I kemi votat për UNESCO dhe INTERPOL

Aktuale July 22, 2017 - 08:11

Kosova i siguruar votat e nevojshme për pranim në organizatat ndërkombëtare si në UNESCO dhe INTERPOL. Ndërkaq, një shtet tashmë ka përmbyllur të gjitha procedurat e saj për njohjen e Republikës së Kosovës. Këtë e ka konfirmuar në një intervistë dhënë gazetës “Zëri” ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj

Kosovës do t’i vijë shumë shpejt edhe njohja e 115-ë ndërkombëtare.

Këtë e ka zbuluar në një intervistë dhënë gazetës Zëri ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj.

Sipas tij, tashmë janë përmbyllur të gjitha procedurat dhe pritet vetëm zyrtarizimi i njohjes, duke mos dashur që të ngutet dhe ta zbulojë emrin se për cilin shtet bëhet fjalë.

Në këtë intervistë ministri në detyrë ka konfirmuar po ashtu se Kosova tashmë ka siguruar edhe votat e nevojshme për pranim në organizatat ndërkombëtare si në UNESCO dhe në INTERPOL. 

LEXO EDHE: Haradinaj nis 'pazaret' për Qeverinë

“Unë kam pasur vitin e kaluar shumë vizita nëpër botë vitin e kaluar dhe natyrisht që në vizitat e tilla ne kemi marrë konfirmime se kush mund ta votojë Kosovën qoftë në UNESCO, qoftë në INTERPOL. Unë besoj që Kosova i ka këto vota kësaj here”, ka thënë Hoxhaj.

Megjithatë para se kjo të ndodhë, Hoxhaj ka përmendur edhe disa nga detyrat e shtëpisë që Kosova duhet t’i përfundojë, siç janë miratimi në Kuvendin e Kosovës ligji për liritë fetare, trashëgiminë, etj.

LEXO EDHE: PAN-i do t’i formojë institucionet javën e ardhshme

Ndërkaq sa i përket dialogut me Serbinë, ai ka thënë se tashmë ky proces po hyn në fazën përfundimtare të tij.

Hoxhaj ka përkrahur idenë e riformatimit të dialogut në nivel presidencial, duke thënë se presidenti ka mandat për një gjë të tillë.

Në këtë kontekst, ai ka shtuar se Serbia do të detyrohet që ta njohë Kosovën para anëtarësimit të saj në Bashkimin Evropian.

Zëri: A e përkrahni idenë që niveli i dialogut të kalojë në nivel presidencial me Serbinë dhe cili do të ishte dallimi në ndryshimin e formatit të dialogut?

Hoxhaj: Ndryshimi, i cili do të duhej të ndodhë, ka të bëjë me pritjet që ka Kosova në këtë dialog. Unë kam qenë ithtar i vjetër i qasjes që Kosova nuk ka nevojë që pa kufi dhe pa limite kohore, pa parametra të qartë përmbajtjesorë, ta vazhdojë dialogun me Serbinë në pafundësi. Në fund të fundit, normalizimi i marrëdhënieve të Kosovës me Serbinë është një temë shumë e rëndësishme për të dyja vendet. Është shumë e rëndësishme për rajonin dhe paqen evropiane, mirëpo këto nuk janë negociata nukleare me Iranin, as nuk janë makroprobleme botërore, ku ne për dekada me radhë do të duhej të negocionim. Prandaj kam qenë ithtar i asaj që të kufizohet në kohë, të ketë qëllime të qarta dhe parametra të qartë për çka është ky dialog.

Zëri: Cili është qëllimi kryesor i dialogut për të cilin po flisni?

Hoxhaj: Qëllimi parësor i këtij dialogu është që Kosova të anëtarësohet në OKB dhe që krahas kësaj Serbia të heqë dorë legalisht prej Kosovës, duke ndryshuar artikullin e parë në kushtetutën e saj. Së dyti, që ta kemi një njohje të ndërsjellët në mes Kosovës dhe Serbisë dhe vendosjen e marrëdhënieve diplomatike, dhe së treti, ta kemi një pajtim në mes të shoqërisë kosovare dhe asaj serbe. Pra një dialog që do t’i udhëhiqte të dyja vendet drejt një pajtimi. Nuk mund të ketë pajtim pa njohje të ndërsjellët dhe pa anëtarësim të Kosovës në OKB, meqë përvojat flasin që agjendat që përplasin dy shoqëri në konflikt, në luftë, në situata të përpjekjes për gjenocid, sikurse ka bërë Serbia në raport me Kosovën, nuk mund të ndodhë pajtimi nëse Serbia edhe më tutje e sheh Kosovën pjesë të saj. Që këto gjëra të ndodhin, mendoj që presidenti duhet ta ketë rolin e tij. Në fund të fundit i takon me kompetenca që ta udhëheqë politikën e jashtme.

