shi, meqë në këtë formë një bashkësi fetare mund të regjistrohet edhe me më pak se 10 anëtarë.

Konjufca: Nuk ekziston asnjë dallim ligjor në gjashtë bashkësitë fetare

Duke folur rreth kësaj çështjeje shefi i Grupit Parlamentar të LVV-së, Glauk Konjufca, tha se tashmë nuk ekziston asnjë dallim tek këto bashkësi fetare.

“Një problem që shfaqet në fillim të ligjit është se nuk ekziston asnjë dallim ligjor në këto gjashtë bashkësi fetare, të cilat janë vendosur si bashkësi tradicionale dhe historike, që kanë një kohëzgjatje, kanë një organizim të etabluar. Mirëpo tash me këto rregullat se si të formohen këto bashkësitë e reja fetare nuk ka kurrfarë dallimi në mes bashkësive tradicionale historike dhe këtyre që do të krijohen”, tha Konjufca.

Kurse deputetja e LDK-së, Lirije Kajtazi, gjatë seancës së djeshme kërkoi sqarime shtesë sa i përket këtij projektligji.

“Gjatë amendamentimit projektligji do t’i qartësojë disa çështje që e bëjnë të aplikueshëm ligjin. Ne kemi evidentuar disa prej tyre, siç janë kriteret për regjistrim, të definohet mënyra sesi do të zgjidhet komisioni për regjistrimin e bashkësive fetare, qartësimi më i thuktë i nenit që rregullon mënyrën sesi bashkësitë fetare kanë të drejtë themelimin e institucioneve të ndryshme edukative arsimore”, theksoi Kajtazi.

Gashi: Prishtina për herë të parë do të trajtohet me ligj të veçantë

Ndërkaq sa i përket Projektligjit për Prishtinën, para se të hidhej në votim atë e prezantoi ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, i cili tha se Prishtina tashmë do të trajtohet me një ligj të veçantë.

“Ky ligj është miratuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës dhe Prishtina si kryeqytet për herë të parë do të trajtohet me ligj të veçantë, që do të jetë në funksion të zhvillimit të gjithanshëm të kryeqytetit të Republikës së Kosovës”, deklaroi ai, duke i ftuar deputetët që ta votojnë atë në lexim të parë.

Ndërkaq Nait Hasani, nga Komisioni Funksional, duke paraqitur raportin tha se ky projektligj i ka në vete disa mangësi.

“Ky projektligj ka disa të meta të cilat ndoshta nuk kemi mundur t’i ndryshojmë, sepse njëri nga gabimet që është bërë gjatë trajtimit se ky nuk është bërë nga modelet e kryeqyteteve tjera, por është bërë si bashkim modelesh të disa kryeqyteteve”, potencoi Hasani.

Ndërkaq seanca e radhës pritet të mbahet më 5 dhjetor. Kështu vendosi Kryesia e Kuvendit të Kosovës, e cila mbajti mbledhjen e radhës gjatë ditës së djeshme.

Në këtë seancë pritet të bëhet shqyrtimi i projektbuxhetit për vitin e ardhshëm. (2018).