Triumf për shpresë dhe ndëshkim për kapje të shtetit
Foto: Laura Hasani

Triumf për shpresë dhe ndëshkim për kapje të shtetit

Zgjedhjet 2019 October 08, 2019 - 07:56
Detajet
Image

Lëvizja Vetëvendosje ka dalë partia e parë nga zgjedhjet e 6 tetorit. Nga mbi 98 për qind të votave të numëruara LDK-ja është radhitur subjekti i dytë, PDK-ja i treti, AAK-ja i katërti, kurse Nisma ka mbetur pa kaluar pragun zgjedhor. Vlerësohet se triumfi i Vetëvendosjes ka ardhur pas dështimeve të vazhdueshme të partive që kanë qeverisur me shtetin e Kosovës, shkruan sot Gazeta "Zëri". 

Për herë të parë në Kosovë Lëvizja Vetëvendosje ka dalë subjekti më i votuar në zgjedhjet nacionale. Më 6 tetor, ditën kur u votua për përbërjen e legjislaturës së shtatë, LVV-ja mposhti partitë e tjera, të cilat garuan në këto zgjedhje.

Sipas rezultateve preliminare të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), LVV-ja ka marrë rreth 26 për qind të votave, gjegjësisht mbi 200 mijë sosh, shkruan më tutje Gazeta "Zëri".

Zyrtarët e këtij subjekti thonë se puna 14-vjeçare e LVV-së, programi, lista e deputetëve dhe kandidati për kryeministër janë disa prej arsyeve që sollën fitoren e LVV-së.

Por njohësit e çështjeve politike konsiderojnë se triumfi i Vetëvendosjes ka ardhur pas dështimeve të vazhdueshme të partive të tjera, që kanë qeverisur me vendin.

Ndonëse ende nuk janë publikuar rezultatet finale zyrtarët e LDK-së, e cila është radhitur e dyta për nga numri i votave, kanë thënë se nuk janë të kënaqur me rezultatin.

Humbjen e kanë pranuar edhe përfaqësuesit e ish-koalicionit PAN (PDK, AAK, Nisma), që deri para pak muajsh qeverisën me shtetin e Kosovës.

LVV: Qytetarët me të drejtë ndëshkuan subjektet politike

Albulena Haxhiu, kandidate e LVV-së për deputete, ka thënë se arsyeja pse LVV-ja ka dalë e para nga zgjedhjet e tetorit ka të bëjë me punën aktive që është bërë për më shumë se një dekadë.

“E para, është puna 14-vjeçare e aktivistëve të LVV-së, pastaj pa dyshim është programi që ka LVV-ja, por edhe kandidatët për deputetë dhe kandidati ynë për kryeministër, Albin Kurti”, ka deklaruar ajo.

Gjatë një prononcimi për “Zërin” Haxhiu ka thënë se elektorati me të drejtë ua ka dhënë ndëshkimin partive që kanë qeverisur me vendin deri më tash.

“Qytetarët me të drejtë i kanë ndëshkuar subjektet politike, të cilat nuk kanë arritur ta zbatojnë asnjë përqindje më të vogël të programeve dhe gjithë pushtetin e kanë shfrytëzuar në shërbim të tyre dhe jo të qytetarëve. Prandaj ata që kanë keqqeverisur Kosovën e kanë marrë mesazhin nga qytetarët e Republikës së Kosovës”, ka potencuar ajo. Kjo sipas Haxhiut është një demokraci, një emancipim qytetar, që ndëshkon subjektet e papërgjegjshme.

LDK-ja, e pakënaqur me rezultatin

Besa Gaxherri, kandidate për deputete nga LDK-ja, ka pohuar se rezultati (preliminar) i zgjedhjeve të tetorit nuk ka qenë i pritshëm për këtë subjekt.

“Sipas sondazheve gjithmonë kemi qenë të parët, me një përqindje goxha të thellë. Zgjedhjet sigurisht që kanë shkuar relativisht mirë, nuk mund të ankohemi, por duhet ta presim rezultatin final. Rezultati është shumë i ngushtë, por tash për tash unë nuk jam e kënaqur. E kemi pritur me të drejtë një rezultat krejtësisht tjetër”, ka theksuar Gaxherri për gazetën.

Duke u nisur nga rezultati i dalë nga zgjedhjet, Gaxherri ka thënë se LDK-ja duhet ta bëjë një analizë për t’i mësuar arsyet se pse është radhitur partia e dytë, jo e para.

“Duhet ta bëjmë një analizë, por duhet ta presim deri në fund procesin. Pasi të përfundojë procesi duhet ta bëjmë një analizë dhe ta shohim se ku ka qenë problemi ose defekti”, ka nënvizuar ajo.

Rezultati i pafavorshëm i PAN-it

Pas shpalljes së rezultateve të para, kryetari i PDK-së Kadri Veseli ka pranuar humbjen dhe ka thënë se PDK-ja në legjislaturën e shtatë do të kalojë në opozitë.

“Së bashku me PDK-në kemi punuar shumë që t’i fitojmë këto zgjedhje, por nuk fituam. Qytetarët kanë dhënë verdiktin e tyre dhe ne e pranojmë. PDK-ja do të kalojë në opozitë, por ne do të vazhdojmë t’i shërbejmë kombit dhe shtetit”, ka potencuar Veseli.