Në këtë mënyrë ne duhet ta përmbyllim këtë fazë të fundit të dialogut, por dialogu në të cilin ne po hyjmë është faza e fundit përmbyllëse dhe agjenda e cila ka sjellë këtë raport të marrëdhënieve Kosovë - Serbi nuk kanë qenë as diplomat universitare, as vulat doganore, as lëvizja e lirë e njerëzve, as IBM-ja, as kadastrat, por pretendimi i padrejtë serb, dhuna e planifikuar dhe e menduar mirë serbe në raport me Kosovën dhe pretendimi sa hegjemonist në raport me vendin. Prandaj, që të lëvizim në një fazë përfundimtare të dialogut, ka nevojë që vendi ta ketë mbështetjen e secilit dhe nën udhëheqjen e presidentit besoj që do të duhej të hynim në një gjë të tillë. Çka unë po ju them juve për herë të parë, këto kanë qenë temat për cilat unë kam evokuar në raport me Brukselin dhe Uashingtonin, në këto shtatë vjetët e fundit sa kam qenë ministër i jashtëm, duke ia dhënë dialogut një kontekst më të gjerë dhe jo vetëm këtë pjesën teknike të tij.

Zëri: Pra po thoni që dialogu po shkon drejt fundit, por a mund të presim njohje nga Serbia në përmbyllje të këtij procesi?

Hoxhaj: Në mendimin tim mund të ndodhë brenda 2 deri 3 viteve e ardhshme të përfundojë ky proces. Kjo varet nga platforma që do ta ketë Kosova. Prej qëllimeve dhe objektivave të matshme dhe prej vëmendjes që mund ta ketë Kosova nga partnerët tanë ndërkombëtarë. Megjithatë, Bashkimi Evropian në kapitullin 35 e ka vendosur si kusht që Kosova dhe Serbia ta nënshkruajnë një marrëveshje obligative ligjore, para se Serbia të anëtarësohet në BE. Unë i kam pyetur ministrat e jashtëm të vendeve anëtare të BE-së, ata kanë thënë natyrisht që për njohje nuk është askush i interesuar si shtet anëtar i BE-së, kur nuk duhet se ku i definon ky vend kufijtë e tij. A është kufiri i Serbisë në raport me Kosovën në kufij me Kosovën apo në kufij me Shqipërinë. Qytetarët që jetojnë në Kosovë janë qytetarë të një shteti të pavarur, apo qytetarë të kujt? Këto janë tema shumë serioze për BE-në.

Anëtarësimi i Qipros është një model ku në çdo takim dikush ta përmendë dhe thotë se në të ardhmen ne do të jemi shumë të qartë si do të sillemi me shtetin, territorin, kufijtë, popullin, qytetarët, etj. Kështu që Serbia do të jetë e detyruar që ta njohë Kosovën, pavarësisht se çfarë do të thotë Vuçiqi, i cili para 20 vjetëve ka ndjekur një politikë krejt tjetër. Çfarë mund të thotë Daçiqi, i cili po ashtu ka qenë krejt dikush tjetër. Serbia nuk mund të anëtarësohet në BE pa e njohur Kosovën. Kurse hapi i parë i mundshëm ynë është anëtarësimi i Kosovës në OKB. Këtu ka modele të ndryshme, të cilat edhe kancelaritë e ndryshme perëndimore kanë filluar t’i mendojnë, se cilat do të ishin modalitet që Kosova do të mund të anëtarësohet në OKB. Unë personalisht kam dy-tri ide, të cilat mund t’i shfaq, mirëpo do të shfaqen në një kohë kur të fillojë të krijohet një ekip i cili neve na mundëson që të gjejmë rrugë dhe modalitete se si Kosova të anëtarësohet në OKB.

Zëri: Para se Kosova të pranohet në OKB, çka është e vështirë aktualisht, ajo duhet të provojë që të anëtarësohet në organizata të tjera ndërkombëtare, sikurse UNESCO, INTERPOL-i, etj. Së fundmi ju keni thënë se Kosova i ka numrat kësaj radhe për t’u pranuar në këto organizata. Pse jeni kaq i sigurt?

