Shkeljet gjatë fushatës zgjedhore, PZAP-i gjobit me mijëra euro PDK-në, AAK-në dhe Koalicionin Vakat
Foto: Laura Hasani

Shkeljet gjatë fushatës zgjedhore, PZAP-i gjobit me mijëra euro PDK-në, AAK-në dhe Koalicionin Vakat

Zgjedhjet 2025 February 06, 2025 - 10:32

Që nga fillimi i fushatës zgjedhore për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, është vërejtur gjuhë nxitëse dhe e urrejtjes mbi baza politike, si në tubime por edhe në komente në platforma online.

Kështu të paktën ka vlerësuar rrejti i organizatave joqeveritare, Demokracia në Veprim. Si rrjedhojë e kësaj klime të krijuar, Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), ka shqiptuar me mijëra euro dënime për subjektet politike që kanë shkelur Kodin e Mirësjelljes.

Një ditë më parë PZAP-i ka publikuar gjobat e radhës që ka shqiptuar ndaj subjekteve politike.

Image

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), është dënuar me 2 mijë euro gjobë pas ankesës së parashtruar nga Lëvizja Vetëvendosje lidhur me vendosjen e flamurit të AAK-së në oborrin e shkollës “Emin Duraku” në Shtime.

LVV-ja ka dorëzuar edhe katër ankesa ndaj Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), e cila është dënuar nga PZAP më 16 mijë euro.

Lëvizja Vetëvendosje më 3 shkurt kishte dorëzuar ankesat në PZAP lidhur me disa postime të bëra në rrjetet sociale nga disa mbështetës të PDK-së ku është përdorur gjuhë ofenduese dhe urrejtëse.

Image

Dënimit nga PZAP-i nuk i ka shpëtuar as Koalicioni Vakat i cili është dënuar më 1500 euro, pas ankesës së dorëzuar nga Socialdemokratskan Unija (SDU).

Sipas vendimit të PZAP-së, subjektet politike të cilat janë gjobitur, obligohen që dënimin ta paguajnë në afat prej 15 ditëve nga dita e plotfuqishmërisë së këtij vendimi.

Image