Haradinaj tre muaj në Qeveri, vizat s’u hoqën

Aktuale November 30, 2017 - 07:51

Ramush Haradinaj kishte premtuar se tre muaj pasi të zgjidhet kryeministër Kosovës do t’i hiqen vizat me Bashkimin Evropian. Javën tjetër bëhen tre muaj të qeverisë “Haradinaj”, ndërsa vizat për Kosovën ende nuk janë hequr. Gjasat janë që izolimi i vendit të vazhdojë gjatë për shkak të mosmiratimit të Marrëveshjes së Demarkacionit në Kuvend, shkruan sot Gazeta "Zëri"

“Unë nuk shoh periudhë më të gjatë se tre muaj nga momenti i nisjes së punës në Qeveri për liberalizim të vizave me BE-në”.

Ky ishte premtimi më i fortë i Ramush Haradinajt në fushatën e fundit për zgjedhje parlamentare si kandidat i koalicionit PAN (PDK-AAK-Nisma) për kryeministër.

Pikërisht javën tjetër bëhen 90 ditë prejse Haradinaj drejton Qeverinë e Kosovës, përderisa vizat me BE-në ende nuk janë hequr e as që pritet të hiqen në një të ardhme të afërt, kryesisht për shkak të mosmiratimit të Marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi në Kuvend, shkruan tutje "Zëri".

Derisa zyrtarë të Qeverisë së Kosovës thonë se është përshpejtuar adresimi i çështjes së demarkacionit dhe, siç thonë ata, liberalizimi i vizave do të ndodhë më shpejt se pritjet e pesimistëve, analistët politikë thonë se premtimi i Haradinajt ishte bërë gjatë periudhës së fushatës dhe si i tillë nuk kishte gjasa të përmbushej.

Qeveria: Liberalizimi, më shpejt se pritjet e pesimistëve

“Qeveria e Kosovës e ka përshpejtuar adresimin e çështjes së demarkacionit të kufirit duke lëvizur përpara me veprime konkrete nga pika zero, ku ka stagnuar që nga viti 2014. Liberalizimi i vizave do të ndodhë më shpejt sesa pritjet e pesimistëve”, thuhet në përgjigjen e Zyrës për Komunikim të kryeministrit Haradinaj për gazetën “Zëri”.

Më tutje në përgjigjet e kësaj zyre thuhet se kryeministri Haradinaj po punon për zbatimin e MSA-së dhe për marrjen e statusit kandidat të BE-së.

“Qeveria e Republikës së Kosovës dhe kryeministri Haradinaj po punojnë me një dinamikë të re dhe me fokus zbatimin e ligjeve, vendimeve dhe kritereve euroatlantike, me theks të veçantë zbatimin e plotë të MSA-së, si dhe marrjen e statusit të vendit kandidat për në BE”.

Në anën tjetër, raportuesi i ri i Parlamentit Evropian për Kosovën, Igor Soltes, gjatë ditës së djeshme ka deklaruar se shpreson ende se Kosova do ta bëjë hapin e madh për vizat, duke e ratifikuar Demarkacionin me Malin e Zi.

Ai ka përsëritur se Komisioni Evropian ishte i qartë kur i vendosi kushtet që çojnë drejt liberalizimit të vizave.

Raportuesi i ri i Parlamentit Evropian për Kosovën kërkon që vendi t’i lërë anash dallimet politike, duke vendosur në favor të të gjithë kombit.

“Komisioni Evropian i ka vendosur qartë kërkesat për liberalizimin e vizave, njëra prej të cilave ende nuk është përmbushur nga Kosova, e cila është Demarkacioni i Kufirit me Malin e Zi. Praktikisht tani topi është në anën e Kosovës. Unë shpresoj se Kosova mund t’i veçojë dallimet e saj të brendshme politike dhe të vendosë në favor të të gjithë kombit, duke zgjidhur çështjen e demarkacionit të kufirit dhe të jetë një hap i madh më afër liberalizimit të vizave”, është shprehur Soltes.

S’ka liberalizim të shpejtë

Imer Mushkolaj, analist politik, ka thënë për “Zërin” se përmbushja e këtij premtimi është i pamundur për shkak të ngecjes së çështjes së demarkacionit.

Ai këtë premtim të Haradinajt e ka cilësuar si premtim fushate, i cili që nga fillimi ishte i parealizueshëm.

“Jo. Përmbushja e këtij premtimi është e pamundur. Liberalizimi nuk do të ndodhë shpejt, ngase demarkacioni, si njëri ndër dy kushtet kryesore, nuk ka marrë epilog. Premtimi i Haradinajt ishte më tepër një premtim fushate, por edhe ai vetë ka qenë i vetëdijshëm se është e pamundur të realizohet. Nevojitet konsensus më i gjerë politik për ta zgjidhur çështjen e demarkacionit dhe eventualisht për ta marrë rekomandimin pozitiv për liberalizim vizash”, ka thënë Mushkolaj.

Edhe Artan Murati, nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), ka thënë se premtimi i kryeministrit Haradinaj ishte i pamundur të realizohej.

Ai madje thotë se edhe sikur të përmbusheshin kriteret, procedurat për liberalizim janë të gjata, që nuk mund të kryhen për tre muaj.