'Serbia po tenton ta fus prapë në ‘kthetra’ Kosovën'

Aktuale November 01, 2017 - 23:41

Debati ligjor dhe sugjerimet që u dëgjuan dje në një tryezë të rrumbullakët në Beograd, në kuadër të dialogut të brendshëm për Kosovën kanë bërë jehonë edhe në Prishtinë.

Analistët kosovarë mendojnë se Kosova me Serbinë mund të flasë vetëm për njohjen reciproke të dy shteteve sovrane.

LEXO EDHE: Mediat serbe: Tërheqja e njohjes së Kosovës nga ana e Surinamit erdhi nga Moska

Këtë opinion e ka dhënë avokati dhe analisti, Azem Vllasi në një intervistë për ‘Sputnik’, i cili ka thënë se ideja e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq për të çuar në një dialog të brendshëm çështjen e Kosovës ka marrë drejtim të papërshtatshëm, transmeton lajmi.net.

“Ne flasim për zgjidhjen e çështjes së Kosovës ndërsa harrojmë se çështja e Kosovës është zgjidhur dhe që nëntë vjet është një shtet i pavarur dhe sovran, pavarësisht nga qëndrimi famëkeq serb mbi këtë çështje. Prandaj, në Serbi duhet të zhvillohet një dialog i brendshëm për normalizimin e marrëdhënieve ndërshtetërore midis Serbisë dhe Kosovës. Pas të gjithave, në paraqitjen e tij publike, Vuçiq ka thënë se Serbia duhet të përballet me realitetin dhe të mos rrinë me kokë në rërë – për mua kjo i bie se duhet përballur me realitetin se Kosova është një shtet me status të zgjidhur dhe Serbia nuk ka se çfarë zgjidhje tjetër të ofrojë”, ka thënë Vllasi.

LEXO EDHE: ‘Rusia shfrytëzon Serbinë për të krijuar kaos në Ballkan’

Vllasi mendon se njohja e Kosovës nga ana e Serbisë, do të ishte në favor edhe të këtyre të fundit.

“Iniciativa e Vuçiqit duket si një politikë e Millosheviqit, i cili mendonte se çështja e Kosovës duhet zgjidhur pa shqiptarët. I vetmi ndryshim është se tani Serbia nuk mund të përdorë forcën dhe dhunën siç ka bërë Millosheviq. Do të ishte mirë të flasim vetëm për përmirësimin e marrëdhënieve të ndërsjella shtetërore sepse do të ishte mirë për Serbinë e cila do të shkonte më shpejt drejt integrimit evropian. Gjithashtu, do të përmirësohej pozita e serbëve ne Kosovë, sepse në qoftë se serbët e Kosovës jetojnë në një vend i cili ka marrëdhënie të mira me vendin e tyre amtar, sigurisht se edhe ata do të ishin më mirë”, është shprehur ai.

Vllasi ka theksuar se tashmë Serbia dhe Kosova janë dy vende dhe nuk mund të diskutohet për ndonjë lloj bashkimi.

‘Sputnik’ në fund shton se komuniteti ndërkombëtar e ka mbështetur Beogradin kur është fjala për hapjen e dialogut të brendshëm për Kosovën dhe në këtë kuptim duket se dikush ende mendon se çështja e Kosovës nuk ka përfunduar.