Halil Thaçi, i vetmi kandidat në balotazh që përmbysi rezultatin nga i dyti në të parin
Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje në Komunën e Obiliqit, Halil Thaçi, është i vetmi garues në Zgjedhjet Lokale në Kosovë që ka arritur të përmbysë rezultatin nga rundi i parë i zgjedhjeve.
Në rundin e parë Thaçi kishte dalë i dyti, duke marrë 44,37 për qind, ose 5.626 vota. Ai kishte një dallim prej mbi 2 për qind nga kundërkandidati Xhafer Gashi i Lidhjes Demokratike të Kosovës, i cili kishte dalë i pari me 46,20 për qind, përkatësisht 5.859 vota.

Nga 18 komunat që shkuan në balotazh, me kandidatët që kishin dalë të parët në rundin e parë, vetëm Halil Thaçi ka arritur të bëjë përmbysje rezultati.
Kandidati i LVV-së ka arritur që në këtë rund, të zhvilluar më 9 nëntor, të marrë 6.441 vota, ose 51,09 për qind, ndërsa Gashi i LDK-së, që kishte dalë i pari në rundin e parë më 12 tetor, në balotazh mori 6.167 vota, ose 48,91 për qind.

Kështu, Thaçi do të jetë kryetar i Obiliqit për katër vitet e ardhshme, ndërsa Lëvizja Vetëvendosje ka fituar gjithsej shtatë komuna në këto zgjedhje – një rritje prej tri komunash krahasuar me zgjedhjet e vitit 2021.