Haradinaj nis 'pazaret' për Qeverinë

Aktuale July 22, 2017 - 07:56

Ramush Haradinaj, i nominuar për kryeministër, gjatë ditës së djeshme ka vizituar familjen e ish-presidentit Ibrahim Rugova, me ç’rast të dyja palët janë dakorduar që deputetja e LDK-së, Teuta Rugova, ta mbështesë kandidaturën e tij për kryeministër, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Koalicioni PDK-AAK-Nisma, i cili nuk arriti t’i sigurojë 61 vota pavarësisht se doli triumfues në zgjedhjet e 11 qershorit, tashmë ka nisur takimet individualisht me deputetë të subjekteve të tjera.

Gjatë ditës së djeshme i nominuari për kryeministër nga PAN-i, Ramush Haradinaj, ka vizituar familjen e ish-presidentit Ibrahim Rugova, me ç’rast të dyja palët janë dakorduar që deputetja e LDK-së, Teuta Rugova, ta mbështesë kandidaturën e Haradinajt, shkruan tutje "Zëri".

Një gjë të tillë e ka pohuar tërthorazi vetë Haradinaj, i cili ka thënë se bashkëpunimi me familjen Rugova do të vazhdojë edhe sot, siç kishte vazhduar edhe në kohën e ish-presidentit, nga i cili kishte arritur të bëhej kryeministër.

Nga ana tjetër, Teuta Rugova, pas takimit, tha se vizita e Haradinajt ka qenë krejtësisht miqësore.

Ndërkaq i nominuari i PAN-it gjatë së premtes u bëri thirrje edhe LDK-së, edhe AKR-së që t’i bashkëngjiten kaolicionit fitues, mirëpo të dyja këto parti e refuzuan ftesën e tij.

Haradinaj: Me familjen Rugova po e konfirmojmë bashkëpunimin

I nominuari për kryeministër nga koalicioni PAN, Ramush Haradinaj, pas vizitës së familjes Rugova, ka kanfirmuar se ka marrë mbështetjen nga kjo familje, gjegjësisht nga deputetja Teuta Rugova.

“Bashkëpunimi me këtë familje të nderuar nuk është ndalur për asnjë moment, andaj sot, në frymën e afrimit dhe filozofisë së presidentit historik dr. Ibrahim Rugova, ne po e konfirmojmë mbështetjen, bashkëpunimin e përhershëm dhe respektin e ndërsjellët”, ka deklaruar ai.

Ai me këtë rast ka thënë se përgjatë viteve ka bashkëpunuar edhe me ish-presidentin Rugova dhe me djalin e tij, Ukë Rugova. Haradinaj më tej u ka bërë thirrje edhe liderëve të dy partive, LDK-së dhe AKR-së, që t’i bashkohen koalicionit PAN.

“Shfrytëzoj rastin që nga kjo shtëpi t'u bëj ftesë të gjithë atyre që përqafojnë idetë e presidentit Rugova, e në veçanti kreut të LDK-së, Isa Mustafa dhe presidentit të AKR-së, Behgjet Pacolli, që ta mbështesin formimin sa më të shpejtë të Qeverisë”, ka potencuar kreu i AAK-së.

Rugova: Haradinaj, mik i madh i familjes

Ndërkaq deputetja e LDK-së, Teuta Rugova, ka thënë se me Haradinajn ka zhvilluar një takim miqësor, pasi që, ashtu si ajo ka potencuar, Haradinaj është një mik i kahershëm i familjes Rugova.

“Sot familja jonë priti në një vizitë miqësore z. Ramush Haradinaj në shtëpinë tonë. Ishte një takim shumë miqësor sepse z. Haradinaj është një mik i madh i familjes sonë që nga viti 2004 kur presidenti Rugova lidhi marrëveshje koalicioni me të dhe e zgjodhi kryeministër, prandaj vizitat e tij gjithmonë janë shumë të mirëseardhura për ne”, ka deklaruar ajo.

Më tej, Teuta Rugova ka bërë thirrje që të lihen anash inatet politike dhe të krijohet një qeveri e gjerë, siç e kërkojnë ndërkombëtarët.

“Unë kërkoj nga strukturat udhëheqëse të LDK-së që në Qeverinë e gjerë dhe stabile, që po kërkohet nga miqtë tanë të përhershëm, SHBA-ja dhe BE-ja, në marrëveshjen e koalicionit, para ndarjes së përgjegjësive qeveritare të vendosen prioritetet për qytetarët e Kosovës..”, ka shtuar ajo.