Hoxhaj: Vitin e kaluar, por edhe këtë vit, jemi marrë intensivisht me listën e shteteve të cilat duhet ta votojnë Kosovën për t’u bërë pjesë e UNESCO-së dhe INTERPOL-it. Unë kam pasur vitin e kaluar shumë vizita qoftë në Azi, qoftë në Afrikë, qoftë në Amerikën Latine, qoftë në vendet perëndimore dhe natyrisht që në vizitat e tilla ne kemi marrë konfirmime se kush mund ta votojë Kosovën qoftë në UNESCO, qoftë në INTERPOL. Unë besoj që Kosova i ka këto vota kësaj here. Për më shumë, edhe tema jonë në raport me OKB-në e jep edhe një pjesë të përgjigjes pse anëtarësimi ynë në organizata ndërkombëtare dhe pyetjen se si e shtruat ju me të drejtë dhe me vend e shpjegon kontekstin tonë. Nëse ne nuk kemi mundur të anëtarësohemi në OKB, ne kemi ndjekur një rrugë tjetër, më të vështirë, që të organizohemi në organizata në mënyrë individuale.

Pa qenë anëtarë të OKB-së bëjmë përpjekje që të sigurojmë shumicë vote dhe të hyjmë në organizatë. Të tjerët janë anëtarë të OKB-së dhe pastaj anëtarësimi është shumë formal, dhe vota është vetëm procedurale. Për ne është betejë ballafaqim. Duhet një koncept më shumë real i politikës, sa numër të votave ke, cili është narracioni yt, cilat janë argumentet e tua, pse duhet të jesh në një organizatë dhe pasi të anëtarësohesh në një organizatë qysh do ta ushtrosh sovranitetin. Prandaj në raport me UNESCO-n dhe me INTERPOL-in unë besoj ne i kemi votat, por do të punojmë në mënyrë intensive që të luftojmë për secilën votë tjetër. Megjithatë janë edhe disa çështje të brendshme që Kosova duhet t’i plotësojë.

Zëri: Cilat janë ato kërkesa?

Hoxhaj: Ka kërkesa që ligjet për liritë fetare të miratohen në Kuvendin e Kosovës, që ligji për trashëgimi kulturore të miratohet, po ashtu që ka të bëjë direkt me UNESCO-n, që duhet të merren dy-tri vendime për kisha ortodokse serbe, të cilat kanë qenë përgjegjësi herë e komunave, herë e pushtetit qendror, dhe që para se të kërkosh nga të tjerët kur të hysh në votim që ta japin votën, duhet të tregosh që plotëson standarde dhe kritere të caktuara. Anëtarësimi në një organizatë është sa lobim për vota, po aq edhe dëshmi e pjekurisë së një shteti që përmbush standarde të caktuara.

Zëri: Po për në INTERPOL kur pritet pranimi?

Hoxhaj: Tek INTERPOL-i ne kemi policinë më të mirë që ka një shtet në rajon. Çdo qytetar i Kosovës dhe unë si ministër i jashtëm mund të them që Policia që Kosova është më e mira në rajon. Nuk krahasohet me asnjë vend tjetër. Prandaj edhe anëtarësimi në INTERPOL do të jetë i pandalshëm.

Zëri: Zotëri Hoxhaj, kemi pasur një stagnim të njohjeve të reja të shtetit. Ju thatë që keni vizituar vende të shumta në vitin e fundit ku keni lobuar për çështje të ndryshme. Po për njohjet e reja a mund të presim ndonjë të tillë së shpejti?

Hoxhaj: Ka një vend i cili ka marrë vendimin për njohje dhe unë pres që do të shpallet shumë shpejt ky vendim. Sa i përket asaj se cili është ky vend, unë asnjëherë nuk kam folur me emra të vendeve sikurse vitin e kaluar kur kam deklaruar 4-5 javë para se Singapori ta shpallë njohjen që një vend do ta njohë Kosovën, dhe Singapori më pas e shpalli atë. Apo vitin e kaluar kur isha me vizitë në Gajane, ku takova presidentin e Surinamit dhe më kishte premtuar se do ta merrte vendimin për njohjen e Kosovës, kemi folur disa herë në telefon me të dhe mandej është marrë vendimi. Megjithatë, ne kemi informatë se një vend i ka përmbyllur të gjitha procedurat dhe nuk e praktikojmë që të flasim në emër të vendeve të tjera, pasi që detyra ime si ministër i Jashtëm është që të ruajë kredibilitetin e vendit, por edhe kredibilitetin e atyre të cilët morën vendim që ta njohin Kosovën.