“Komunat në prag të balotazhit”, analistët nuk shohin fitues të qartë në zgjedhje
Foto: Laura Hasani

“Komunat në prag të balotazhit”, analistët nuk shohin fitues të qartë në zgjedhje

Zgjedhjet Lokale 2025 October 08, 2025 - 08:01

Analistët politikë, Blerim Canaj, Magbule Shkodra dhe Gëzim Kasapolli, kanë analizuar fushatën zgjedhore të kandidatëve për kryetarë të komunave, si dhe programet e tyre.

Sipas tyre, gara mbetet e hapur në shumë komuna, me dallime të theksuara nga njëra zonë në tjetrën.

Canaj sheh balotazh pothuajse në të gjitha komunat, përveç Skenderajt dhe Ferizajt.

“Sipas të gjitha gjasave, përveç në Skenderaj dhe në Ferizaj, të gjitha komunat tjera i shoh në balotazh. Komunat më të mëdha, pothuajse të gjitha, përfshirë edhe Pejën, nuk pritet të kalojnë 50% që në raundin e parë”, tha Canaj.

Shkodra, në anën tjetër, përjashton Suharekën nga gara e raundit të dytë dhe shpreh dilema për Gjakovën, Rahovecin e Shtimjen.

“Suhareka nuk do të shkojë në balotazh. Kam dyshime nëse Gjakova do të shkojë ose jo në balotazh. Dyshim ka edhe në Rahovec, pasi nuk ka një kundërkandidat të fortë që do ta çonte në balotazh. E njëjta situatë vlen edhe për Shtimjen”, tha Shkodra.

Ndërkohë, Kasapolli vlerëson se Vetëvendosja do të humbë terren, duke nënkuptuar sfidë serioze për partinë në pushtet në disa komuna, përfshirë Podujevën.

“Vetëvendosje do të humbasë terren. Skenderaj dhe Ferizaj janë të vetmet komuna që mund të shkojnë pa balotazh. Peja është afër, po ashtu edhe Shtimja, por dyshoj që do ta kalojë 50-shin. Podujeva është problematike. Pro shoh që era po fryn kah Ekremi. Shpejtimi mund ta humbasë komunën në balotazh”, tha Kasapolli. /rtv21