PAN-i do t’i formojë institucionet javën e ardhshme

Aktuale July 21, 2017 - 08:10

PAN-i i ka numrat e domosdoshëm për krijimin e institucioneve të reja në vend. A do të jetë kjo shumicë e nevojshme e krijuar nga disa deputetë apo grupe parlamentare kjo mbetet të shihet, por ky koalicion nuk ka vija të kuqe për askënd. Kështu ka thënë në një intervistë dhënë gazetës “Zëri” zëvendëskryetari i PDK-së, njëherësh ministri i Punëve të Jashtme Enver Hoxhaj

Vendi nuk do të futet në krizë politike sepse koalicioni PAN i ka numrat e domosdoshëm për krijimin e institucioneve të reja. Ramush Haradinaj do të jetë kryeministër i ri, ndërsa Partia Demokratike e Kosovës do të jetë motori i kësaj Qeverie, e cila do të merret me vendimet e mëdha për vendin. Kështu ka thënë në një intervistë dhënë gazetës “Zëri” zëvendëskryetari i PDK-së Enver Hoxhaj. Gjatë kësaj interviste Hoxhaj ka thënë se pret që jo më larg se java e ardhshme të formohen edhe institucionet e reja nga koalicioni fitues i zgjedhjeve të 11 qershorit. Sipas tij, PDK-ja nuk ka vija të kuqe për asnjërën nga subjektet politike, madje u ka bërë thirrje të gjithave që të krijojnë një konsensus politik rreth disa temave të mëdha, siç janë Demarkacioni apo krijimi i ushtrisë. Më tutje zëvendëskryetari i PDK-së ka folur edhe për gjendjen në partinë e tij. Ai ka treguar se kjo parti i ka analizuar me seriozitet rezultatet e zgjedhjeve të 11 qershorit, duke garantuar votuesin e tyre se ky rezultat do të jetë vetëm episodik. 

Zëri: Zotëri Hoxhaj, janë bërë më shumë se një muaj nga përfundimi i zgjedhjeve e pothuajse dy javë nga certifikimi i rezultateve dhe ende nuk i kemi institucionet e reja. Çfarë po ndodh, nuk i ka PAN-i numrat?

Hoxhaj: Koalicioni ynë, i cili përbëhet nga PDK-ja, nga AAK-ja dhe nga Nisma, i ka numrat e domosdoshëm që në një afat të caktuar kohor të mbahet seanca konstituive e Kuvendit dhe të merret vendimi sa i takon formimit të Qeverisë. Por sa na takon ne si PDK, ne kemi mandatuar zotëri Veselin i cili është jo vetëm kryetar i partisë, por në këtë rast është edhe lider i koalicionit të këtyre partive politike dhe zotëri Haradinajn, i cili është mandatar për formimin e Qeverisë që këta të bisedojnë me subjektet tjera politike apo edhe deputetë të caktuar me qëllim të kemi një shumicë parlamentare, e cila do të siguronte formimin e institucioneve. Ajo që mund të them është se jemi më se të bindur se nuk do të ketë krizë politike, nuk do të ketë ngërç politik dhe që pikëpamjet tona para se të mbahen zgjedhjet e parakohshme parlamentare, gjatë zgjedhjeve parlamentare kanë qenë të bazuara në një koncept që vendi nuk guxon të humbasë kohë, vendin e presin vendime të mëdha dhe tash do të ishte e papranueshme që vendi të futej në një ngërç politik. Unë shpresoj që java e ardhshme mund të jetë vendimtare.

Zëri: Pra, sipas jush nuk mund të kemi një përsëritje të situatës sikurse në vitin 2014?

Hoxhaj: PDK-ja edhe në atë kohë ka qenë forcë determinuese që ta tejkalojmë bllokadën institucionale, ngërçin politik, meqë ne e dimë se ngërçi politik mund të sjellë në izolim ndërkombëtar, mund të sjellë varfërim ekonomik dhe mund të krijojë një gjendje të status quos, një gjendje të qëndruarit në vend dhe në këtë drejtim jemi të vendosur që sa më parë t’i formojmë institucionet, por kur mund të mbahet seanca e parë dhe si mund të duket shumica e ardhshme parlamentare është diçka që i takon zotëri Veselit dhe Haradinajt ta informojnë opinionin publik për detajet.

Mst/ Të bashkohemi për temat e interesit shtetëror

Zëri: Cila do të jetë formula e Qeverisë së re, shumicë e thjeshtë apo ka mundësi reale që të krijohet një Qeveri “me bazë të gjerë”, siç u shprehën nga kampi i AAK-së së fundmi dhe çka nënkupton kjo “bazë e gjerë”?

