Ambasadori britanik pas vizitës në KQZ: Profesionalizëm dhe gatishmëri për mbarëvajtjen e zgjedhjeve
Foto: Facebook

Ambasadori britanik pas vizitës në KQZ: Profesionalizëm dhe gatishmëri për mbarëvajtjen e zgjedhjeve

Zgjedhjet 2025 December 28, 2025 - 10:32

Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves, ka vlerësuar lart përgatitjen dhe profesionalizmin e institucioneve përgjegjëse për organizimin e procesit zgjedhor në Kosovë.

Në një postim të publikuar në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook, Hargreavesi bëri të ditur se gjatë mëngjesit ka vizituar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), ku nga afër është informuar për ecurinë e procesit dhe gatishmërinë institucionale.

“Një tjetër proces zgjedhor është duke u zhvilluar. Vizita ime sot në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve theksoi profesionalizmin dhe përgatitjen e stafit të KQZ-së, këshilltarëve, policisë dhe prokurorëve, të gjithë të gatshëm që dita e sotme të shkojë mbarë”, ka shkruar ambasadori britanik.

Ai theksoi se në mbarë vendin janë të angazhuar shumë persona për mbarëvajtjen e zgjedhjeve, duke e cilësuar procesin si një përpjekje të gjerë institucionale dhe qytetare.

“Ka kaq shumë njerëz të përfshirë në të gjithë vendin. I uroj Kosovës një tjetër demonstrim të suksesshëm të demokracisë”, përfundoi Hargreavesi.

Procesi zgjedhor në Kosovë po përcillet edhe nga përfaqësues të misioneve diplomatike dhe vëzhgues ndërkombëtarë, të cilët kanë theksuar rëndësinë e zgjedhjeve të lira, të ndershme dhe transparente për forcimin e demokracisë në vend.