Kryesuesi dhe anëtarët e KQZ-së presin në takim Misionin Vëzhgues të Zgjedhjeve nga BE-ja

Kryesuesi dhe anëtarët e KQZ-së presin në takim Misionin Vëzhgues të Zgjedhjeve nga BE-ja

Zgjedhjet 2025 January 10, 2025 - 12:29

Një delegacion i Misionit Vëzhgues të Zgjedhjeve nga Bashkimi Evropian, të cilët do të vëzhgojnë nga afër Zgjedhjet për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të cilat do të mbahen më 9 shkurt 2025, qëndruan gjatë ditës në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

Fillimisht, delegacioni i MVZ-së nga BE-ja, i kryesuar nga zëvendësi i këtij misioni, Thomas Boserup, u takuan me kryesuesin e KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, ndërkaq më pas u takuan edhe me anëtarët e KQZ-së, Sami Kurteshi, Ilir Gashi, Alban Krasniqi dhe Ibrahim Selmonaj.

Gjatë takimit të parë, kryesuesi Radoniqi u uroi mirëseardhje në Kosovë vëzhguesve nga Bashkimi Evropian dhe i informoi lidhur me përgatitjet që është duke i zhvilluar Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për organizimin e Zgjedhjeve për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të cilat do të mbahen pas një muaji.

Po ashtu, Radoniqi shprehu rëndësinë e madhe që ka për KQZ-në vëzhgimi i zgjedhjeve, pasi në këtë mënyrë do të rritet besueshmëria në procesin zgjedhor dhe se gjetjet e vëzhguesve do të merren seriozisht nga KQZ-ja, ashtu si në të kaluarën.

Nga ana e tij, zëvendësi i Misionit Vëzhgues të Zgjedhjeve nga Bashkimi Evropian, Thomas Boserup, tha se ky mision do të vëzhgojë procesin zgjedhor në Kosovë, para, gjatë dhe gjithashtu pas zgjedhjeve.

Delegacioni i Misionit Vëzhgues të Zgjedhjeve nga BE-ja u takuan edhe me anëtarët e KQZ-së, Sami Kurteshi, Ilir Gashi, Alban Krasniqi dhe Ibrahim Selmonaj, me të cilët diskutuan rreth procesit përgatitor të zgjedhjeve.

Image