Hoxhaj: Pikëpamja jonë është që ne duhet patjetër ta zbatojmë vullnetin e elektoratit. Duhet me çdo kusht ta implementojmë rezultatin zgjedhor dhe rezultati zgjedhor është që koalicioni PAN është koalicioni që ka shumicën, por krahas këtij koalicioni zgjedhor sistemi ynë politik, sistemi ynë kushtetues duhet të ndërtohet edhe në parime të tilla që Qeveria jonë duhet të jetë shumetnike. Pra të jetë një koncept i ndarjes së pushtetit, ku serbët dhe komunitetet joserbe, turqit, boshnjakët, etj, duhet të jenë pjesë e koalicionit. Ne mendojmë që koalicioni PAN dhe minoritetet, me mbështetjen e ndonjë deputeti të caktuar apo të ndonjë grupi parlamentar mund të kemi një qartësi të shpejtë politike. Përtej kësaj në pikëpamjen tonë si PDK, është që për disa tema vendi duhet të ketë konsensus. Është koha e fundit që partitë politike në Kosovë të ndërtojnë një konsensus për temat e caktuara. Në fund të fundit, arsyeja pse Qeveria aktuale që është në largim dhe Kuvendi i kaluar u shpërbë është që për tema të interesit nacional, sikurse Demarkacioni, dialogu me Serbinë, rezultatet e dialogut që kanë të bëjnë me Asociacionin, liberalizimi i vizave, ne nuk arritëm që të kemi konsensus me subjektet tjera politike. Për më shumë, nuk kishte një të vetëkuptuar të njëjtë edhe brenda PDK-së apo të LDK-së se çfarë qasje duhet të kenë në raport me Demarkacionin. Për mendimin tim, liberalizimi i vizave është më shumë se lëvizje e lirë e qytetarëve, është ajri i këtij vendi për të cilin ka nevojë çdo qytetar. Prandaj unë jam ithtar i qasjes që edhe pse koalicioni PAN me minoritetet do të duhej të ta formonin Qeverinë e ardhshme, këto subjekte politike me ato që mbesin në opozitë duhet të merren vesh për temat e tilla të mëdha.

Mst/ Haradinaj do ta adresojë Demarkacionin, vizat janë ajër për qytetarët

Zëri: Megjithatë duket se dallime nuk keni vetëm me koalicionet e tjera, por edhe brenda vetë koalicionit PAN. I dimë qëndrimet publike të PDK-së, por edhe të liderit të AAK-së, njëkohësisht kandidatit të koalicionit tuaj për kryeministër Ramush Haradinajt sa i përket Demarkacionit. Çka do të bëhet me këtë marrëveshje. Si do të procedohet me të kur dihet që është një ndër kushtet e fundit për liberalizimin e vizave?

Hoxhaj: Mendoj që zotëri Haradinaj është një njeri që ka një përvojë të gjatë politike, që ka qenë për shumë vite lider i një subjekti politik, i cili i ka edhe meritat për lirinë e këtij vendi dhe i cili mbi të gjitha sikur unë dhe njerëzit e tjerë të PDK-së është njeri i politikës. Kur situatat janë komplekse, kur temat janë të vështira nuk është detyrë e politikës t’i ndërlikojë edhe më shumë, sikur Demarkacioni. Unë mendoj që Qeveria e ardhshme nën udhëheqjen e tij do ta adresojë çështjen e ratifikimit dhe shënimin e vijës kufitare me Malin e Zi dhe kjo do të përkthehet në një vendimmarrje të shpejtë në Bruksel që qytetarët e Kosovës të lëvizin pa viza. Natyrisht që i takon Qeverisë së ardhshme të shohë modalitete dhe mundësi se çfarë mund apo duhet të ndryshohet, apo duhet apo nuk duhet fare të ndryshohet dhe mund të mandatohet një komision i ri, i cili e rishikon punën që është bërë deri më tani dhe i cili mandej i jep udhëzime kryeministrit të ardhshëm sesi të lëvizë përpara. Kur je në politikë dhe kur ke pozitë të kryeministrit dhe të ministrit nuk do të thotë që ti merresh me tema profesionale, nuk do të thotë që është detyrë e dikujt në Qeveri të dalë dhe ta shohë në majën e malit dhe ta shohë se ku është kufiri, por mandaton një komision dhe më pas është detyrë e këtij komisioni ta bëjë punën, e cila i takon. Në këtë drejtim PDK-ja i jep mbështetje të plotë koalicionit të ardhshëm që ta tejkalojmë një temë të tillë, por ta tejkalojmë këtë temë edhe pa dallime të brendshme jo vetëm brenda koalicionit qeverisës, por edhe pa dallime me të tjerët, meqë është një temë e interesit vital. Ne nuk duam që është pas 10 vjetësh dikush ta fajësojë dikë apo atë për një vijë kufitare.

