Thyhen bastionet e partive
Foto: Laura Hasani

Thyhen bastionet e partive

Zgjedhjet 2019 October 08, 2019 - 08:00
Detajet
Image

6 tetori përfundimisht theu bastionet e partive. Rezultatet u përmbysën në Gjilan, në Ferizaj, në Kaçanik, në Vushtrri e në Mitrovicë. Ndërkohë, rezultate të afërta mes partive u përmbyllën në Gjakovë, në Podujevë, në Viti e në Fushë Kosovë, shkruan sot Gazeta "Zëri". 

Zgjedhjet e 6 tetorit përveç ndryshimeve të përgjithshme sollën lëkundje të papritura edhe në bastionet e partive.

Komunat, që dikur llogariteshin vatra të votave për PDK-në, LDK-në e AAK-në, përfundimisht janë thyer nga Lëvizja Vetëvendosje.

LEXO EDHE: Triumf për shpresë dhe ndëshkim për kapje të shtetit

Kjo e fundit ngritjen më të madhe e bëri në Gjilan, me gati 18 mijë vota të grumbulluara, qytet ky që për kohë të gjatë ka qenë burim i votave të LDK-së.

Ndryshime të mëdha në favor të Vetëvendosjes pati edhe në Ferizaj, në Gjakovë, në Fushë Kosovë, në Podujevë, në Kamenicë e në Viti, shkruan më tutje Gazeta "Zëri". 

Ndërkohë PDK-ja, ani pse mbajti Drenicën (që këtë herë ka shumë më pak vota se në zgjedhjet e kaluara) dhe fitoi Mitrovicën me një rezultat të ngushtë me LVV-në, lëshoi nga duart Kaçanikun, që për vite me radhë u konsiderua bastion i saj.

Vetëvendosja rrëmbeu këtë komunë me 34,25%, duke lënë pas PDK-në me 32,30%. Njohësit e çështjeve politike për "Zërin" thonë se këto rezultatet erdhën si rrjedhojë e dëshirës së qytetarëve për ndryshim pa dallim komune.

Kollqaku: S’ka më bastione

Nënkryetarja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmire Kollqaku, ka thënë se rezultatet e zgjedhjeve të 6 tetorit kanë vërtetuar se nuk ka më bastione.

“Koha po dëshmon që më bastione nuk ka, sepse qytetarëve tashmë 20 vjet u është keqpërdorur vota. Kjo ka treguar qartë se qytetarët janë për ndryshim”, ka thënë ajo për gazetën “Zëri”.

Kollqaku ka thënë se në komunat ku kanë shënuar rritje të votave presin rezultat të njëjtë edhe në zgjedhjet lokale.

“Presim këtë rezultat edhe në zgjedhje lokale, pasi është e qartë që qytetarët do të binden me ndryshimin që do ta sjellë Qeveria e re. Edhe pse me të vërtetë ka shumë punë dhe duhet shumë për t’u bërë që të korrigjohen gabimet e dëmet e shumta, ky ndryshim do të reflektohet edhe në nivel komunal”, ka deklaruar Idrizi.

Ajo më tutje tha se Qeveria e re do t’i japë mundësi diasporës për investim, pasi LVV-ja përfundimisht do ta ndalë haraçin.

“Haraçi përfundimisht do të ndalet në Kosovë dhe diaspora do ta shohë si mundësi që të investojë, ta ndihmojë vendin e tyre e një mundësi për punësim”, ka përfunduar Kollqaku.

Ndërkaq ish-deputetja e LDK-së Besa Gaxheri ka thënë se nëse vërtetohet ky rezultat LDK-ja do të bëjë një analizë të thellë për secilën komunë.

“Nëse vërtet kështu kanë dalë disa komuna të caktuara duhet të bëhet një analizë e thellë në secilën komunë për t’i parë punët në to. Por tash për tash është herët të deklarohemi, sepse ende nuk është mbyllur procesi”, ka thënë ajo.

Idrizi: Në disa komuna rezultati ishte i papritshëm

Valdete Idrizi, kandidate për deputete nga radhët e PDK-së, ka pranuar për gazetën “Zëri” se PDK-ja ka pritur rezultat në disa komuna, në të cilat përherë ka marrë mbështetje. Megjithatë, ajo ka thënë se dalja masive në votim ka ndryshuar rezultatin.

“Po, në disa komuna ka pasur ndryshime. Dalja e madhe e qytetarëve e ka ndërruar rezultatin. Ka pasur disa komuna që ose ka bashkëqeverisur, ose ka qeverisur PDK-ja dhe ka pasur shtim të votave të reja. Shtimi i votave të reja mund të them që e ka ndërruar rezultatin nëpër komuna”, ka thënë ajo.

Më tutje Idrizi ka cekur që ani pse PDK-ja ka humbur disa komuna, ka rikthyer Mitrovicën, ndonëse nuk qeveris aty.

“Në komunën e Mitrovicës, ani pse PDK-ja nuk qeveris, ne kemi arritur të dalim të parët. Ka disa dallime edhe për të mirë, por edhe disa që rezultati ka qenë jo i pritshëm”, ka thënë ajo.

Ndërkaq Sami Lushtaku, nga po kjo parti, përmes një statusi në rrjetin social “Facebook” ka thënë se votat që mori PDK-ja në Drenicë (në bastionin e vet) nuk i kanë mjaftuar që të arrijë fitore në nivel vendi.

“Dua të falënderoj qytetarët e Drenicës për mbështetjen masive plebishitare për PDK-në edhe në këto zgjedhje. Megjithatë, kjo nuk ka mjaftuar për t’i fituar zgjedhjet në nivel vendi. Tashmë duhet të shikojmë nga vetja, për t’i përmirësuar gabimet tona, për t'u reformuar e konsoliduar, me qëllim që PDK-ja të kthehet edhe më e fuqishme sasa ka qenë në të kaluarën”, ka shkruar Lushtaku.

Baraliu: Qytetari është vetëdijesuar për ndryshim

Njohësi i çështjeve politike Mazllum Baraliu ka deklaruar se ndryshimet, qoftë në nivel të përgjithshëm, qoftë në atë lokal, erdhën si pasojë e dëshirës së popullit për ndryshim.

Sipas tij, populli favorizoi opozitën dhe ndëshkoi ata që qeverisën deri tani.

“Sa u përket rezultateve të djeshme, është mirë të thuhet që qytetari më në fund e ka vetëkuptuar domosdonë e ndryshimit, është vetëdijesuar se duhet angazhuar dhe të votojë. Ata dhanë verdiktin që favorizoi opozitën dhe ka ndëshkuar partitë që ishin në qeverisje”, ka thënë ai.

Ndërkohë ka thënë se LVV-ja nuk duhet të jetë e qetë me këto rezultate në komuna, pasi ka pak gjasa që ky rezultat të përkthehet edhe në zgjedhjet lokale.

“Çështja e dallimeve ose e rezultateve nëpër komuna në rastin e zgjedhjeve qendrore nuk është e ngjashme dhe nuk do të thotë me çdo kush të jetë rast edhe në zgjedhjet lokale. Në zgjedhjet lokale ka një trend tjetër, një angazhim tjetër. Nuk mund të bazohemi në këto rezultate dhe të themi se janë prishur bastionet për zgjedhje lokale”, ka thënë ai.

Të rekomanduara