Ministri Maqedonci thotë se do të vazhdojë investimin në Forcën e Sigurisë së Kosovës
Foto: Facebook

Ministri Maqedonci thotë se do të vazhdojë investimin në Forcën e Sigurisë së Kosovës

Aktuale May 08, 2024 - 15:10

Në margjina të forumit “Defense 24”, që u mbajt në Poloni, ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka takuar zëvendësministrin e Lituanisë, Zhilvinas Tomkus.

Ai ka takuar edhe zëvendësministrin e Koresë së Jugut, Sung IL, ish-ministrin e Mbrojtjes të Polonisë, si dhe anëtarin e Parlamentit, Mariusz Blaszczak.

Me zëvendësministrin e Koresë së Jugut diskutuan rreth formave se si mund të vendoset bashkëpunimi ushtarak ndërmjet Kosovës dhe Koresë së Jugut, me theks të veçantë në industrinë e mbrojtjes.

Ndërsa me zëvendësministrin e Lituanisë diskutuan rreth formave të reja të bashkëpunimit ndërmjet të dyja shteteve dhe gjithashtu vazhdimin e bashkëpunimit në kuadër të Grupit për Mbrojtjen e Ukrainës, si pjesë e Koalicionit të Deminimit.

Po ashtu, ministri Maqedonci vizitoi shtandet e kompanive prodhuese të industrisë së mbrojtjes, të cilat prezantonin produktet e teknologjisë së fundit.

Me këtë rast theksoi se në tre vjetët e fundit është investuar në ngritjen e kapaciteteve të ushtrisë sonë shumëfish më shumë se pesëmbëdhjetë vitet e kaluara.

”Do të vazhdojmë investimin në përputhje me planin operacional, kërkesat dhe nevojat e Forcës së Sigurisë së Kosovës”, tha ministri duke shtuar se që nga viti 2025 do të fillojë faza e tretë e zbatimit të Planit Gjithëpërfshirës të Tranzicionit.