Radoniqi u bën thirrje qytetarëve që të shfrytëzojnë të drejtën e votës

Radoniqi u bën thirrje qytetarëve që të shfrytëzojnë të drejtën e votës

Zgjedhjet 2025 December 28, 2025 - 07:14

Në Kosovë tashmë ka nisur procesi i votimit për zgjedhjet e parakohshme parlamentare, shkruan Zeri.info.

I pari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Kreshnik Radoniqi, pasi që hodhi votën e tij në qytetin e Pejës, u bëri thirrje qytetarëve që të dalin dhe ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre.

“Sot votohet për zgjedhjet nacionale për kuvendin e Kosovës, duhet të shfrytëzojë këtë rast që të ftoj të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës që të dalin e të shfrytëzojnë të drejtën e tyre për të votuar që t’i zgjedhin përfaqësuesit e tyre . nga ana e KQZ-së, të gjitha përgatitjet janë bërë, përkundër kohës së shkurtër, përgatitjeve të shumta, sfidave që kemi pasur, ne kemi arritur që të sigurohemi që procesi të fillojë me kohë. Të gjitha trajnimet, të gjitha çështjet logjistike janë përfunduar me kohë dhe sot votohet për zgjedhje nacionale. Dje e kemi pasur procesin e votimit në diasporë, i cili sipas njoftimeve ka shkuar shumë mirë, ka qenë proces i qetë. Një pjesë e atyre që janë regjistruar që të votojnë nëpër përfaqësi diplomatike kanë votuar, tashmë edhe gjatë natës janë mbyllur edhe qendrat e votimit në Uashington, New Yoprk, Toronto dhe Otavë”, theksoi Radoniqi, raporton Zeri.info.

Radoniqi, uroi që kjo ditë të jetë e qetë dhe pa ndonjë incident.

“Uroj që të jetë një ditë e qetë, e mbarë për të gjithë dhe pa ndonjë incident, që procesi të mos ketë asnjë problem”, theksoi Radoniqi.

Sipas KQZ-së, të drejtë vote kanë 1,999,024 persona. /Zëri