Thaçi e Haradinaj 'përplasen' për Demarkacionin

Aktuale November 04, 2017 - 07:59

Presidenti  Hashim Thaçi dhe kryeministri  Ramush Haradinaj janë përplasur sërish për Demarkacionin. Thaçi po kërkon nga Kuvendi i Kosovës që ta votojë Demarkacionin. Por, në anën tjetër, kryeministri Haradinaj vazhdon të këmbëngulë se Demarkacioni duhet të korrigjohet, shkruan sot, gazeta Zeri.

Shënimi i vijës kufitare mes Kosovës dhe Malit të Zi sërish i ka përplasur presidentin e vendit Hashim Thaçin dhe kryeministrin Ramush Haradinaj. I pari po kërkon nga Kuvendi që ta votojë Demarkacionin për t’i hapur rrugë liberalizimit të vizave.

Por, në anën tjetër, Haradinaj edhe më tutje vazhdon të këmbëngulë se Demarkacioni duhet të korrigjohet. “Mund t’ju them që nëse nuk ndodh ratifikimi, atëherë liberalizimi i vizave nuk do të bëhet”, ishte deklarata që e dha  raportuesja për Kosovën në Parlamentit Evropian, Ulrike Lunaçek, deklaratë kjo e cila bëri që të dalin në pah edhe një herë mospërputhjet e ideve rreth Demarkacionit të Thaçit e Haradinajt. 

Ishte Thaçi ai i cili pas kësaj deklarate tha se “Nëse ne duam liberalizim të vizave, Demarkacioni në përputhshmëri me marrëveshjen e arritur në gusht 2015 duhet të kalojë në Kuvendin e Kosovës”, gjë që vuri në pah mospërputhjen e ideve të tij me ato të kryeministrit të vendit, Ramush Haradinaj.

Kjo për faktin se ky i fundit gjatë ditës së enjte deklaroi përsëri se ai qëndron pas fjalëve të tij dhe se kufiri është deri në Kullë e Çakorr.

“Besoj edhe ju e dini qëndrimin tim dhe Kosova e di, pra të gjeturat do të na drejtojnë nga mund të përfundojmë në Arbitrazh dhe mund të jetë njëri prej opsioneve, sepse nuk po prejudikojmë tani në çfarë drejtimi do të shkojmë, ende është herët. Por, një gjë të gjithë e dimë dhe besoj të gjithë pajtohemi se nuk i kanë dy të tretat për këtë versionin ekzistues, sepse është i gabuar. Kufiri vërtet është në Kullë dhe në Çakorr, ndërsa ka rënë në Kuqishtë dhe të gjithë e dimë që është gabim”, ka thënë Ramush Haradinaj.

Thaçi: Ka opinione të ndryshme, por faktet nuk ndryshojnë

Ndërsa Presidenti Hashim Thaçi thotë se qëndron fuqishëm pas nënshkrimit (të Marrëveshjes) duke besuar se ka qenë e drejtë. “Ka opinione të ndryshme, por faktet nuk ndryshojnë”, theksoi Thaçi. “Kemi vlerësimet e Komisionit Shtetëror të Kosovës, të ekspertëve ndërkombëtarë, të vlerësimeve të NATO-s, të SHBA-së e të Bashkimit Evropian dhe nuk e dimë se me kë tjetër të konsultohemi”, tha Thaçi, duke i ftuar Qeverinë dhe Kuvendin të procedojnë më tutje me ratifikim pa vonesa.

“Kushdo që kërkon ekspertizë akademike, duke tejkaluar ekspertizat e NATO-s, të Uashingtonit e të Brukselit, besoj se këto janë të dëmshme. Nëse duam liberalizimin e vizave, duhet të ratifikohet Marrëveshja për Demarkacionin me Malin e Zi, e nënshkruar në gusht të vitit 2015”, theksoi Thaçi.

Qëndrimin e presidentit të Kosovës rreth Demarkacionit e ka komentuar vetë kryeministri Ramush Haradinaj, i cili tha se është në dijeni se cili është qëndrimi i presidentit Thaçi sa i përket Demarkacionit të Kufirit me Malin e Zi. Por, përsëri duhet pritur rezultatet që do t’i sjellë Komisioni i ri. “Kosova ka një Komision Shtetëror dhe se ai Komision, në bazë të ligjit, është duke punuar dhe kur të vijë me rezultate ne do të veprojmë. Pra, kur do t’i kemi rezultatet do të flasim dhe se ne jemi në dijeni për qëndrimin e presidentit”, theksoi Haradinaj.

