![Vetëvendosja gjobitet nga PZAP-i me 11 mijë euro, në dy raste të ndara](/uploads/zeri.info/images/2025/January/20/auto_albin-kurti-fushata-ne-prizren-780x4391737366043.jpg)
Vetëvendosja gjobitet nga PZAP-i me 11 mijë euro, në dy raste të ndara
Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa e ka dënuar sërish Lëvizjen Vetëvendosje, e këtë herë me 11 mijë euro, por në dy raste të ndara.
PZAP-i ka njoftuar se këto vendime janë marrë në seancën e panelit të mbajtur dje.
Në rastin e parë, Vetëvendosja u dënua me 5 mijë euro, pas aprovimit të ankesës së parashtruar nga PDK-ja, për shkak se siç thuhet në njoftimin e PZAP-it, pati ndeshje të kodit të mirësjelljes për subjektet politike, mbështetësit e tyre dhe kandidates gjatë fushatës zgjedhore për zgjedhjet që do të mbahen më 9 shkurt.
Sipas PZAP-it, në ankesën e PDK-së thuhej se kandidatja e LVV-së, Albena Reshitaj, ka publikuar një fotografi në Facebook, në një nga tubimet e Lëvizjes Vetëvendosje, në të cilën shihet një parullë e vendosur nga simpatizantët dhe mbështetësit e LVV-së, e që sipas tyre ka gjuhë e cila nxit urrejtje, ofendim, denigrim dhe shpreh ngjyrime përçmuese për partitë kundërshtuese të LVV-së.
Po ashtu në rastin e dytë LVV-ja është dënuar për ankesën e bërë nga PDK-ja.
Ankesa e pranuar e gjobiti LVV-në në vlerë prej 6 mijë eurove.
Në ankesë thuhet se kandidati i LVV-së për deputet, Haxhi Avdyli ka postuar një video një Facebook, me tekst shoqërues, që është realizuar brenda Klinikës së Neurologjisë, ku provokohet numri i listës, me të cilin ai kandidon, si person që mban pozitë publike, siç thuhet në ankesë, ka shfrytëzuar këto ambiente me qëllim të përfitimit të votave.
Disa gjoba radhazi i janë dhënë Vetëvendosjes që nga java e parë e fushatës zgjedhore.