Por, pas kësaj, Rugova ka dalë sërish me një deklaratë, në të cilën ka thënë se nuk do të veprojë asnjëherë jashtë qëndrimit të subjektit që ajo përfaqëson.

LDK-ja e AKR-ja refuzojnë ftesën e Haradinajt

Nga ana tjetër kandidati për kryeministër nga koalicioni LDK-AKR-Alternativa (LAA), Avdullah Hoti, ka reaguar pas takimit mes Haradinajt dhe familjes Rugova, me ç’rast ka thënë se të gjithë deputetët e LDK-së janë unikë.

“Nga sot të gjitha konspiracionet morën fund. Përpjekja e fundit i qartësoi të gjitha. Deputetët e LDK-së janë unikë. Deputetët e koalicionit LAA janë unikë. Qeveria e ardhshme është proevropiane”, ka deklaruar Hoti.

Ndërkaq edhe nënkryetari i AKR-së, Agim Bahtiri, duke folur rreth ftesës së Ramush Haradinajt drejtuar AKR-së, ka thënë se ky subjekt assesi nuk do t’i bashkohet PAN-it.

“AKR-ja nuk u bashkëngjitet, e kryer është kjo punë”, ka thënë Bahtiri shkurt në një prononcim për “Zërin”.

Murati: Secila palë tenton t’i ketë përfitimet e veta

Nga ana tjetër Artan Murati, hulumtues në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), ka vlerësuar se në marrëveshje të tilla secila palë shikon përfitimet e veta, porse, sipas tij, duhet pritur se ç’mund të ngjajë me tej.

“Normalisht, në çdo moment kur realizohen marrëveshje politike kësisoj, ajo i ka dy anët. Secila palë tenton që t’i ketë benefitet e veta, nuk mund të përjashtohet mundësia që edhe në këtë rast të ketë edhe poste ministrore e kështu me radhë. Sepse dihet që çdo favor politik vjen me një kundërfavor, të paktën në Kosovë ka ndodhur kështu”, ka nënvizuar ai.

Murati më tej ka thënë se mund të ketë edhe kalime të tjera të deputetëve individualë në drejtim të PAN-it. Mirëpo, sipas tij, një qeveri vetëm me numra, siç po pandeh ta formojë PAN-i, nuk mund të cilësohet stabile.

Baraliu: Deputetët duhet ta mbrojnë interesin e Kosovës

Ndërkohë njohësi i çështjeve politike dhe kushtetuese, Mazllum Baraliu, ka thënë se deputeti duhet ta mbrojë interesin e shtetit, sipas Kushtetutës.

“Është një dispozitë në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, e cila thotë se deputetët gjatë mandatit të tyre duhet ta mbrojnë interesin më të mirë të Kosovës. Nëse shikohet nga ky këndvështrim, nëse një deputet e ka vlerësuar në interesin më të lartë të Kosovës, për ta votuar qeverinë “Haradinaj”, atëherë është çështje pikërisht e tij ose e saj”, ka deklaruar ai.

Por, sipas Baraliut, ekziston edhe kahja tjetër që secili deputet që bën këso lëvizjesh duhet të ballafaqohet me elektoratin që e ka votuar.

 “Një problem është çështja e individëve, përgjegjësinë që ata marrin, në rast të transaksioneve të tilla, ndaj elektoratit, ndaj subjektit të vet dhe ndaj personalitetit të vet”, ka shtuar ai.

Kurse analisti politik Arben Rugova ka thënë se Teuta Rugova duhet të përgëzohet për guximin e saj.

“Tetua Rugova e ka bërë publike votën e saj dhe unë e përgëzoj për guximin. Ajo ka mundur ta bëjë të njëjtën gjë, tinëz, ditën kur do të votohej Qeveria e re. Por, miqësia dhe vizioni politik i babait të saj, ish-presidentit Ibrahim Rugova dhe ish-kryeministrit Ramush Haradinaj, tejkalon interesat personale të Teutës apo partisë së cilës ajo i takon. Është tjetër gjë që disa nuk e dinë dhe janë të befasuar me veprimin e deputetes Rugova, veprim ky që mund ta rrisë ose ta dëmtojë politikisht, por assesi si politikane që e ndien atë që e quajmë ‘rugovizëm’”, ka deklaruar ai.  

Ai me këtë rast ka thënë se pret që edhe deputetët e tjerë të LAA-së ta përkrahin Haradinajn për kryeministër, pasi që kombinimet tjera aktualisht duken të papërshtatshme..