Deputetët insistojnë që Bulliqi të tregojë se kur e përfundon raportin për demarkacionin

Aktuale November 13, 2017 - 11:33

Deputetët e Komisionit për Integrime ku po raporton kryesuesi i Komisionit për Demarkacionin, Shpejtim Bulliqi, kanë bërë pyetje të shpeshta rreth afatit kohor për përfundimin e raportit.

Deputeti Milaim Zeka e ka pyetur Shpejtim Bulliqin rreth një marrëveshje të nivelit federativ, ish-Jugosllavisë, nëse e ka gjetur atë diku në arkiva.

Deputeti i PDK-së, Zenun Pajaziti, i ka thënë Kryesuesit të Komisionit Shpejtim Bulliqit se ka pritur më shumë argumente nga ai gjatë raportimin në Kuvend.

LEXO EDHE: Zemaj Bulliqit: Bash asgjë të re nuk dëgjova sot

Pajaziti ka thënë se Bulliqi ka folur vetëm për Komisionin "Meha".

“Neve po na duhet diçka tjetër këtu, me komisionin tjetër le të merret dikush tjetër, le të merret drejtësia, unë s’kam asnjë emocion rreth atij Komisioni”.

“Nëse s’keni sot çka me thënë, është dashur të merreni me kryetaren e Komisionit t’i thoni asaj se sot s’kemi çka me thënë e shtyjmë për një ditë tjetër”.

Ndërkohë, deputetja e VV-së, Fatmire Kollqaku, ka kërkuar që Bulliqi të tregojë se kur do ta përfundojë raportin.

Deputeti i Alternativës, Ilir Deda, ka kërkuar që Komisioni të dalë sa më shpejt me raportin, duke kërkuar që Bulliqi të japë një afat kohor për raportin.