Ndërkohë kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, tha se vendimi për t’ia kthyer sovranit vendimmarrjen (me dorëheqjen nga posti i kryeministrit) pikërisht në kohë udhëkryqi për Kosovën të dielën u vërtetua që ishte veprim i drejtë.

Për dallim prej tyre, lideri i Nismës Socialdemokrate Fatmir Limaj nuk është deklaruar fare për rezultatet e zgjedhjeve.

Arsyet që radhitën LVV-në të parën

Politologu Belul Beqaj ka thënë se rezultati i zgjedhjeve nacionale mund të shihet si reflektim inkurajues i ngritjes së vetëdijes politike të qytetarëve të Kosovës e veçmas të të rinjve.

“Politikëbërja e keqe mund të përsëritet nëse nuk ndëshkohet, ndërsa votimi i djeshëm tregon se qytetarët kanë filluar të këndellen nga lajthitjet dhe premtimet pa mbulesa të partive politike dhe të politikanëve”, ka deklaruar ai.

Arsyet pse LVV-ja ka dalë si parti triumfuese në zgjedhje, sipas Beqajt, kanë të bëjnë me dështimin e subjekteve të tjera në qeverisjet e kaluara.

“Për faktin se të gjitha partitë paraprake kanë dështuar secila në mënyrën e vet. Së dyti, LVV-ja përjetohet si parti e diskontinuitetit. Së treti, ajo perceptohet si parti e pastërtisë dhe ndershmërisë. Së katërti, ajo ka një lider me integritet dhe vizion të qartë dhe fundja, LVV-ja po përjetohet si parti e të rinjve dhe e perspektivës”, ka potencuar Beqaj.

Gjersa ka komentuar rezultatet e zgjedhjeve, Vigan Qorrolli, jurist dhe njohës i çështjeve politike, ka thënë se fitorja e Vetëvendosjes paraqet të ashtuquajturin “revolucion të shpresës” për qytetarët e Kosovës.

Arsyet e kësaj fitoreje, sipas tij, janë të shumta, por më e veçanta, siç Qorrolli është shprehur, është përcaktimi i Kurtit për shpresën që buron nga pesimizmi i kosovarëve për shtetndërtim.

“Si arsye themelore e kësaj është kapja flagrante e institucioneve të shtetit me familjarë dhe militantë politikë. Asnjë revolucion tjetër spektakolar nuk mund të ndodhë ndërsa shteti është i kapur kokë e këmbë nga ‘milicia’ politike e partive që e drejtuan Kosovën në këto 20 vjet”, ka theksuar ai.

LVV-ja, sipas Qorrollit, e ka detyrim parësor që ta realizojë premtimin për moskapjen e shtetit. “Albini dhe partnerët e tij e kanë një obligim primar: të mos e kapin shtetin. Ky do të quhet revolucioni më i madh në tranzicionin politik dhe social të Kosovës”, është shprehur ai.

Kurse publicisti Shkelzen Maliqi ka thënë se ndëshkimi i PAN-it është absolut, por fituesi i padyshimtë, LVV-ja, është relativ.

Ndaj, sipas tij, LVV-ja duhet ta ndajë pushtetin me forcën e dytë nëse arrijnë ta gjejnë formulën e pajtimit të programeve, të mënyrës së qeverisjes dhe të riparimit të raporteve të dëmtuara me SHBA-në dhe BE-në.

Nëse kjo gjë shpërfillet, siç Maliqi është shprehur, do të mundë të ketë sërish probleme.

Mbi 98% e votave të numëruara, LVV-ja 5458 vota para LDK-së

Gjatë ditës së djeshme janë numëruar më shumë se 98 për qind e votave, me ç’rast kanë mbetur më pak se 2 për qind e tyre pa u numëruar.

Sipas këtij rezultati të publikuar nga KQZ-ja, Lëvizja Vetëvendosje është partia që ka marrë më së shumti vota, saktësisht 25,56 për qind ose 200 mijë e 754 vota.

Pas saj menjëherë radhitet LDK-ja, e cila ka marrë 24,87 për qind ose 195 mijë e 296 vota. Kurse PDK-ja, si partia e tretë, ka mbledhur gjithsej 166 mijë e 9 vota ose 21,13%. Koalicioni AAK - PSD sipas këtyre rezultateve ka gjithsej 90 mijë e 617 vota ose 11,53%. Kurse koalicioni Nisma – AKR - PD sipas rezultateve preliminare nuk ia ka dalë ta kalojë pragun zgjedhor, pasi që ka marrë vetëm 38 mijë e 433 vota ose 4,89%. KQZ-ja ka bërë të ditur se shumë shpejt do të nisë edhe numërimi i votave të diasporës dhe i atyre me kusht.

Numri i qytetarëve që kanë votuar në zgjedhjet e parakohshme nacionale në Kosovë, më 6 tetor të këtij viti, është 812 mijë e 49, gjegjësisht 44,18% e personave me të drejtë vote.

Të rekomanduara