Arbër Vllahiu, zëdhënës i Qeverisë, në një përgjigje për “Zërin” thotë se pavarësisht faktit që ata e kuptojnë qëndrimin e ndërkombëtarëve, ata konsiderojnë që saktësia e Komisionit në përkufizimin e vijës kufitare duhet të jetë faktor kryesor i vendimit të Kosovës.

“E kuptojmë qëndrimin e miqve ndërkombëtarë që çështja e demarkacionit të përmbyllet sa më shpejt si një proces i rëndësishëm për Kosovën. Megjithatë konsiderojmë se saktësia e Komisionit në përkufizimin e vijës kufitare duhet të jetë faktor kryesor i vendimit të shtetit të Kosovës. Ne kemi krijuar Komisionin e ri, i cili ka kredibilitet të mjaftueshëm për vlerësimin profesional dhe teknik të këtij procesi. Veprimet tona do të bazohen në tërësi në të gjeturat e Komisionit në terren. Pavarësisht mospërputhjes së qëndrimeve me miqtë ndërkombëtarë, mbesim të përkushtuar për partneritet dhe vijimësi të punës së përbashkët në proceset në të cilat ndodhet vendi”, thuhet në përgjigjen e tyre dhënë “Zërit”.

Ndërsa opozita e vendit e shohin Demarkacionin si mjet të përdorur nga ana e kryeministrit aktual të vendit për ardhje në pushtet, përderisa thonë ata ne nuk mund të paguajmë haraçin e nënshkrimit të Thaçit për humbje territori e pavarësisht situatës së krijuar sot dhe mbajtjes peng të liberalizimit të vizave me anë të këtij nënshkrimi Kosova nuk ka llogari as nuk duhet të humbë territor si kompromis.

Abdyli: Demarkacioni, mjet i kryeministrit për ardhje në pushtet 

Haxhi Abdyli, deputet nga radhët e LDK-së, në një prononcim për “Zërin” ka thënë se Demarkacioni është përdorur si mjet për të ardhur në pushtet nga Haradinaj, gjë që e ka dëmtuar Kosovën.

“Çështja e demarkacionit është një çështje e cila është përdorur si një kauzë nga vetë kryeministri Haradinaj, që tani ka “gojën plot” që do ta vendosë kufirin në Çakorr dhe në Kullë, por një dihet, që ai i ka bërë dëm Kosovës shumë me ngritjen e kësaj çështjeje në një kauzë politike që e ka dëmtuar Kosovën, duke e përdorur këtë kauzë për ardhje në pushtet”, ka thënë Abdyli.

Sipas tij, edhe pse LDK-ja mund të mos pajtohet në lidhje me Demarkacionin, por përdorimi i çështjeve të tilla për ardhje në pushtet dhe pastaj me ardhjen në pushtet të mundohet që të shfajësohet, kjo është e papranueshme. Ai thotë se LDK-ja ende nuk ka një qëndrim për Demarkacionin, por që një gjë e tillë gjithmonë do të bëhet në të mirë të qytetarëve. “Unë si deputet ende nuk e di cili do të jetë qëndrimi i LDK-së për këtë çështje, por gjithmonë do të jetë në të mirë të qytetarëve dhe të shtetit të Kosovës, por edhe në interes të mbrojtjes së interesave të secilit qytetar që ka argumente të mirëfillta rreth kësaj çështjeje”, ka thënë Abdyli. Ai gjithashtu thotë që Demarkacioni si kusht nuk është i drejtë, i cili është lidhur me liberalizimin, derisa shtetet tjera nuk e kanë pasur këtë kusht. Sipas tij, edhe kryeministri sot po e sheh se për këtë çështje nuk ka ndonjë zgjidhje të mirëfilltë dhe sigurisht që humbësi më i madh i kësaj do të jetë qytetari i Kosovës, vlerëson Abdyli.

Selimi: Haradinaj të mos shpejtojë asnjë hap të një kompromisi të keq

Rexhep Selimi, nga radhët e lëvizjes “Vetëvendosje”, për gazetën “Zëri” ka thënë se “Vetëvendosja” u qëndron pas fjalëve të dhëna qysh para nënshkrimit të kësaj Marrëveshjeje.

 “Ne si ‘Vetëvendosje’ mendimin e kemi të qartë dhe të pandryshueshëm në vazhdimësi sa i përket rrezikimit të territorit nga Marrëveshja me Malin e Zi. Thaçi, kryeministër i djeshëm dhe president i sotëm, ka bërë shkelje të Kushtetutës në dëm të shtetit dhe të integritetit territorial të Republikës së Kosovës në momentin kur e ka nënshkruar këtë marrëveshje, këtë e thotë edhe vetë Kushtetuta, që Thaçi është dashur të ishte në mbrojtje të integritetit dhe të sovranitetit”, ka potencuar Selimi.

