PZAP-i dënon LVV-në me dhjetë mijë euro për fjalët e Gërvallës ndaj Haradinajt
Lëvizja Vetëvendosje është gjobitur me 10 mijë euro gjobë nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa për deklaratën e Donika Gërvallës, ministres së Jashtme, që Ramush Haradinajn, kandidatin për kryeministër të koalicionit Kosova Fituese, e quajti “Gjeneral të vetëshpallur”.
Gërvalla u deklarua ashtu në tubimin në kuadër të fushatës zgjedhore në qytetin e Deçanit, më saktësisht në shtëpinë e kulturës “Jusuf Gërvalla”.
Sipas PZAP-it, ankesën aty e ka paraqitur koalicionin AAK-Nisma, Konservatorët dhe Intelektualët.
Në shqiptimin e gjobës PZAP-i shkruan: “Subjektit politik Lëvizja Vetëvendosje, me seli në Komuna Prishtinë, për shkak të shkeljes së Kodit të Mirësjelljes për Subjektet Politike, Mbështetësit e tyre dhe Kandidatët, i shqiptohet dënimi me gjobë në lartësi prej 10 mijë eurove”.
PZAP-i shprehet se LVV-ja duhet ta paguajë gjobën deri në 15 ditë që nga publikimi i vendimit.
Në ankesën e koalicionit Kosova Fituese thuhet: “Gjatë këtij fjalimi, Donika Gërvalla-Schwartz, duke aluduar për Ramush Haradinaj, të njëjtin e quan ‘gjeneralë të vetëshpallur’ (në shumës), e më pas vazhdon e njëjta vazhdon ‘prandaj unë mendoj që aq më pak meriton respekt kush sakrificën personale apo familjare e përdor për arsyetim për krim për korrupsion, për vrasje apo mashtrim’”.
PZAP-i tutje thekson se Lëvizja Vetëvendosje ankesën e AAK-së e quajti “pretendim të pasaktë, të pavërtetë dhe si i tillë, i paqëndrueshëm”.
Ky institucion deklaratën e Gërvallës e quan gjuhë nxitëse dhe të urrejtjes.