DnV: Procesi i votimit nisi me disa parregullsi të vogla
Zgjedhjet e parakohshme parlamentare janë duke u zhvilluar të dielën në Kosovë.
Demokracia në Veprim është duke vëzhguar mbarëvatjen e këtij procesi me 500 vëzhgues, të cilët janë prezent në 500 vendvotime në territorin e Kosovës, raporton Zeri.info.
“Vëzhguesit tanë gjatë gjithë ditës do të raportojnë mbi mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, duke filluar nga hapja e vendvotimeve, procesi i votimit e deri tek përfundimi i numërimit të votave për subjektet politike. Vëmendje do t’i kushtohet respektimit të procedurave të votimit dhe numërimit, garantimit të fshetësisë së votës dhe qasjes së barabartë në votim për të gjithë qytetarët me të drejtë vote”, theksohet ndër tjera.
Sipas DnV-së janë raportuar disa parregullësi të vogla në këtë proces zgjedhor.
Nga të dhënat e terrenit, me vonesë janë hapur vetëm 3 përqind e vendvotimeve dhe shkaku kryesor janë vonesat e komisionerëve.
“Vetëm në 2% të vendvotimeve nuk ka pasur vendosje adekuate të kabinave të votimit apo kamerave. Vendosja jo e duhur e kamerave ka qenë më e shprehur në komunat me shumicë serbe”, thuhet ndër tjera.
Po ashtu, është theksuar se një numër i konsiderueshmë i Qendrave të Votimit në Kosovë vazhdojnë të jenë të paqasshme për personat me aftësi të kufizuara fizike.
“Është raportuar se 16% e Qendrave të Votimit në nivel vendi nuk kanë infrastrukturë adekuate ose pjerrina që mundësojnë qasje më të lehtë në objekte ku po zhvillohet votimi”, thuhet ndër tjera. /Zëri