 Ai thotë që Kosova nuk mund të humbë territor si kompromis dhe një gjë e tillë, sipas tij, është shkelje e Kushtetutës së Kosovës. “Ne nuk mund ta paguajmë haraçin e nënshkrimit të Thaçit për humbje territori, kështu që pavarësisht situatës së krijuar sot dhe mbajtjes peng të liberalizimit të vizave me anë të këtij nënshkrimi nuk ka llogari as nuk duhet të humbet territor si kompromis, humbja e territorit si kompromis është e pafalshme, shkelje e sovranitetit, është shkelje e integritetit territorial të Republikës së Kosovës, është shkelje e Kushtetutës së Kosovës. Nuk ka justifikim i cili e mbulon shkeljen e Kushtetutës së Kosovës”, ka thënë Selimi. Deputeti i “Vetëvendosjes” ka thënë se kjo situatë nuk është e re, pasi që lëvizja “Vetëvendosje” e ka paralajmëruar qysh herët dhe jo vetëm gjatë nënshkrimit, por edhe para nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje.

“Kryeneçësia e Thaçit në favor të interesave territoriale të Malit të zi na ka sjellë në këtë situatë goxha të komplikuar, prandaj sot kryeministri i sotëm duhet që të mos shpejtojë asnjë hap në drejtim të realizimit të një kompromisi të keq që ka bërë Thaçi, përndryshe do ta merrte përgjegjësinë edhe ky siç e ka marrë Thaçi në kohën kur ka qenë ministër i Jashtëm i Kosovës”, ka përfunduar Selimi.

Murati: Vetëm po humbim kohë me çështjen e demarkacionit


Artan Murati, nga KDI-ja, thotë se edhe pse qysh në fillim presidenti i vendit dhe kryeministri kishin qasje të kundërta në lidhje me demarkacionin dhe tani me mosndryshimin e qasjes rreth kësaj çështjeje nga kjo gjë po dëmtohen qytetarët.

“Kryeministri i vendit dhe presidenti edhe në të kaluarën që të dy kanë pasur qasje diametralisht të kundërta sa i përket demarkacionit, presidenti aktual i Kosovës derisa ishte në cilësinë e ministrit të Punëve të Jashtme e ka nënshkruar Marrëveshjen për Demarkacion, ndërsa Haradinaj dhe partia e tij ishin të parët që realisht e kishin kundërshtuar dhe rrjedhimisht po pres që të ketë edhe ndryshime të qëndrimeve nga ana e tyre, por kjo po shkon në dëm të qytetarëve, të një procesi i cili ka mbetur peng i Demarkacionit, pra çështja e liberalizimit të vizave”, ka thënë Murati.

Ai konsideron se të dy krerët e vendit do të duhej të merreshin vesh lidhur me këtë çështje dhe jo ta ashpërsojnë më shumë situatën. “Ky debat që po zhvillohet mes kryeministrit dhe presidentit, dy figura të cilat do të duhej të ulen së bashku dhe ta gjejnë një zgjidhje për këtë problem, i cili tashmë po ekziston dhe ka mbetur peng i politikës në vend, në vend se ta gjejnë një zgjidhje për këtë çështje këta vetëm po vazhdojnë me ashpërsim të një retorike dhe si përfundim ata që po i vuajnë pasojat janë qytetarët”, ka thënë ai.

Ai vlerëson se vetëm po humbim kohë, përderisa për Malin e zi çështja e demarkacionit është punë e kryer, ai thotë që edhe Kosova duhet sa më shpejt të veprojë e ta japë një verdikt të këtij versioni të Demarkacionit, sepse nuk mund të presim deri në pafundësi për një gjë të tillë. “Ne qysh prej vitit të kaluar e dimë që kjo çështje duhet të kryhet dhe po më vjen shumë keq të shoh që nuk ka ndonjë lëvizje konkrete sa u përket lëvizjeve që kishin mundur t’i japin fund këtij problemi. Haradinaj emëroi në krye të Komisionit për caktimin e vijës një person i cili do t’i sjellë rezultatet të cilat Hardinaj dëshiron t’i sjellë, pra nuk është se po ka një qasje shumë konstruktive as nga ana e institucioneve të vendit sa i përket zgjidhjes së këtij problemi”, ka përfunduar Murati.