Kurteshi voton kundër certifikimit të rezultateve për komunat me shumicë serbe

Kurteshi voton kundër certifikimit të rezultateve për komunat me shumicë serbe

Zgjedhjet Lokale 2025 November 21, 2025 - 15:29

Anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Sami Kurteshi, nuk votoi për certifikimin e rezultateve të zgjedhjeve të komunave të Kosovës.

Gjatë mbledhjes së mbajtur nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), Kurteshi tha se është kundër Listës Serbe për shkak të ndikimeve.

“Unë i dëgjova të gjitha, meqenëse kemi bërë ankesë në Gjykatën Kushtetuese për shkak të dyshimeve për presione, ndikime dhe kërcënime nga Lista Serbe, sidomos në Kllokot, ku kandidati është detyruar të tërhiqet dy-tri ditë para zgjedhjeve. Unë votoj kundër certifikimit për komunat ku Lista Serbe është me shumicë të votave. Siç kam qenë për të tjerat, jam për, por për Listën Serbe jam kundër dhe votoj kundër”, tha ai.

Ndërsa kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, e hodhi në votim certifikimin e rezultateve për Listën Serbe në komunat e Kosovës, ndërsa anëtarët tjerë votuan për.

“Për komunat serbe janë 9 vota, ndërsa për komunat tjera janë 11”, tha Radoniqi.

Kurteshi ishte dhe kundër certifikimit të Komunës së Kllokotit, meqenëse, siç thotë ai, Sreqko Spasiqin me direktiva të Serbisë u largua nga gara e balotazhit të dytë, e më pas qeveria e Serbisë e emëroi kryetar të komunës paralele serbe të Vitisë në Kosovë.

“Në Kllokot është rasti eklatant dhe përfshirja e drejtpërdrejtë e shtetit të Serbisë duke detyruar kundërkandidatin të heqë dorë për rundin e dytë, e duke e emëruar madje në komunën paralele”, tha ai. /EO