Sot dihet fituesi i Prishtinës

Zgjedhjet lokale 2017 November 23, 2017 - 08:01

“Luftës” mes Shpend Ahmetit dhe Arban Abrashit për Prishtinën sot i vjen fundi pasi Qendra e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) do ta bëjë numërimin e votave me kusht, pas balotazhit që u mbajt të dielën e kaluar në 19 komuna të Kosovës, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Sipas rezultateve preliminare të zgjedhjeve të së dielës, të publikuara nga KQZ-ja, Shpend Ahmeti është për 237 vota në epërsi ndaj kandidatit të LDK-së Arban Abrashit, por shpresat e këtij të fundit janë se gjatë numërimit të 1824 votave me kusht do të përmbyset rezultati. 

LEXO EDHE: Tahiri: 'Vetëvendosja' përmbyset në Prishtinë dhe në Prizren

Në anën tjetër, zyrtarë të lëvizjes “Vetëvendosje” janë të bindur se numërimi i votave me kusht si në Prishtinë, ashtu edhe në Prizren, vetëm sa do t’i konfirmojë fitoret e kandidatëve të tyre në këto dy komuna, shkruan tutje "Zëri".

Ahmetaj: Sot përfundon numërimi i votave me kusht

Burim Ahmetaj, koordinator në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR), tha se sot fillon numërimi i votave me kusht për Prishtinën dhe po të njëjtën ditë do të dihet rezultati përfundimtar për komunën e Prishtinës.

Sipas Ahmetajt, pas Prishtinës nis numërimi i votave me kusht për komunën e Prizrenit dhe komunat tjera.

Ahmetaj ka njoftuar që në komunën e Prishtinës janë 1824 vota me kusht, derisa në komunën e Prizrenit 1637 sosh. Kurse numri i përgjithshëm i votave të personave me nevoja të veçanta është 1175, derisa ato me postë janë 2330, thotë Ahmetaj.

“Besoj që nesër do të fillojmë me numërimin e votave me kusht dhe ky numërim mund të kryhet brenda ditës pasi që janë rreth 12 mijë vota, duke përfshirë votat me kusht, ato të personave me nevoja të veçanta dhe votat me postë”, ka thënë Ahmetaj.

Kurteshi: Do të konfirmohet fitorja e “Vetëvendosjes”

Ismail Kurteshi, nga lëvizja “Vetëvendosje”, ka thënë për “Zërin” se mezi presin numërimin e votave me kusht pasi, sipas tij, kjo do ta vërtetojë fitoren e Ahmetit në Prishtinë.

Ai thotë se duke u bazuar në rezultatin e votave me kusht në zgjedhjet e 22 tetorit “Vetëvendosja” ka më shumë vota.

“Nuk ndihemi aspak të rrezikuar nga rezultati. Mezi po presim që të numërohen votat dhe të verifikohet fitorja e lëvizjes “Vetëvendosje”. Ajo që ka ndodhur të dielën po tentohet që të grabitet në tavolinë, por një gjë e tillë nuk do të ndodhë edhe për shkak të diferencës, edhe për shkak të përvojës së 22 tetorit, ku votat e diasporës dhe votat me kusht kanë qenë më shumë për “Vetëvendosjen” sesa për subjektet e tjera. Nuk mund të ndodhë asgjë tjetër përveç që të verifikohet edhe një herë fitorja e ‘Vetëvendosjes’. Të gjithë ata që e votuan ‘Vetëvendosjen’ do të jenë në gjendje të festojnë”, ka thënë ai.

Rugova: LDK-ja e fiton Prishtinën dhe Istogun

Në anën tjetër Haki Rugova, nënkryetar i LDK-së, njëherësh kandidat i kësaj partie për kryetar të Istogut, ku po ashtu priten të numërohen votat me postë, tha për “Zërin” se ky subjekt politik po shpreson shumë që pas numërimit të votave me kusht ta marrë Prishtinën, duke qenë se rezultati është i ngushtë mes Ahmetit e Abrashit.

“Shpresoj shumë, ju e dini që rezultati është i ngushtë, por kjo do të varet nga vota e qytetarëve. Po e presim edhe numërimin e votave me kusht”, tha ai.

Ai po ashtu shprehet i bindur se gjatë numërimit të votave me postë do të konfirmohet fitorja e tij në këtë komunë.

 

Të rekomanduara