Zëri: Ekspertë kemi pasur edhe në të kaluarën, vendorë e ndërkombëtarë, mirëpo as ata nuk kanë mjaftuar. Çfarë lloj komisioni do të formohej tani që do ta bindte zotëri Haradinajn për ta proceduar përpara këtë marrëveshje?

Hoxhaj: Unë nuk dua që të tingëlloj në një formë të tillë dhe t’i tregoj zotëri Haradinajt se çfarë duhet të bëjë, por zakonisht në Qeveri punët kryhen duke autorizuar agjenci, komisione, grupe punuese, ekspertë të cilët e bëjnë punën tonë si njerëz të politikës çdoherë, qoftë për të hartuar një ligj, qoftë për ta ndërmarrë një reformë, qoftë për ta përmbyllur një proces të tillë siç është shënimi i vijës kufitare me Malin e Zi. Përtej liberalizimit të vizave, i cili është ajri i pastër për të cilin pret çdo qytetar i Kosovës, shënimi i vijës kufitare, dialogu me Serbinë, shndërrimi i Forcave të Armatosura të Sigurisë në Forca të Armatosura të Kosovës flasin për diçka tjetër. Flasin për atë se ky vend është në fazën e fundit të shtetndërtimit, flasin për atë se ky vend duhet ta kompletojë sovranitetin, flasin për atë që më 17 shkurt të vitit 2018 ne do ta kemi dekadën e parë të shtetësisë dhe pyetja shtrohet, cilat janë arritjet tona dhe si ta përmbyllim një proces të tillë? Prandaj edhe ne kur kemi marrë vendim që ta mandatojmë zotëri Haradinajn për kryeministër në çdo takim elektoral para qytetarëve kemi thënë se vendin e presin vendime të mëdha dhe vendi nuk ka pasur vendimmarrje të mirëfillta të viteve të fundit.

Zëri: Ju jeni ministër i Punëve të Jashtme për një kohë relativisht të gjatë dhe mund ta dini më së miri rëndësinë e stabilitetit politik në një vend, në rrugën e tij për integrim evropian. Sa i konvenon Kosovës zvarritja e formimit të institucioneve në këtë kontekst?

Hoxhaj: Ajo çfarë ne i themi në një interpretim më të gjerë si kontekst vendor, si rrethanat e brendshme, si politikë e brendshme ndikon në mënyrë direkte në performacën e jashtme. Mund t’i kesh institucionet më aktive, mund të ketë shërbimin e jashtëm më aktiv, mund t’i kesh ambasadorët më aktivë, mund ta kesh një ministër, i cili ka edhe dëshirë që të projektojë fuqi ndërkombëtare dhe rol ndërkombëtar, por nëse konteksti i brendshëm përcillet me kriza dhe cikël krizash, me bllokada, me izolim, me ngërçe, të gjitha këto ndikojnë. Pa stabilitet, pa parashikueshmëri, pa siguri, pa qeverisje efikase nuk mund të ketë lëvizje të shpejtë drejt Evropës. Ne jemi vendi i vetëm në rajon, i cili nuk e ka as statusin e kandidatit, e kanë të gjitha vendet dhe ku qytetarët e saj nuk kanë liberalizim vizash. Në këtë drejtim, agjenda e ardhshme e saj duhet të karakterizohet me aplikimin për statusin e vendit kandidat, por ne mund ta bëjmë këtë gjë vetëm kur t’i zbatojmë ato prioritete, të cilat janë në kuadër të agjendës së reformave dhe kur ta zbatojmë MSA-në. Reformat e brendshme që i bëjmë dhe dialogu me Serbinë e kompromiset që i bëjmë në këtë dialog duhet t’i përdorim si binarë me qëllim që ta marrim statusin e kandidatit gjatë vitit të ardhshëm.

Mst/ Nuk kemi vija të kuqe për askënd

Zëri: LDK-ja është shprehur se nuk do të hyjë më në një Qeveri me PDK-në duke mos përjashtuar një bashkëpunim me AAK-në dhe me Nismën. Po PDK-ja a do të pranonte që LDK-ja t’i bashkohej PAN-it?

