Kosova voton
Foto: Laura Hasani

Kosova voton

Zgjedhjet 2026 June 07, 2026 - 06:41

Qytetarët e Republikës së Kosovës do t’u drejtohen sot kutive të votimit për zgjedhjet e nivelit nacional.

Pas zgjedhjeve të rregullta të 9 shkurtit 2025 dhe atyre të parakohshme të 28 dhjetorit 2025, këto janë zgjedhjet e treta për Kuvendin e Kosovës të cilat organizohen brenda 16 muajve, e që erdhën pas mungesës së një konsensusi mes partive politike për të votuar presidentin e vendit.

Këto zgjedhje janë organizimi i 11-të i zgjedhjeve në nivel nacional nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ).

Numri i shtetasve të Kosovës me të drejtë vote në këtë proces zgjedhor është 2.092.174 votues.

Procesi zgjedhor brenda vendit do të zhvillohet në 949 qendra të votimit, me gjithsej 2.550 vendvotime, prej të cilave 911 qendra me 2.498 vendvotime për votimin e rregullt dhe 38 qendra, nga një për çdo komunë, me 52 vendvotime për të mundësuar votimin me kusht.

Ndërkaq, procesi zgjedhor jashtë vendit, përveç votimit me postë, është organizuar të shtunën në 30 përfaqësi diplomatike, prej të cilave 17 ambasada dhe 13 konsullata, me gjithsej 47 vendvotime.

Sipas të dhënave zyrtare, organizimi i këtyre zgjedhjeve i ka kushtuar buxhetit të Kosovës mbi 10,8 milionë euro.

Në garë për deputetë janë 902 kandidatë, të cilët përfaqësojnë 21 subjekte politike, prej të cilave 17 parti politike, 3 koalicione dhe 1 kandidat i pavarur.