Priten pezullime për rastin 'Dehari'

Aktuale November 22, 2016 - 07:54

Zyrtarë të lartë në Ministrinë e Drejtësisë, në kushte anonimiteti, kanë thënë se tashmë kur ka përfunduar një raport i Inspektoratit në lidhje me rastin “Dehari” pritet të ketë edhe pezullime nga puna të disa zyrtarëve të lartë të Qendrës së Paraburgimit në Prizren

Stafi menaxherial i Qendrës së Paraburgimit në Prizren pritet të pezullohet nga detyra pasi është hartuar një raport në lidhje me vdekjen e aktivistit të Lëvizjes “Vetëvendosje”, Astrit Dehari, në Qendrën e Paraburgimit në Prizren.

Raporti, sipas burimeve të gazetës “Zëri” në Ministrinë e Drejtësisë, është hartuar nga ana e Inspektoratit të Ministrisë së Drejtësisë, i cili ka gjetur mangësi në lidhje me ofrimin e sigurisë së mjaftueshme që të mos ndodhte akti i vdekjes së aktivistit të subjektit më të madh politik opozitar në vend.

Derisa raporti ka arritur në duart e ministres së Drejtësisë, Dhurata Hoxha, zyrtarë të lartë të kësaj Ministrie kanë thënë për gazetën “Zëri” se pezullimet nga puna pritet të ndodhin shumë shpejt edhe atë duke u bazuar në të gjeturat e Inspektoratit të Ministrisë së Drejtësisë.

Drejtori, një mbikëqyrës dhe dy oficerë pritet të pezullohen   

Por gazeta “Zëri”, pavarësisht përpjekjeve, nuk ka arritur të marrë një prononcim në lidhje me këtë çështje nga ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha.

Ndërkohë që “Zëri” merr vesh se ende raporti nuk u është dorëzuar as vartësve të saj.

“Zëvendësministrat nuk e kanë ende atë raport në duart e tyre”, thotë burimi, sipas të cilit, cak për pezullim nga detyra do të jetë edhe u.d i drejtorit të Qendrës së Paraburgimit në Prizren, Destan Zogaj, një mbikëqyrës tjetër i lartë i Burgut edhe dy oficerë.

Ndërkohë që deputeti i Lëvizjes “Vetëvendosje”, Driton Çaushi, ka deklaruar se pushteti ka shkelur të drejtat e njeriut për rastin e zbardhjes së vdekjes së Astrit Deharit.

Çaushi në një konferencë për medie ka deklaruar se ndonëse 16 ditë pas vdekjes së Deharit ende nuk është marrë asnjë përgjegjësi. Ai ka deklaruar se pushteti ka bërë shumë gabime të rënda në lidhje me këtë rast.

Ai po ashtu konsideron se është shkelur edhe Kushtetuta e Kosovës.

“16 ditë nuk kemi parë se ka marrë dikush përgjegjësinë. Ajo çka kemi parë prej ditës së parë pas vdekjes së Deharit janë vetëm gabimet e vazhdueshme nga pushteti kriminal”, ka thënë Çaushi.

Përveç gabimeve fillestare, ai ka thënë se kanë parë edhe gabimet e pushtetit pa pasur raport të hetimeve, vetëm duke u bazuar në autopsinë joprofesionale.

“Kemi shkelje të të drejtave të njeriut, janë të paktën 4 parime nga këto. Janë shkelur Nenet 2, 3, 6, 8 të Konventës Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut”, ka thënë Çaushi.

Kurse nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Aida Dërguti, ka përmendur rastin “Anguelova” kundër Bullgarisë, ku Gjykata e Strasburgut vendosi standardin që vdekja e saj në burg vendoste përgjegjësinë ndërkombëtare mbi Bullgarinë për shkakun që ajo dështoi të hetonte në mënyrë objektive dhe gjithëpërfshirëse përgjegjësit e saj.

Rasti “Dehari” është keqadministruar

Dërguti ka thënë se në këtë rast Gjykata kishte konstatuar që Bullgaria dështoi të respektonte parimin e sigurisë së deklaratave të dëshmitarëve, si element krucial në identifikimin e fajtorëve, dështoi t’i hiqte dyshimet mbi kundërthëniet e shprehura në mes të shumë raporteve zyrtare dhe vendimi i Prokurorisë për t’i mbyllur hetimet ishte cilësuar krejtësisht i bazuar në bindjen e krijuar në opinionin publik, e cila ishte paragjykuese.

Gjithashtu ajo deklaroi se Gjykata e Strasburgut ka përcaktuar detyrimin e shtetit sa i përket procesit të pavarur të hetimit në rastet e vdekjeve në qendra paraburgimi, duke përmendur rastin “Jordan” kundër Britanisë së Madhe.

Këtu Gjykata e Strasburgut përcaktoi se hetimi i shtetit për vdekjen duhet të jetë plotësisht i pavarur.

Ajo tha se Gjykata e Strasburgut vendosi standardin që pavarësia e tillë duhet të sigurohet në kuptimin që hetuesit e rastit të vdekjes në qendrën e paraburgimit duhet të mos kenë qenë më parë të përfshirë në asnjë rrethanë, qoftë edhe të lejuar, në rastin e viktimës.

“Keqadministrimi i rastit të ‘Deharit’ ka treguar që shteti i Kosovës nuk e ka as synim e as praktikë drejtësinë e nuk po pyet për këto shkelje. Ky pushtet është i vendosur që të tentojë t’i heshtë zërat të cilat kërkojnë drejtësi. Por, këta zëra që e kanë tejkaluar Lëvizjen ‘Vetëvendosje’, është e vështirë të ndalen dhe drejtësia për këtë rast do të vijë”, thuhet në komunikatën e LVV-së.

Aktivisti i kësaj Lëvizjeje, Astrit Dehari, ka vdekur më 5 nëntor 2016, në rrethana akoma të paqarta. Ndërsa raporti i autopsisë, i cili u bë publik të premten, thekson se Dehari është vetëvrarë.