Hoxhaj: Ne nuk kemi politikë të vijave të kuqe. Ne nuk përjashtojmë asnjë subjekt politik. Nuk kemi përjashtuar as në të kaluarën. Me të gjithë ata që përdorin termin e vijave të kuqe me përjashtim të “Vetëvendosjes”, që është një parti e re politike, ne kemi qenë në pushtet në kohë të ndryshme, në situata të ndryshme dhe i kemi shërbyer vendit aq sa kemi mundur. Por edhe me LDK-në, edhe me AAK-në, edhe me AKR-në kemi qenë në bashkëqeverisje. Mirëpo mandatin që e kemi marrë në këto zgjedhje është i qartë. Ne kemi kandiduar me zotëri Haradinajn si kandidat për kryeministër, me zotëri Veselin si lider të koalicionit, me zotëri Limajn dhe me Nismën si partner në një Kosovë e cila është shtet dhe shoqëri shumetnike ku minoritetet e kanë rolin e tyre. Unë e ftoj LDK-në edhe “Vetëvendosjen” që pavarësisht si do të duket Qeveria e ardhshme, ajo do të udhëhiqet nga zotëri Haradinaj dhe trupi e motori i kësaj Qeverie do të jetë PDK-ja si subjekti më i madh politik. Ne duhet t’i mbështesim disa tema, të cilat janë të interesit shtetëror dhe vendi duhet ta ketë një kulturë të konsensusit politik për temat nacionale. Duhet të rikthehemi aty ku kemi qenë. Vitet ’90-a unë i kam përjetuar pak më ndryshe. Fuqia e këtij vendi ka qenë kohezioni. Ne kemi prodhuar vullnet politik sepse kemi pasur kohezion në vitet e ’90-ta, jo se kemi pasur territor të madh, as ekonomi të madhe, as kulturë politike më të lartë se dikush tjetër, por kemi pasur kohezion. Shqiptarët kanë qenë të bashkuar. Pse të mos jenë të bashkuar edhe më 2017-n për një temë, e cila ka të bëjë me secilin, mund të jetë votues i LDK-së, i PDK-së, i AAK-së, i Nismës apo i AKR-së. Qytetari ka nevojë që të lëvizë pa viza drejt Evropës. Ai ka nevojë ta shohë vendin e vet me një ushtri. Ai ka nevojë ta shohë shtetin e tij që po kompleton sovranitetin. Ne jemi ende një shtet, i cili është sikur shtëpitë e papërfunduara në Kosovë, e cila e ka katin e parë dhe katin e dytë, e kemi plloçën, por ende na mungon kulmi dhe na kanë mbetur vetëm edhe disa armatura si vazhdim. Këto armatura dhe ky kulm është kur të anëtarësohemi në OKB.

Zëri: A ka krizë brenda PAN-it? A mund të kemi prishje të këtij blloku?

Hoxhaj: Jo, bashkëpunimi ynë me AAK-në dhe me Nismën është i shkëlqyeshëm. Mandej raportet personale mes zotëri Haradinajt, zotëri Veselit dhe Limajt janë aq miqësore dhe njerëzore, ata shihen çdo ditë. Pra nuk ka e as nuk do të ketë krizë. Përkushtimi ynë është jo vetëm që ta përdorim këtë klimë të mirë partiake se si ta bëjmë Qeverinë, por ta përdorim këtë klimë të mirë politike, personale edhe njerëzore për të kryer punë për vendin.

Zëri: A do të merrni pjesë në takimin konsultativ, në të cilin presidenti Thaçi ka thirrur të gjitha partitë dhe është vënë presidenti në shërbim të PAN-it?

Hoxhaj: Mendoj që presidenti ka ndërmarrë një hap, i cili i takon atij me Kushtetutë. Ai duhet të krijojë një klimë politike, ta ushtrojë pozitën e tij, ta zbatojë Kushtetutën duke ftuar partitë politike për konsulta para se të marrë vendim se kë do ta mandatojë dhe kush do të shkojë para tij me një listë të deputetëve që dëshmon se ka shumicën parlamentare, ku më pas mund të nisë procesi i konstituimit të Kuvendit dhe i formimit të Qeverisë. Prandaj ne si PDK do të marrim pjesë në një takim të tillë dhe besoj që çdo subjekt politik do të duhej ta bënte një gjë të tillë. Para se të hyjmë në seancë është mirë që liderët politikë, në një rrafsh edhe politik, edhe simbolik, ta kenë një takim të tillë te presidenti.

