Haradinaj: Kosova u bë e lirë falë UÇK-së, tani do të antarsohet në NATO dhe do të luftojmë për energjinë dhe zhvillimin ekonomik

Haradinaj: Kosova u bë e lirë falë UÇK-së, tani do të antarsohet në NATO dhe do të luftojmë për energjinë dhe zhvillimin ekonomik

Zgjedhjet 2025 February 08, 2025 - 15:41

Në tubimin përfundimtar të fushatës zgjedhore të koalicionit AAK-Nisma, kandidati për kryeministër, Ramush Haradinaj, bëri një deklaratë të fortë për synimet e tij për të ardhmen e Kosovës, duke u angazhuar për sigurinë kombëtare, zhvillimin ekonomik dhe të drejtat e veteranëve të luftës.

Haradinaj nisi fjalimin e tij duke kujtuar momentet kritike të historisë së Kosovës dhe krijimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), si kundërpërgjigje ndaj agresionit të Millosheviçit.

“Kur menduan se na kishin thyer, ne krijuam UÇK-në. I dolëm përballë egërsisë së Millosheviçit që synonte gjenocidin në Kosovë,” tha Haradinaj. Ai e përshkroi këtë si një periudhë të vendosur për lirinë e Kosovës, ku aleanca me NATO-n ishte një moment vendimtar. “Kur Millosheviçi mendoi se ne jemi vetëm, u befasua se me ne u bë aleanca më e fortë ushtarake e botës, e prirur nga Amerika dhe NATO. NATO në qiell, UÇK-ja në tokë, kështu u arrit liria,” shtoi ai.

Duke folur për sigurinë e Kosovës, Haradinaj theksoi angazhimin e tij për të garantuar një të ardhme të sigurt për vendin.

“Me të drejtë kërkojmë që të antarsohemi në NATO direkt përmes planit aksional. Dhe unë ju them, po 137 nesër, sepse duam të antarsohemi në NATO. Nuk duam të bëjmë veprime prapa shpinës së aleatëve tanë, as të dëmtojmë interesat e Kosovës për shkak të ndikimeve të jashtme”, tha ai.

Në aspektin e politikave ekonomike, Haradinaj u angazhua për ndalimin e spekulimeve me çmimin e energjisë, duke garantuar se njëherë e përgjithmonë do të ndalohen praktikat e blerjes së energjisë nga fuqitë e pushtetarëve dhe shitjes së saj qytetarëve me çmime të dyfishta.

Më pas, Haradinaj foli edhe për çmimet e energjisë, ku akuzoi Kryeministrin e Kosovës se e ka blerë energjinë nga shokët e tij dhe ja u ka shitur qytetarëve më shtrenjtë.

“Atë ditë që e marr punën, e deri sa rri në atë punë, nuk do të rritet më çmimi i energjisë në Kosovë. Nuk duam të vazhdojmë të blejmë energji prej dostave të pushtetarëve e të ja shesim qytetarëve dyfish më shtrenjtë. Kjo përfundon atë ditë që e marr punën”.

Kandindati për kryeministër në radhët e koalicionit po ashtu premtoi një rritje të pagave në sektorin publik dhe privat, si dhe një mbështetje të fortë për bizneset e vogla dhe të mesme.

“Bizneset janë fuqia jonë, kanë me u rrit, por do të rritën edhe pagat në sektor privat. Kemi me i rrit pagat në sektorin publik, dyfishim i pagës në sektor publik. 500 euro paga minimale dhe kjo vlen për të gjitha pensionet, përfshi edhe kategoritë e lirisë”, tha ai

Në përfundim të fjalimit të tij, ai foli me krenati edhe për periudhën e tij si komandant i UCK-së.

“Ne e duam nderin e luftëtarit të lirisë të pa prekur. Ne nuk na vjen marre që kem luftu, mua nuk më vjen marre që kam qenë komandant i juj që jeni këtu e plot të tjerve që sjanë gjallë”.

Haradinaj iu referua deklaratat të dikurshme të ministrit të financave, Hekuran Murati, i cili kishte thënë që Kosovës do i dilte më mirë të punësonin mercenarë në luftën e Kosovës.

“Nuk janë komandant ata që i përshkruajn, mercenarët janë të tjerë, në UCK ska pasur kurrë mercenarë. Njerëzit kanë dhënë jetën, kanë dhënë gjithçka cka kanë pasur”, përfundoi Haradinaj.