
Pas zgjedhjeve LVV-ja s’do të bëjë koalicion me asnjë parti opozitare, thotë Bislimi
Në javën e fundit të fushatës zgjedhore, zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi ka thënë partia e tij, nuk do të ketë nevojë të bëjë koalicion me partitë opozitare.
Ai ka thënë se ata do të vazhdojnë bashkëqeverisjen me partnerët e njejtë të koalicionit, me listën “Guxo” dhe me “Alternativën”, raporton Zeri.info.
“Në mandatin që vie as nuk do ketë nevojë e as aspak interesim nga ne që të përfshijmë në qeverisje cilindo subjekt politik nga partitë opozitare. Në rast se ndonjëra prej tyre përpiqet të sigurojë votën tuaj nën mashtrimin se do bashkëqeverisin me ne, mos u besoni. Merreni këtë tentim të tyre vetëm si konfirmim të natyrës së tyre mashtruese e manipuluese”, u shpreh Bislimi në një postim në rrjetin social Facebook.
I dyti i qeverisë po ashtu ripërsëriti qëndrimin e LVV-së karshi Listës Serbe, duke thënë se nuk do të bashkëpunojnë me ta.
“Dihet botërisht qëndrimi i Lëvizjes Vetëvendosje për subjektin Lista Srpska. Qeveria jonë nuk do të bashkëqeverisë me këtë subjekt e as me satelitët e saj politik brenda komunitetit serb, apo tek përfaqësuesit e komuniteteve tjera. Vota për këto subjekte rrjedhimisht është votë për opozitë dhe mosqeverisje. Ftoj qytetarët e secilit komunitet që të mbështetë sa më shumë partnerët e qeverisë e të ndëshkojë me votë ata të cilët mandatet e fituara, menjëherë pas zgjedhjeve, ia kanë dorëzuar e do ia dorëzojnë sërish, listës Srpska”, u shpreh ai mes tjerash. /Zëri