Mst/ PDK-ja do të rikthehet në zgjedhjet lokale

Zëri: Të flasim pak për PDK-në. A i keni analizuar rezultatet e fundit të zgjedhjeve dhe çka mendoni se ka ndikuar më së shumti në rënien e PDK-së?

Hoxhaj: Ne i kemi analizuar rezultatet e 11 qershorit dhe mund të themi se nuk është ajo që ka pritur PDK-ja, por nuk është edhe ajo që nuk mund të ndodhë në politikë. Mua më kujtohet në vitin 2009, pas një fitore të madhe PDK-ja në nëntor të vitit 2007, e kemi pasur një situatë ku kemi qenë afër që ta humbasim Prizrenin dhe Mitrovicën në zgjedhjet lokale. Kjo për ne ka qenë e papritur sepse fitorja jonë në vitin 2007 ka qenë masive, ka qenë shembje e një orteku elektoral. Pastaj në vitin 2010 kemi pasur një fitore të qartë, por procesi ka qenë i lënduar për shkak të parregullsisë në zgjedhje, në vitin 2013 ne kemi pasur një situatë ku kemi humbur komuna të mëdha sikur Mitrovica, Ferizaj, Gjilani dhe nuk dua të përmend komuna të tjera. Atëherë u pati krijuar një narracion se ky është fundi i PDK-së, se PDK-ja nuk do të mundë të rikthehet. Mirëpo të gjithë e dinë se sa e pastër, sa e madhe ka qenë fitorja e PDK-së në vitin 2014. Ajo që dua të them është që numri i deputetëve, të cilët janë nga PDK-ja në Kuvend, nuk duhet të shihet si matje e fuqisë së PDK-së. Ne elektoratin e kemi aty ku e kemi pasur dhe këtë do ta rikonfirmojmë edhe në zgjedhjet lokale në fund të këtij viti, meqë ne jemi partia më e madhe në gjeografi nacionale dhe do të jemi e tillë. Unë gjithmonë e kam parë PDK-në si forcë të ndryshimit, ne kemi bërë punë të mëdha. Prandaj në zgjedhjet lokale kandidatët që do t’i propozojë PDK-ja për kryetar komunash, për asamblistë dhe platforma jonë qeverisëse do ta konfirmojnë pozitën elektorale që ka PDK-ja, meqë ne jemi parti e cila e ka ndryshuar këtë vend. Në këtë drejtim jam i sigurt që në këto zgjedhje do të jemi aty ku kemi qenë në vitin 2014.

Zëri: Çfarë keni ndërmarrë që kjo rënie të ndryshojë kahe?

Hoxhaj: Zgjedhjet si të tilla janë procese politike që kuptohet drejt vetëm kur merr pjesë vetë në garë. Shpeshherë bën fushatë të mirëfilltë zgjedhore, ke programin më të mirë, mirëpo ditën e zgjedhjeve mund të ndodhë mosorganizimi i partisë e nuk del elektorati yt dhe në këtë apo në atë komunë mund ta kesh një apo dy deputetë më shumë apo më pak. Ne kemi bërë një analizë të plotë se ku është PDK-ja, se ku është PDK-ja në vitin 2017 dhe kah po lëviz kjo parti. Mirëpo kemi bërë edhe një pyetje esenciale rreth asaj se çka synon të arrijë kjo parti, cila është kauza. Unë besoj që në zgjedhjet e ardhshme lokale ne do ta dëshmojmë që e kemi elektoratin të cilin e kemi pasur, që kemi rikthyer besimin e qytetarëve dhe që rezultati zgjedhor i zgjedhjeve të 11 qershorit duhet të shihet vetëm si diçka episodike, e izoluar sikurse situata e 2013-s.

 

Në numrin e nesërm të gazetës “Zëri” mund të lexoni pjesën e dytë të intervistës me ministrin e Punëve të Jashtme, njëherësh nënkryetarin e PDK-së Enver Hoxhaj. 

-Sa shtete pritet që ta njohin Kosovën në një të ardhme të afërt dhe cilat janë ato?

- A i ka siguruar Kosova votat për pranim në UNESCO dhe në INTERPOL?

-Cilat detyra të brendshme duhet t’i përfundojë Kosova në mënyrë emergjente para se të pranohet në këto organizata?

- Kur do të përfundojë dialogu me Serbinë dhe a do të ketë njohje të Kosovës nga ana e Serbisë? Etj.